Vapa ekstreme këtë verë po prek njerëzit në të gjithë vendin – mendërisht dhe fizikisht.
Ndërsa nxehtësia mund ta bëjë këdo nervoz, ndikimi mund të shkojë përtej kësaj, veçanërisht për njerëzit me probleme të shëndetit mendor, shkruan Medical Xpress përcjell Gazeta Shneta.
Një psikiatër i Kolegjit të Mjekësisë Baylor shpjegon se si nxehtësia ndikon në shëndetin mendor.
Nxehtësia e tepërt shkakton ndryshime në emocione dhe sjellje që mund të rezultojnë në ndjenja zemërimi, nervozizmi, agresioni, parehati, stresi dhe lodhjeje.
Mes tjerash, nxehtësia i ndryshon ato sjellje për shkak të ndikimit të saj në serotonin, neurotransmetuesin kryesor që rregullon disponimin tuaj, duke çuar në uljen e niveleve të lumturisë ose gëzimit dhe rritjen e niveleve të stresit dhe lodhjes.
Grupet më të cenueshme të prekura nga nxehtësia dhe shëndeti mendor përfshijnë njerëzit me kushte paraekzistuese dhe njerëzit që përdorin substanca si alkooli.
Njerëzit që tashmë vuajnë nga stresi, zemërimi ose ankthi do të përjetojnë rritje të serotoninës.
“Të gjitha sëmundjet mendore rriten me nxehtësinë, sepse kjo rezulton në më shumë lodhje, nervozizëm dhe ankth dhe mund të përkeqësojë episodet depresive,” tha Dr. Asim Shah, profesor në Departamentin Menninger të Psikiatrisë dhe Shkencave të Sjelljes në Baylor.
Shenjat e të nxehtit që dëmtojnë shëndetin mendor fillojnë me nervozizëm, ulje të motivimit, sjellje agresive dhe nganjëherë mjegullim mendor. Në raste më të këqija, mund të shkaktojë konfuzion dhe çorientim.
Ndërsa shmangia e nxehtësisë mund të mos jetë e mundur, Dr. Shah rekomandon që të hidratoheni me elektrolite dhe të mbani kokën të mbuluar kur dilni jashtë.
Përveç kësaj, derdhni pak ujë në kokën tuaj për t’u ftohur dhe provoni t’i bëni gjërat në hije.
Nëse normalisht shkoni për shëtitje jashtë, zhvendosini ato brenda duke ecur në qendër tregtare ose në një hapësirë të madhe me ajër të kondicionuar.
Poashtu, nëse merrni medikamente, konsultohuni me mjekun tuaj pasiqë disa medikamente për shëndetin mendor, si litiumi për pacientët bipolarë, mund të mos shoqërohen mirë me nxehtësinë. Litiumi kalon përmes veshkave, kështu që nëse djersitni më shumë, nivelet e litiumit luhaten.
“Nëse jeni jashtë në vapë dhe përdorni litium, nivelet mund të luhaten. Në këtë skenar, ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe ose të rregullojmë dozën e litiumit ose të shmangim nxehtësinë,” tha ai.
Ndryshimet klimatike, duke përfshirë thatësirat dhe ndryshimet ekstreme të temperaturës, mund të shkaktojnë efekte negative duke rritur ndotësit dhe alergjenët dhe duke përkeqësuar cilësinë e ajrit. Këto përkeqësojnë çështjet e shëndetit mendor si depresioni, ankthi.
Disa studime tregojnë se ekspozimi ndaj çdo fatkeqësie natyrore klimatike mund të rrisë rrezikun e depresionit me më shumë se 30%, ankthin me 70% dhe të dyja me mbi 87%. /Gazeta Shneta/