Përdorimi i alkoolit, duhanit, marihuanës dhe substancave të tjera gjatë shtatzënisë mund të dëmtojë seriozisht zhvillimin e fetusit, edhe kur rreziqet nuk janë gjithmonë të dukshme, paralajmëron një psikiatre nga Universiteti i Virxhinias Perëndimore.
Sipas Dr. Aliana Abascal nga Departamenti i Mjekësisë së Sjelljes dhe Psikiatrisë, shumë substanca që shpesh perceptohen gabimisht si të padëmshme, si marihuana, mund të kenë pasoja të rënda për fetusin. Ajo thekson se nikotina, jo vetëm në cigare por edhe në cigare elektronike, ndikon negativisht në zhvillimin e fetusit. Po ashtu, alkooli, metamfetamina dhe heroina paraqesin rrezik të lartë, shkruan Health Day transmeton Gazeta Shneta.
Sipas Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), gati 14% e grave në SHBA raportojnë konsum të alkoolit gjatë shtatzënisë, rreth 8% përdorin substanca të paligjshme, ndërsa 7% përdorin duhan. Në disa rajone, si Virxhinia Perëndimore, kjo shifër e përdorimit të duhanit arrin deri në 25%.
Studimet tregojnë gjithashtu se vdekjet nga mbidoza tek gratë shtatzëna në SHBA janë trefishuar midis viteve 2018 dhe 2021.
Ekspertët theksojnë se përdorimi i substancave gjatë shtatzënisë mund të shkaktojë abort spontan, vdekje të fetusit, defekte të lindjes, probleme në rritje, lindje të parakohshme dhe komplikime shëndetësore për nënën dhe foshnjën. Gjithashtu rrit rrezikun për çrregullime afatgjata neurozhvillimore, përfshirë paaftësi intelektuale.
Disa substanca kanë ndikime specifike: nikotina dhe kokaina rrisin rrezikun e abortit, ndërsa alkooli mund të dëmtojë sistemin nervor qendror duke shkaktuar sindromën e alkoolit fetal, një gjendje e përhershme.
Abascal thekson se ndërhyrjet e hershme mjekësore dhe mbështetja psikologjike janë thelbësore për fëmijët e ekspozuar ndaj substancave gjatë shtatzënisë, ndërsa trajtimi i varësisë mund të përfshijë edhe terapi zëvendësuese, si nikotina terapeutike, e cila ka rreziqe më të ulëta sesa pirja e cigareve. /Gazeta Shneta/


