Rreth një në 36 fëmijë në Shtetet e Bashkuara janë në spektrin e autizmit, por shkencëtarët ende nuk e dinë pse truri i disa fëmijëve zhvillohet ndryshe. Hulumtimi i ri sugjeron se ekspozimi ndaj ndotjes gjatë shtatzënisë dhe fëmijërisë së hershme mund të jetë një nga faktorët ndikues.
Një rishikim shkencor i botuar në revistën “Brain Medicine” identifikoi se ndotës të zakonshëm të ajrit, si grimcat e imta PM2.5 dhe oksidet e azotit, mund të shkaktojnë ndryshime biologjike që ndikojnë në zhvillimin e trurit. Këto përfshijnë inflamacion sistemik, ndërprerje të sinjalizimit nervor, ndryshime në ADN dhe reagime toksike në qeliza, shkruan Very Well Health transmeton Gazeta Shneta.
Dr. Stefania Papatheodorou, profesoreshë asociuar në epidemiologji, shpjegon se ndotja mund të ndikojë në funksionin e enëve të gjakut dhe të placentës, duke ndryshuar rrjedhën e gjakut dhe rritjen e fetusit. Grimcat e vogla dhe gazrat toksikë mund të kalojnë placentën dhe të ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e trurit të fetusit, thotë Dr. Kelly Bakulski, profesoreshë e asociuar e epidemiologjisë.
Studime të mëparshme mbështesin këto gjetje. Një analizë e vitit 2019 mbi 132,256 foshnja gjeti lidhje midis ekspozimit ndaj oksidit nitrik gjatë shtatzënisë dhe diagnozës së autizmit. Një studim rast-kontrolli i vitit 2020 tregoi se ekspozimi ndaj ozonit në tremujorin e tretë dhe ndaj PM2.5 gjatë vitit të parë të jetës rrit rrezikun për ASD.
Ky hulumtim thekson rëndësinë e zvogëlimit të ndotjes së ajrit për të mbrojtur zhvillimin neurologjik të fëmijëve dhe mund të ndihmojë në parandalimin e çrregullimeve të spektrit të autizmit. /Gazeta Shneta/


