Suedia pezullon përkohësisht vaksinën anti covid Johnson&Johnson, njofton Agjencia e Shëndetit Publik të Suedisë.
Sipas agjencisë, vendi është në pritje të një hetimi nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) shkruan CNN, transmeton Gazeta Shneta.
“Tani jemi në pritje të hetimit nga EMA dhe gjithashtu informacione nga ShBA-ja, para se të mund të marrim një qëndrim mbi rekomandimet për vaksinën Janssen.Deri atëherë, rekomandimi është që të mos përdoren dozat e vaksinave”, tha epidemiologu Anders Tegnell.
Sipas deklaratës, Suedia ka pranuar deri më tani 31 mijë doza, megjithatë asnjëra nga ato nuk është administruar.
Në një njoftim për media, EMA tha se “mbetet të konkludohet se përfitimet e vaksinës në parandalimin e Covid-19 tejkalon rreziqet e efekteve anësore”.
EMA, e cila është përgjegjëse për verifikimin e sigurisë së vaksinave për Bashkimin Evropian, gjithashtu shtoi se ata ende janë në proces e sipër të vlerësimit të rasteve shumë të rralla nga mpiksja e gjakut, si pasojë e vaksinës Johnson&Johnson.
Gjatë ditës së djeshme, Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) dhe Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka rekomanduar që Shtetet e Bashkuara të ndërpresin përdorimin e vaksinën Johnson&Johnson, pasi gjashtë raste janë raportuar si pasojë e mpiksjes së gjakut./GazetaShneta/