Gjinekologu Vaxhid Thaqi u arrestua në Spitalin e Gjilanit pas vdekjes së një foshnje.
Bashkëshorti i pacientes, I.L. ka thënë se gruaja e tij i kishte kryer të gjitha kontrollat tek gjinekologu Thaqi. Sipas tij mjeku iu kishte thënë se fëmija është shumë mirë me të gjithë parametrat.
“Në kontrollën e fundit, ka thënë se një pjesë e fëmijës ka nis me u pjekë para kohës dhe na ka dhënë udhëzimin me shku në spital me i bë kontrollat etj, për me kqyrë fëmijën sa është t’u lëvizë….Nga data 1 maj gruaja ka bë kontrolla nonstop në Gjilan, në mëngjes u kontrollu ka thënë mirë është edhe çdo javë kur më çojke në Gjilan, më thojke duhet me u kry (lindja), javën tjetër, kur shkojsha javën tjetër mendojsha që duhet me u operu. Se edhe pat thënë se duhet me u operu se e ka pak problem, se s’ka as dhimbje. Por ai e shtyjke çdo javë, unë nuk e disha arsyen. Hajt edhe një javë, hajt edhe një javë. Ka shku koha nga data 1 maj deri më 21”, ka rrëfyer ai për Gazetën Express.
I.L. thotë se në ditën kritike më 21 maj ka shkuar për kontroll në ora 8:00 të mëngjesit dhe sipas tij mjeku i kishte thënë se operacioni cezarian duhet të kryhet sot.
Operacioni ishte caktuar në ora 13:00, por ishte shtyrë deri në ora 16:00 pasi pacientja kishte ngrënë ushqim.
““U hi me u operu, kemi prit në koridor ne familjarët, masi ka vazhdu nja 30 minuta u dalë tha jo s’po pranojnë se e paska ngrënë një kifle në mëngjes ka u ardhë, edhe s’e kanë fut në operacion i kanë thënë me shty deri në orën 16:00. Ne pranuam, po gjatë kohës sa ka nejt, as nuk e kanë kontrollu qysh është gjendja e gruas. Në orën 16:00 u hi gruaja, s’ka vonu as 10-15 minuta, doli doktori as s’ka lajmëru as kurgjë, veç ma ka bo me dorë, zotëri tha shtyhet për ora 19:00. As su ndal”.
“Kur u kthy për herë të dytë i thash doktor s’po e kuptoj pse kjo vonesë, e neglizhencë kaq e madhe, po na neglizhoni prej ores 8 të mengjesit, më tha: Ai pse ke lanë keq najsend në shtëpi a? Thash unë po bëhem merak për grunë, tha është mungesë të anestezionit, për me pi gruan për me hy në opearcion…Në ora 19:00 se kanë fut në operacion, po rreth orës 19:35. Operacioni i gruas ka zgjatë më shumë sesa që duhet rreth 40 minuta. I dëgjojsha edhe doktoreshat përreth duke thënë qysh hala s’u kry a, tjerave jau jepshin shumë shpejt lajmin, a mua diku 35-40 minuta u vonu, derisa më ka thënë se fëmija nuk është në jetë”, ka deklaruar burri.
Më pas familjarët e kishin ftuar Policinë e Kosovës për ta raportuar rastin me dyshimet për neglizhencë nga mjeku, i cili në orët e vona të asaj dite ishte arrestuar. Gjykata më pas e la gjinekologun në arrest shtëpiak për 30 ditë. /Gazeta Shneta/