Të moshuarit me hipertension të patrajtuar kanë 36% më shumë gjasa të zhvillojnë morbusin e Alzheimerit, krahasuar me ata pa hipertension, dhe 42% më shumë rrezik krahasuar me ata që marrin medikamente antihipertensive. Ky përfundim vjen nga një studim i fundit, që përfshiu të dhënat e 31,250 individëve të moshës 60 vjeç e lart.
Studiuesit analizuan të dhënat nga 14 studime të ndryshme, me pjesëmarrës të moshës mesatare 72.1 vjeç. Nga këta, 35.9% nuk kishin hipertension dhe nuk merrnin trajtim, 50.7% kishin hipertension dhe trajtoheshin, ndërsa 9.4% vuanin nga hipertensioni, por nuk ishin të trajtuar, shkruan CNN, transmeton Gazeta Shneta.
Gjithsej, 1,415 pjesëmarrës zhvilluan morbusin e Alzheimerit, ndërsa 681 zhvilluan forma të tjera të demencës. Ata me hipertension të patrajtuar kishin një rrezik të shtuar për Alzheimer, ndërsa trajtimi i hipertensionit dukej se reduktonte këtë rrezik në nivele të ngjashme me ata që nuk kishin hipertension.
“Këto rezultate sugjerojnë që trajtimi i hipertensionit me kalimin e moshës mbetet një faktor kyç për reduktimin e rrezikut të Alzheimerit,” tha autori kryesor i studimit, Matthew J. Lennon.
Ky studim thekson rëndësinë e monitorimit dhe trajtimit të hipertensionit për të moshuarit, si një masë parandalimi për sëmundjet neurodegjenerative./Gazeta Shneta/


