Një antibiotik i sapomiratuar për trajtimin e infeksioneve të traktit urinar po tregon rezultate premtuese edhe kundër gonorresë rezistente ndaj barnave, sipas një studimi të ri ndërkombëtar.
Medikamenti, i quajtur gepotidacin, është trajtimi i parë i ri për gonorrenë që nga vitet 1990. Në një studim me mbi 600 pjesëmarrës, tregoi efektivitet të ngjashëm me terapitë standarde, duke u konfirmuar si një alternativë e mundshme, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Studiuesit raportuan në revistën “The Lancet”, se gepotidacina ka një profil sigurie dhe tolerueshmërie të pranueshëm, duke e bërë atë një opsion të rëndësishëm për të ardhmen.
Gepotidacina vepron duke penguar shumëzimin e baktereve. Në mars, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) e miratoi për trajtimin e infeksioneve urinare tek gratë mbi 12 vjeç. Rritja e infeksioneve të traktit urinar rezistente ndaj antibiotikëve e ka bërë të domosdoshëm zhvillimin e trajtimeve të reja, dhe ky ilaç shihet si një hap përpara.
Studimi i fundit shqyrtoi përdorimin e tij kundër gonorresë, një infeksion seksualisht i transmetueshëm që po bëhet gjithnjë e më i vështirë për t’u trajtuar.
Pjesëmarrësit ishin nga SHBA, Australia, Gjermania, Meksika, Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar. Gjysma mori dy doza orale të gepotidacinës, ndërsa gjysma tjetër mori trajtimin standard me ceftriaksonë dhe azitromicinë.
Rezultatet ishin të krahasueshme: 92.6% e pacientëve në grupin me gepotidacin u shëruan, krahasuar me 91.2% në grupin me terapinë tradicionale. Ky zbulim e pozicionon gepotidacinën si një opsion të fortë në luftën kundër infeksioneve rezistente ndaj antibiotikëve. /Gazeta Shneta/


