Gjithnjë e më shumë të rinj po u drejtohen chatbotëve të inteligjencës artificiale për këshilla lidhur me shëndetin mendor, sipas një studimi të ri të publikuar në revistën shkencore JAMA Pediatrics.
Studimi zbuloi se 19.2% e të rinjve amerikanë të moshës 12 deri në 21 vjeç kanë përdorur platforma si ChatGPT, Gemini, Character.AI ose Meta AI për të kërkuar ndihmë kur janë ndjerë të trishtuar, të stresuar, të shqetësuar apo të zemëruar.
Sipas hulumtimit, rreth dy të tretat e përdoruesve (63%) nuk i kanë treguar askujt se po përdorin inteligjencën artificiale për këshilla mbi shëndetin mendor, ndërsa 43% thanë se e bëjnë këtë të paktën një herë në muaj.
Një pjesë e madhe e pjesëmarrësve në studim, 92%, deklaruan se këshillat e marra nga chatbotët ishin disi ose shumë të dobishme.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se këshillat janë gjithmonë të sakta apo të përshtatshme.
“Shpejtësia e rritjes së përdorimit të këtyre mjeteve është e habitshme, por po aq shqetësues është fakti se shumica e të rinjve nuk i tregojnë askujt se po i përdorin ato për çështje të shëndetit mendor”, tha Ryan McBain, autor kryesor i studimit.
Ekspertët rekomandojnë që prindërit, mësuesit dhe profesionistët e shëndetit mendor të diskutojnë hapur me të rinjtë për përdorimin e inteligjencës artificiale dhe kufijtë e saj, duke theksuar se këto mjete nuk mund të zëvendësojnë ndihmën profesionale kur ajo është e nevojshme.
Studimi u bazua në një anketë kombëtare me 1,009 adoleshentë dhe të rinj, e realizuar në fund të vitit 2025.


