Rreth një javë para se të mbaheshin zgjedhjet e 11 qershorit, koalicioni PAN i udhëhequr nga tani kryeministri Ramush Haradinaj, kishte nënshkruar një marrëveshje me Federatën e Sindikatave të Shëndetësisë.
Marrëveshja parashihte bashkëpunimin e palëve në të mirë të shëndetësisë dhe punëtorëve shëndetësorë.
Sindikalistët kishin kërkuar nga Haradinaj që shëndetësia të ishte prioritet, të rritej buxheti dhe një nga kërkesat kryesore në këtë marrëveshje ishte rritja e rrogave, shkruan Gazeta Shneta.
Deri më tani kjo marrëveshje nuk është respektuar nga ana e Qeverisë Haradinaj. E sindikalistët kanë paralajmëruar reagime nëse nuk zbatohet nga fillimi i vitit të ardhshëm.
Sabri Cakaj nga Federata e Sindikatave të Kosovës, ka thënë se nuk përjashtohet as protestat e as greva nëse nuk rriten pagat e punëtorëve të shëndetësisë, sipas kërkesave të tyre.
Cakaj ka thënë se nuk do të pranojnë paralajmërimet për rritje me 5 për qind.
“Kërkesat tona janë që pagat të rriten me 15 për qind. Ka pasur disa informacione se do të ketë rritje me 5 për qind, por deri më tani nuk ka asgjë zyrtare. Por sidoqoftë ne nuk do ta pranojmë këtë”, ka thënë ai.
Cakaj shton se deri më tani kanë pasur mirëkuptim për konsolidimin e Qeverisë në 100 ditëshin e parë, por më datën 27 të këtij muaji FSSHK do të dal me qëndrime konkrete rreth kërkesave të tyre.
“Nga janari do të merremi intensivisht me këtë marrëveshje dhe nuk përjashtohet asgjë nga ana jonë”, ka deklaruar Cakaj.
Por Qeveria ka qenë në gjendje që t’i dyfishojë pagat për zyrtarët e saj, përfshirë kryeministrin, zv.kryeministrat, ministrat, zv.ministrat etj.
FSSHK pati organizuar protesta dhe grevë 1 ditore në fillim të këtij viti me kërkesat për rritje pagash. /Gazeta Shneta/