Sipas një studimi të fundit, një në tre fëmijë vuan nga miopia, ose siç quhet ndryshe shikimi i paqartë në distancë.
Ky shqetësim global po rritet me shpejtësi, dhe deri në vitin 2050 pritet që miliona fëmijë të tjerë të preken nga ky problem. Ndikimi negativ i pandemisë Covid-19 është evident, pasi fëmijët kanë kaluar shumë kohë përpara ekranit, duke kontribuar në përkeqësimin e shikimit të tyre, shkruan BBC, transmeton Gazeta Shneta.
Studimi, i publikuar në “British Journal of Ophthalmology”, shqyrtoi kërkimet që përfshinin më shumë se 5 milionë fëmijë dhe adoleshentë nga 50 vende në të gjashtë kontinentet. Të dhënat tregojnë se norma më e lartë e miopisë është vërejtur në Azi, me 85% të fëmijëve në Japoni dhe 73% në Korenë e Jugut që vuajnë nga ky problem. Po ashtu, 40% e fëmijëve në Kinë dhe Rusi mbajnë syze për miopi.
Megjithatë, nivelet më të ulëta të këtij problemi janë raportuar në Mbretërinë e Bashkuar, Irlandë, Paraguai dhe Uganda. Nga viti 1990 deri në vitin 2023, miopia është rritur me 36%, duke ngjallur shqetësime për shëndetin e syve të fëmijëve.
Faktorët që ndikojnë në rrezikun e miopisë përfshijnë gjenetikën, pasi fëmijët mund ta trashëgojnë këtë gjendje nga prindërit e tyre. Megjithatë, shumë shpesh ky problem lidhet me ekspozimin ndaj ekraneve të telefonave, kompjuterëve dhe televizorëve.
Shenjat e miopisë përfshijnë:
– Vështirësi në leximin e fjalëve nga larg, si p.sh. leximi i tabelës së bardhë në shkollë.
– Ulur pranë televizorit ose kompjuterit, ose duke mbajtur një celular ose tablet shumë pranë fytyrës.
– Dhimbje koke.
– Fërkim i shpeshtë i syve.
Ekspertët bëjnë thirrje për ndërgjegjësim dhe masa parandaluese për të luftuar këtë krizë shëndetësore në rritje dhe për të siguruar shikimin e shëndetshëm të fëmijëve./Gazeta Shneta/


