Nga Ferizaj për në Prishtinë e mori rrugën pacientja F.L për të kryer shërbimin e Pap Testit, pasi që mjeku e kishte udhëzuar për të kryer një kontrollë të tillë.
Ndonëse shumë pak kilometra e ndajnë spitalin regjional nga shtëpia e saj mungesa e shërbimit të PAP Testit në këtë spital e detyroi atë të marrë një rrugë më të largët.
Ajo thotë se me të shkuar në spitalin e Ferizajt, mjeku i ka treguar se shërbimin e PAP Testit nuk mund të marrë këtu pasi që spitalit i mungon Laboratori i Histopatologjisë dhe si pasojë e kësaj pacientet duhet të shkojnë në ndonjë laborator privat apo në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për të kryer PAP testin.
Sipas drejtorit të mjekësisë në këtë spital, Isa Berisha, hapësira infrastrukturore është problemi kyq për mos realizimin e Laboratorit të Histopatologjisë.
“Mungesa e hapësirës në spital na penalizon shumë për të kryer këtë shërbim”, thotë Berisha, përderisa potencon se një shërbim i tillë nuk është kryer asnjëherë në këtë spital.
Ai thekson se janë në bashkëpunimin me Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës dhe Ministrinë e Shëndetësisë, duke shtuar se pritet që përmes një donacioni nga Luksemburgu të diskutohet nëse mund të arrijnë të sigurojnë Laboratorin e Histopatologjisë në spitalin e Ferizajt. Berisha gjithashtu potencon se ShSKUK dhe MSh kanë parë për së afërmi hapësirat infrastrukturore të spitalit.
“Ka mbetë me diskutu dhe me na njoftu”, sqaron tutje ai për Gazetën Shneta.
Në anën tjetër, Gazeta Shneta ka telefonuar disa laboratore privat dhe çmimi për lexim të materialit pacienteve u kushton 10 deri në 20 euro.
Ofrimi i shërbimit të PAP Testit nuk është problem vetëm në spitalin rajonal të Ferizajt, mirëpo edhe në atë të Vushtrrisë.
Asnjëherë shërbimi i PAP Testit nuk është bërë në spitalin regjional “Sheikh Zayed” të Vushtrrisë. Pacientet duhet të shkojnë në spitalin e Mitrovicës për të kryer një shërbim të tillë apo në QKUK.
Nga spitali thonë se mungesa e infrastrukturës hapësinore dhe kuadrit profesional janë dy arsye të cilat kanë penguar në realizimin e këtij shërbimi.
“Fatkeqësisht në mungesë të këtyre dy elementeve kryesore akoma nuk kemi nisur realizimin e këtij lloji të analizave”, thotë U.D Shefkije Shatri për Gazetën Shneta, përderisa shpreson që të bëhet një zgjidhje.
Pak kilometra më larg, në spitalin e Mitrovicës, shërbimi i PAP testit bëhet.
Drejtoresha, Luljeta Zhubi, thotë se aktualisht është vetëm një patolog, ndonëse e cilëson si të pamjaftueshëm, ajo thekson se në spitalin të cilin ajo e drejton pas marrjes së materialit patologia gjithashtu e bënë edhe leximin kështu duke mos patur nevojë që pacientet të shkojnë në ndonjë laborator privat apo në QKUK.
Ndryshe nga spitali i Mitrovicës, në regjionin e Gjilanit, pacientet mund të kryejnë shërbimin e PAP testit por materiali duhet të dërgohet për lexim në një vend tjetër.
Edhe spitali i Gjilanit, i cili menaxhohet nga Arsim Emini, pritet që përmes donacionit nga Luksemburgu të arrijë të sigurojë Laboratorin e Histopatologjisë.
Ai thotë se në listën e spitalit janë të regjistruar tre patolog por për shkak të mungesë së laboratorit patologët punojnë në QKUK, ndërsa me të rregulluar laboratorin ai thotë se Ministria e Shëndetësisë pritet të vendos se cili prej tyre do të kthehet të punojë në spitalin e Gjilanit.
“Asnjëherë nuk e kemi pas laboratorin si pjesë e veçantë e spitalit. Pritet që punimet të përfundojnë më së largu në fund të prillit. Jemi tu e rregullu për herë të parë”, sqaron drejtori për Gazetën Shneta.
Edhe spitali në rajonin e Gjakovës e ka të njejtën problem, për shkak të mungesës së laboratorit materiali nuk mund të lexohet në spital.
Në anën tjetër, drejtori i spitalit të regjionit të Pejës, Skender Dreshaj, sqaron se PAP testi bëhet në spitalin të cilin ai e drejtori “Në spital lexohet. I kemi dy patolog”, thotë ai shkurtimisht.
Përderisa në shumicën e spitaleve rajonale shërbimi i PAP tesitit ende ka ngecje në spitalin e Prizrenit një problem i tillë është zgjidhur që nga vitit 2013, kohën kur spitalit i është shtuar Laboratori i Histopatologjisë.
Në fillim në shërbim të pacienteve ka qenë vetëm një patolog, ndërsa sot janë tre patolog.
“Në ditë kryhen pesë deri në shtatë PAP teste përfshirë pacientet e hospitalizuara dhe ambulantor si dhe pacientet e organizatës për parandalim të kancerit të qafës së mitrës”, thotë Safete Nishori, shefe e patologjisë në këtë spital në një intervistë për Gazetën Shneta.
Gazeta ka adresuar pyetje në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës në lidhje me shërbimet e PAP testet dhe ofrimin e Laboratorit të Histopatologjisë në spitalet rajonale por të njejtit nuk janë përgjigjur.
Sa është i rëndësishëm PAP testi për shëndetin e grave?
Kryerja e PAP testit varet nga mosha dhe aktivitetet seksuale të gruas.
PAP testi është procedure për të testuar ndryshimet canceroze të qafës së mitrës. Përfshin marrjen e qelizave prej qafës së mitrës, në siperfaqen e jashtme te saj, na kanalin e qafes së mitrës si dhe muret e sipërme të vaginës.
Mosha më e përshtatshme për kryerje të PAP testit, sipas studimeve, është 21 deri në 29 vjeç.
PAP testi duhet të bëhet çdo vit, në rast se për tre vite rezultati i PAP testit del negativ, atëherë pacientja duhet të bëjë PAP testin pas tre viteve.
Përmes PAP testit mjeku arrinë të identifikoj nëse pacientja është e prekur nga një infeksion apo sëmundje seksualisht të transmetueshme. /Gazeta Shneta/