Mjekja infeksioniste pediatre, Raida Petrela, pohon se pedriatia është e vetmja qendër e cila ndjek nga afër rastet e fëmijëve me HIV/AIDS. Shpesh prindërit e marrin vesh që janë të infektuar kur fëmija rezulton i infektuar
Aishe Thartori
HIV/AIDS është një sëmundje retrovirale që shkakton kryesisht frenim të imunitetit qelizor dhe manifestohet teknikisht me infeksione të përsëritura. Shkaktari i HIV/AIDS është një retrovirus ose e thënë ndryshe virusi i imunodeficences humane. HIV/AIDS prek jo vetëm të rriturit, por edhe fëmijët. Por cila është përqindja e infektueshmërisë së këtij infeksioni tek fëmijët në rang botëror dhe si merret ai? Cila është gjendja e përgjithshme e infektueshmërisë me HIV/AIDS te fëmijët në Shqipëri.
Ku dhe si kurohen ata? Mjekja infeksioniste pediatre, Raida Petrela, në një intervistë të dhënë për gazetën “Shëndet Plus” pohon se pedriatia është e vetmja qendër e cila ndjek nga afër rastet e fëmijëve me HIV/AIDS duke ofruar në të njëjtën kohë edhe një shërbim të plotë mjekimi ndaj këtij infeksioni. Sipas pediatres infeksioniste, HIV/AIDS është problem jo vetëm i yni, por i gjithë shoqërive që janë në proces zhvillimi.
Sipas saj, situata në vendin tonë është edhe më kritike si pasojë e mungesës së sensibilizimit ndaj testimit të HIV/AIDS tek gratë shtatzënë, si dhe diagnostikimi në stade të vonshme të infeksionit HIV/AIDS jo vetëm tek fëmijët, por edhe tek të rriturit.
Duke iu referuar të dhënave, cila është gjendja e përgjithshme në Shqipëri përsa i takon HIV/AIDS tek fëmijët?
Rasti i parë tek fëmijët me HIV/AIDS në Shqipëri është diagnostikuar në vitin 1997. Nuk ka të dhëna të sakta përsa i përket mënyrës sesi ky fëmijë është infektuar me HIV/AIDS. Që prej këtij viti e deri më sot numërohen rreth 33 fëmijë të infektuar me HIV/AIDS, nga të cilët 5 raste i përkasin vitit 2013. Nga totali i këtyre fëmijëve të infektuar, 6 janë infektuar me anë të transfuzionit të gjakut, nga të cilët 3 janë edhe me talasemi. Nga të dhënat e raportuara deri më tani flitet për 6 fëmijë të vdekur: 2 kanë qenë mbi 15 vjeç dhe 4 nën moshën 14-vjeçare.
Cilat janë mënyrat e transmetimit të HIV/AIDS tek fëmijët?
HIV/AIDS tek fëmijët mund të transmetohet në disa rrugë nga të cilat do të veçoja:
1. Transmetimi vertikal, e cila është rruga kryesore e transmetimit të HIV/AIDS dhe ndodh në 3 periudha:
-Periudha gjatë shtatzënisë, kur fëmija infektohet nga gjaku i nënës.
-Periudha perinatale, gjatë lindjes, çka nënkupton kontaktin me gjakun e nënës nëpër rrugët e lindjes.
-Periudha post natale, me anë të qumështit të gjirit.
2. Transmetimi me anë të transfuzionit të gjakut
3. Me anë të shiringave apo materialeve të infektuara
4. Me anë të abuzimeve seksuale
Duhet theksuar se nga të gjitha mënyrat e marrjes së HIV/AIDS, tek fëmijët përqindjen më të madhe e zë transmetimi në rrugë vertikale.
Gjithashtu, ekziston edhe një mënyrë kategorizimi klinik i fëmijëve të infektuar me HIV/AIDS, konkretisht:
1. Kategoria e ekspozitë-perinatal
2. Kategoria josimptomatike
3. Kategoria a) lehtësisht simptomatike, b) mesatarisht simptomatike dhe c) kategoria e rëndë.
Si procedohet në rastet kur fëmijët diagnostikohen me HIV/AIDS?
Në të tilla raste mjeku klinicist pediatër në momentin e prezantimit të fëmijës pozitiv me HIV/AIDS duhet të kartelizojë fëmijën për shtrim në spital, të vlerësojë shenjat klinike sipas kategorive, numrin e qelizave CD4+ , shkallën e ngarkesës virale dhe të kategorizojë të sëmurin sipas kategorive imune. Më pas në bazë të vlerësimit merret edhe vendimi për të filluar ose jo mjekimin antiretroviral.
