Mijëra të sapolindur të sëmurë duhet të dërgohen në shtëpi me nënat e tyre, në vend të kujdesit të veçantë, thotë një raport i publikuar sot.
Kontakti lëkurë-me-lëkurë i nënës me foshnjën është i rëndësishëm brenda disa orëve të para të lindjes, pasi kjo ndihmon në rregullimin e frymëmarrjes, rrahjeve të zemrës dhe temperaturës së foshnjës, shkruan DailyMail, transmeton Gazeta Shneta.
Raporti i NHS Improvement sugjeron mjekët që të lejojnë nënat të qëndrojnë me të sapolindurit kudo që të jetë e mundur, në shtëpi apo në spital.
Këto rekomandime nuk vlejnë edhe për të lindurit para kohe.
Sugjerimet janë për foshnjat që lindin në mes të javës së 37 dhe 40, me verdhëz, sheqer të ulët në gjak apo probleme me frymëmarrje.
Rreth 90 mijë bebe janë trajtuar për këto probleme që nga viti 2011 dhe numri i tyre është rritur për 24 për qind.
Lëkurë-me-lëkurë nënkupton vendosjen e bebes mbi trupin e nënës dhe mbulimin e kokës së fëmijës për t’ia mbajtur ngrohtë.
Nëna lëshon një hormon qetësues i njohur si ‘oksytocin’, e cila supozohet të rregullojë frymëmarrjen e foshnjës, rrahjet e zemrës dhe temperaturën.
Birte Harlev-Lam, drejtoresh e maternitetit në NHS Improvement thotë se për nënat është shumë e rëndësishme që t’i kenë pranë foshnjat e tyre pas lindjes.
“Ky moment ka rëndësi jetike poashtu për shëndetin dhe zhvillimin e fëmijës”.
“Kur një fëmijë ka nevojë për kujdes shtesë menjëherë pas lindjes, ndarja nga nëna shkakton stres për të dhe për foshnjën e cila gjithashtu mund të ndikojë në aftësinë e fëmijës për t’i dhënë gji ose për t’ia rregulluar temperaturën e saj”, deklaron Harlev-Lam.
Edhe shefja ekzekutive e Kolegjit Mbretëror të mamive, Cathy Warwick, thotë se duhet të reduktohen pranimet e panevojshme në kujdesin intensiv.
“Nënat dhe bebet nuk duhet të ndahen përveç kur kjo është absolutisht e nevojshme”.
“Kjo nuk është e rëndësishme vetëm për aspektin e përvojës së nënës, por edhe për shëndetin afatgjatë dhe mirëqenien e fëmijës së saj”, ka deklaruar Warwick. /Gazeta Shneta/