Kur bëhet fjalë për shtatzëninë, strijat janë pothuajse të pashmangshme. Ato krijohen kur lëkura nuk arrin të përshtatet me ritmin e shtrirjes, si pasojë e rritjes apo zgjerimit të trupit.
“Strijat janë zgjatime të indit mbresë që formohen kur fijet elastike në shtresat e thella të lëkurës këputen,” shpjegon dermatologia Dr. Whitney Bowe për Baby Center, përcjell Gazeta Shneta. “Kjo i jep sipërfaqes së lëkurës një pamje të valëzuar.”
Disa gra arrijnë t’i shmangin strijat falë gjenetikës, por shumica synojnë t’i minimizojnë. Sipas Dr. Bowe, një nga mënyrat më të rëndësishme për ta bërë këtë është shmangia e steroideve, qoftë në formë orale apo topike, sidomos në zona si sqetullat, gjinjtë dhe pjesa e brendshme e kofshëve.
Një dietë e pasur me proteina është gjithashtu e dobishme, sepse ndihmon në prodhimin e kolagjenit dhe përmirësimin e elasticitetit të lëkurës. Trajtimet me kremra, vajra ose gjalp shea ndihmojnë duke e mbajtur lëkurën të hidratuar, duke e bërë atë më elastike.
“Sa më herët të filloni të kujdeseni për zonat e ndjeshme, aq më mirë do ta menaxhoni gjendjen”, thekson Dr. Bowe. /Gazeta Shneta/