Në çfarë stadi diagnostikohen të infektuarit?
Jemi në një shkallë shumë të vonshme të diagnostikimit të fëmijëve dhe diagnostikimit të të rriturve me HIV/AIDS. E them këtë sepse në shumicën e rasteve me anë të fëmijëve të sëmurë ne zbulojmë që kemi dhe një nënë dhe baba gjithashtu të sëmurë. Pra, jemi në atë fazë që duke zbuluar fëmijët, zbulojmë në të njëjtën kohë edhe prindërit e këtij fëmije. E gjithë kjo situatë është e lidhur me shkallën e ulët të testimit vullnetar për HIV/AIDS. Ky testim nuk është i detyrueshëm, por është vullnetar. Ajo çka duhet bërë është rritja e ndërgjegjësimit për të kuptuar rëndësinë e problemit. Vajzat edhe nënat përpara se të marrin vendimin për të mbetur shtatzënë duhet të dinë statusin e tyre edhe në lidhje me HIV/AIDS. Duke e ditur këtë gjë, kjo nënë apo vajzë e cila pret një fëmijë, është në gjendje ta menaxhojë më mirë veten e saj.
Si trajtohen fëmijët me HIV/AIDS, çfarë shërbimi u ofrohet?
Patogjeneza e HIV dhe parimet e TAR janë të ngjashme si tek të rriturit, ashtu edhe tek fëmijët. Ekzistojnë probleme specifike, psikologjike, klinike, praktike dhe sociale që duhen marrë në konsideratë për trajtimin me TAR të fëmijëve HIV pozitiv. Parimi i përgjithshëm i cili duhet marrë në konsideratë nga ana e prindërve ose nga ana e kujdestarëve mbështetet në përcaktimin e një regjimi sa më të përshtatshëm për një fëmijë.
Aderenca me mjekimin ose e thënë ndryshe lidhja me terapinë është shumë e rëndësishme për mjekimin e suksesshëm tek fëmijët me HIV/AIDS. Është një fakt më se i njohur që zbatimi i terapisë me ARV përbën një nga pikat kryesore të suksesit të terapisë. E rëndësishme është gjithashtu që pacienti, në rastin tonë prindërit e fëmijëve, të këshillohen me kujdes përpara fillimit të terapisë dhe kjo përfshin përpjekjet e koordinuara që duhen realizuar nga mjekët dhe punonjësit e tjerë të kujdesit shëndetësor.
Tek të rriturit kurimi është më pak problematik sesa tek fëmijët, sepse ndodh që shpeshherë marrja e mjekimeve me anë të tabletave të mos rezultojë fort e pëlqyeshme për fëmijët.
E rëndësishme është edhe monitorizimi i aderencës apo i marrjes së barnave nga pacientët. Në vendet e zhvilluara ka qenë i vështirë përcaktimi i një metode të thjeshtë efektive për monitorizimin e aderencës. Vlerësimi nga ana e mjekëve ka rezultuar vazhdimisht të jetë një nga mënyrat më të besueshme. Pyetësorët për pacientët kanë rezultuar një mjet i besueshëm dhe i lehtë për të monitoruar aderencën tek pacientët ambulatorë. Pjesë e vlerësimit përpara mjekimit është edhe vlerësimi ndaj mjeteve të mundshme për të arritur një aderencë të kënaqshme mjekimi.
Ky vlerësim do të përfshijë: njohuri të pacientit mbi sëmundjen dhe mjekimin, në këtë rast i referohem prindërve, kushtet e jetesës dhe çështjen e privatësisë së pacientit, ruajtjen e sigurt të barnave, orare ditore apo të ngrënit, probleme të shëndetit mendor, probleme mjekësore, probleme ekonomike etj. Pranë QSUT-së, përkatësisht në pavionin e pedriatrisë, pacientët “e vegjël” paraqiten për kontrolle periodike, një herë në 3 ose 6 muaj për të parë rritjen e këtyre fëmijëve (shtimin në peshë), rritjen në gjatësi apo edhe kontrolle të tjera, të cilat janë elemente të rëndësishme në vlerësimin e trajtimit. Medikamentet ofrohen falas, pra sigurohen nga shteti.
Në qoftë se këta fëmijë e tolerojnë mirë mjekimin, janë normalë, nuk kanë temperaturë dhe bëjnë një jetë normale, ata nuk kanë nevojë për shtrim në pavion, thjesht paraqiten për kontrolle periodike.
