Sot, fëmijët po jetojnë në një botë të dominuar nga teknologjia, dhe një nga dilemat e vazhdueshme të prindërve është se si po ndikon kjo te fëmijët e tyre.
Instituti Kombëtar i Shëndetit në SHBA ka bërë publike rezultatet e para të studimit ABCD. Ata thonë se përdorimi i tekonologjisë apo të qenurit në kontakt me ekranin, mund ta ndryshojnë strukturën e trurit, transmeton Gazeta Shneta.
Studimi The Adolescent Brain Cognitive Development (ABCD) është hulumtimi më i madh afatgjatë në SHBA, rreth zhvillimit të trurit dhe shëndetin e fëmijëve. Qëllimi i studimit është të kuptojë se si përvojat e fëmijërisë ndikojnë në zhvillimin e trurit të një fëmije. Përvojat që janë përfshirë në këtë studim, përfshijnë: sportet; modelet e gjumit; pirja e duhanit; mediat sociale dhe video lojërat.
Si po funskionon ky studim?
Gaya Dowling, njëra nga studiueset e këtij hulumtimi, ishte në 60 Minutes për të diskutuar rreth rezultateve të para. Më shumë se 11800 fëmijë të moshës mes 9 dhe 10 vjeç, u ftuan të marrin pjesë studimin ABCD. Studiuesit ndjekin zhvillimin biologjik dhe të sjelljes së fëmijëve përmes adoleshencës në moshën e rritur. Studimi përcjellë skanimet e trurit të fëmijëve gjatë një periudhe 10-vjeçare, për të përcaktuar se si ndikon përdorimi i ekranit në trurin e tyre.
Skanimet e trurit tek fëmijët që përdorën ekranet për shtatë ose më shumë orë në ditë, treguan rrallimin e parakohshëm të korteksit në tru. Korteksi është i ndarë në katër pjesë; secila pjesë është përgjegjëse për përpunimin e llojeve të ndryshme të informacionit shqisor.
Fëmijët që përdorën ekranet për më shumë se dy orë në ditë, gjithashtu shënuan rezultate të vogla në testet e të menduarit dhe gjuhës.
Ky studim afatgjatë do t’i përcjellë pjesëmarrësit për një dekadë. Në fund të studimit, ne do të mund të kuptojmë më shumë rreth ndikimit të ekranit dhe teknologjisë në zhvillimin e trurit të fëmijëve.
Disa nga ndryshimet më të mëdha në strukturën dhe funksionimin e trurit ndodhin gjatë adoleshencës. Andaj, ky studim është shumë i rëndësishëm, sepse për shkak të kohës më të gjatë dhe avancimeve në teknologji, studiuesit do të mund të hulumtojnë më shumë dhe në mënyrë më efikase rreth kësaj cështjeje. /GazetaShneta/


