Edhe pse pandemia e COVID-19 nuk shkaktoi largimin masiv të infermierëve nga profesioni, një studim i ri tregon se numri i infermierëve që ndryshuan vendin e tyre kryesor të punës pothuajse u dyfishua në vitet pas pandemisë.
Hulumtimi i realizuar nga Universiteti i Miçiganit dhe i publikuar në revistën Medical Care zbulon se përqindja e infermierëve të regjistruar që lanë vendin e tyre kryesor të punës u rrit nga 13 për qind në vitin 2018 në 24 për qind në vitin 2022, shkruan Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se kjo nuk do të thotë se infermierët kanë braktisur profesionin. Shumë prej tyre kanë kaluar në institucione të tjera shëndetësore, kanë ndryshuar fushën e punës, kanë reduktuar orarin ose janë angazhuar si infermierë udhëtues.
Studimi analizoi të dhënat e më shumë se 99 mijë infermierëve të regjistruar në Shtetet e Bashkuara dhe zbuloi se fuqia e përgjithshme punëtore në infermieri madje është rritur gjatë kësaj periudhe, nga 3.27 milionë në 3.57 milionë infermierë.
Sipas autores kryesore të studimit, Charlotte Ahr, ndryshimet në punësim nuk lidhen drejtpërdrejt me numrin e rasteve të COVID-19 në shtete të ndryshme, por me problemet e vazhdueshme në ambientin e punës.
“Faktorët që u përmendën më shpesh nga infermierët ishin mjedisi stresues i punës, lodhja profesionale (burnout), mungesa e stafit dhe menaxhimi jo i mirë”, tha Ahr.
Studiuesit konstatuan se këto shqetësime ishin të pranishme edhe para pandemisë, por u bënë edhe më të theksuara pas vitit 2020, veçanërisht në spitalet dhe institucionet e kujdesit afatgjatë.
Një tjetër gjetje e rëndësishme ishte zhvendosja e infermierëve drejt shërbimeve ambulatore. Përqindja e infermierëve që punojnë me orar të plotë në këto institucione u rrit nga 32.7 për qind në vitin 2018 në 34.9 për qind në vitin 2022.
Në të njëjtën kohë, u shënua rënie e numrit të infermierëve në repartet spitalore, institucionet e kujdesit afatgjatë dhe pozitat jo-klinike.
Autorët e studimit vlerësojnë se rezultatet tregojnë se pandemia nuk e rrënoi fuqinë punëtore të infermierëve, por nxori në pah problemet ekzistuese të kushteve të punës, të cilat vazhdojnë të ndikojnë në lëvizjen e stafit shëndetësor nga një vend pune në tjetrin.
Sipas tyre, përmirësimi i kushteve të punës, shtimi i stafit dhe adresimi i lodhjes profesionale mbeten faktorë kyç për ruajtjen e infermierëve në sistemin shëndetësor.