Po nëse këta fëmijë sëmuren? Domethënë nëse preken prej virozave apo sëmurën si veprohet?
Në qoftë se këta fëmije sëmuren dhe kanë një pneumoni, një diarre apo diçka tjetër, si të gjithë fëmijët e tjerë, atëherë shtrohen në pavion dhe izolohen në dhoma të veçanta, sikundër mund të izolojmë edhe fëmijët të cilët kanë variçelë, e cila është ngjitëse.
Në çfarë stadi janë diagnostikuar fëmijët me HIV/AIDS në Shqipëri?
Këta fëmijë diagnostikohen në stade të ndryshme. Ka fëmijë që kanë ardhur për herë të parë në moshën 5-vjeçare, sikundër ka nga ata që kanë ardhur edhe më herët. Po ju rrëfej një rast konkret të një fëmije 8-muajsh, i cili kishte 2 muaj që vuante spitaleve dhe nuk po arrihej të përcaktohej diagnoza e plotë nga se vuante. Herë dyshohej për pneumoni, herë për bronkopneumoni. Pas ekzaminimeve të plota, ne si mjekë e pamë të nevojshme që ky fëmijë t’i nënshtrohej edhe testimit ndaj HIV/AIDS, nga i cili rezultoi pozitiv. Ky fëmijë 8-muajsh ishte i infektuar në rrugë vertikale, çka nënkuptonte që edhe të dy prindërit ishin pozitiv ndaj HIV. Ne kemi vite që i ndjekim nga afër një pjesë të mirë të fëmijëve me HIV/AIDS, madje dy prej tyre tashmë janë përcjellë për mjekim të mëtejshëm në Spitalin Infektiv, pra, e kanë kaluar moshën pedriatike.
A ekziston një infrastrukturë për t’u ofruar një shërbim të plotë këtyre pacientëve?
Sigurisht. Nga ana mjekësore kushtet janë të gjitha, mungesa herë pas here mund të kemi edhe ne. Për shembull kemi mungesa të llojit të shurupeve. Shpeshherë kur nuk disponojmë shurupe për fëmijët, ne i zëvendësojmë ato me tableta, gjë që e vështirëson marrjen e mjekimeve sepse për fëmijët patjetër duhet të sigurohen shurupet, pasi ky i fundit është metoda më e mirë e marrjes së rregullt të ilaçeve. Ndërsa për të rriturit është më pak problematike marrja e mjekimeve me anë të tabletave.
Unë mendoj se parësore për këta fëmijë është që t’u ofrohet mbështetje ekonomike. Përveç kempit që ata marrin për sëmundjen, duhet patjetër që të kenë edhe një ndihmë ekonomike, pasi shpeshherë këtyre fëmijëve u vdes njëri prej prindërve, dhe në momentin që ngelin jetim, atyre duhet t’u ofrohet ndihmë ose pension nga shteti.
Statistikisht llogaritet të jenë rreth 34 milionë njerëz të infektuar me HIV/AIDS në të gjithë botën nga ku 90% të rasteve u përkasin vendeve në zhvillim. Janë rreth 2.7 milionë raste të reja të infektuara në fund të vitit 2012. Nga këto raste, 390 mijë janë raste të infektimit tek fëmijët. Kjo shifër është 15 % më e ulët se në vitin 2001 dhe 21% më pak se rastet e reja të infektimit në vitin 1997.
Sida, e lidhur me vdekjen
Në momentin që të infektuarit me virusin HIV kalojnë në sidë, një gjë e tillë nënkupton se përfundimi i jetës së tyre është pranë. Numri i pacientëve të vdekur me sidë është ulur nga 2.8 milionë që ishte në vitin 2010 në 1.8 milionë. Kjo është bërë e mundur në sajë të induksionit të terapisë antiretrovirale.
Sipas të dhënave të OBSH-së, 20% e fëmijëve të infektuar përfundojnë në sida (ose vdekje) në muajin e 12-të të jetës. 40-50 % të fëmijëve që janë të infektuar vertikalisht, pra nga nëna tek fëmija kanë mbijetuar nga 9-10 vjeç në adoleshencë apo në rininë e hershme.
Në Afrikë mortaliteti i shkaktuar nga HIV/AIDS është më i madh sesa në vendet e zhvilluara, ku rreth 40% e fëmijëve vdesin rreth moshës 12 vjeç./Gazeta Shëndeti/