Një studim i ri ka zbuluar se truri i burrave tkurret më shpejt se ai i grave me kalimin e moshës – megjithatë, gratë vazhdojnë të diagnostikohen më shpesh me sëmundjen Alzheimer.
Hulumtimi, i publikuar në Proceedings of the National Academy of Sciences, analizoi mbi 12 mijë skanime truri nga rreth 5 mijë persona të shëndetshëm të moshës 17 deri në 95 vjeç, shkruan Euronews transmeton Gazeta Shneta.
Rezultatet treguan se zonat e trurit që lidhen me kujtesën dhe lëvizjen tkurren më shpejt tek burrat, ndërsa gratë shfaqin ndryshime më të lehta strukturore.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se kjo nuk është arsyeja pse gratë preken më shpesh nga Alzheimeri. Faktorët kryesorë që lidhen me këtë sëmundje përfshijnë ndryshimet hormonale pas menopauzës, dallimet gjenetike dhe jetëgjatësinë më të madhe të grave, pasi më shumë gra arrijnë moshat kur rreziku për Alzheimer rritet.
“Ndryshimet në strukturën e trurit nuk mjaftojnë për të shpjeguar pse Alzheimeri është më i zakonshëm tek gratë,” theksojnë autorët e studimit.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 57 milionë persona në botë jetojnë me demencë, ndërsa Alzheimeri është gati dy herë më i përhapur tek gratë sesa tek burrat.


