Një studim i ri në Shtetet e Bashkuara ka zbuluar mbi 600 lidhje mes endometriozës dhe problemeve të tjera shëndetësore, duke përforcuar idenë se kjo sëmundje nuk prek vetëm sistemin riprodhues, por gjithë organizmin.
Endometrioza është një sëmundje e dhimbshme që prek rreth një në dhjetë gra në mbarë botën. Megjithëse është e përhapur, kjo gjendje shpesh diagnostikohet me vonesë dhe opsionet e trajtimit mbeten të kufizuara, shkruan Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Studiuesit nga Universiteti i Kalifornisë në San Francisko (UCSF) analizuan mbi 43 mijë dosje mjekësore nga gjashtë qendra shëndetësore, duke përdorur algoritme të zhvilluara posaçërisht për këtë projekt.
Ata identifikuan lidhje mes endometriozës dhe sëmundjeve të tjera, si migrena, astma, sëmundjet autoimune, sëmundjet e syve dhe disa lloje të kancerit.
“Disa lidhje ishin të pritshme, si infertiliteti apo sëmundjet autoimune, por pati edhe befasi, si kanceret apo sëmundjet e syve”, tha Umair Khan, një nga autorët e studimit.
Dr. Linda Giudice theksoi rëndësinë e këtyre të dhënave, duke deklaruar se: “Këto janë të dhënat që na duhen për të përparuar. Diagnostikimi dhe trajtimi i endometriozës nuk ka ndryshuar për dekada.”
Sipas saj, ndikimi i sëmundjes në jetën e pacienteve është i madh – nga marrëdhëniet personale, te aftësia për të mbajtur një punë, për të krijuar familje dhe për të ruajtur shëndetin mendor.
Trajtimet aktuale përfshijnë terapi hormonale ose kirurgji, por asnjëra nuk garanton lehtësim të plotë dhe shpesh shoqërohen me efekte anësore.
Studiuesit shpresojnë se këto gjetje do të ndihmojnë në diagnostikim më të shpejtë dhe në trajtim më të saktë të kësaj sëmundjeje, e cila ende nuk është kuptuar plotësisht. /Gazeta Shneta/


