Vetëvrasja është një çështje kolektive dhe jo individuale; si e tillë është urgjente ndërhyrja e shtetit në të gjitha politikat.
Albani*, 38-vjeç nga Prishtina, nuk e mbante mend saktë vitin kur bota përreth tij filloi të lëkundej dhe të ndryshonte. Ai shihte gjëra që të tjerët nuk i shihnin, dëgjonte zëra që nuk ekzistonin dhe shpesh e gjente veten në biseda me njerëz që mendja e tij i krijonte dhe i sillte vërdallë.
Kakofonia e mendimeve, pushtonte çdo cep të tij. Shpesh kufiri mes pamjes reale dhe asaj imagjinare i bëhej i paqartë. Ndonjëherë ndjente se dikush tjetër po e komandonte, duke e bërë çdo hap më të pasigurt.
Paranoja dhe mëdyshjet e thella u bënë pjesë e rutinës. Ai filloi të dyshonte tek njerëzit e afërt rreth vetes, të cilët i ndiente si lloj kërcënimi. E perceptimet e shtrembëruara, e futën drejt një udhe të rrezikshme. Mbërthyer nga shtytjet e brendshme që nuk e linin të qetë, Albani kishte tentuar më parë të shpëtonte nga vetja e tij.
Falë ndërhyrjes së familjes dhe mjekëve, u kuptua se vuajtjet e tij ishin pasojë e gjendjes së skizofrenisë. Ky çrregullim psikotik ndërpret kontaktin me realitetin dhe sjell halucinacione, bindje të gabuara dhe çrregullime në të menduarit dhe sjellje.
Sipas Shoqatës Amerikane të Psikiatrisë, prania e një sëmundje mendore të diagnostikuar, veçanërisht çrregullimet psikotike si skizofrenia, lidhet me një rrezik të shtuar për kriza emocionale dhe tentativa për vetëvrasje, veçanërisht në rastet kur simptomat nuk menaxhohen në mënyrë të vazhdueshme dhe profesionale.
Ndërkohë, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh), vetëvrasja (suicidi) përbën një problem të rëndësishëm të shëndetit publik dhe çdo vit si fenomen prek rreth 700,000 jetëra në mbarë botën.
Për të ardhur deri tek ky proces, OBSh liston tre hapa të manifestimit të ndryshimeve të sjelljes, duke filluar nga mendimet për vetëvrasje (ideacioni), planet dhe tentativa si dhe aktin e fundit final. Sipas këtij trupi shëndetësor, disa kategori të popullsisë janë më të ndjeshme ndaj rrezikut për vetëvrasje për shkak të ndërthurjes së faktorëve psikologjikë, socialë dhe shëndetësorë.
Faton Kutllovci, drejtor i Klinikës së Psikiatrisë së QKUK-së, thotë se po rritet numri i qytetarëve që po kërkojnë ndihmë për probleme të shëndetit mendor, dhe sipas tij, shkaku kryesor që po i çon njerëzit drejt vetëvrasjes janë problemet të natyrës depresive dhe psikotike.
“Si profesionist, unë i referohem çrregullimeve psikike që mund të çojnë drejt vetëvrasjes. Prevalenca e çrregullimeve të tilla si depresioni dhe çrregullimet psikotike zakonisht është rreth 1–2% e popullatës. Këto gjendje përbëjnë faktorë të rëndësishëm rreziku të cilët ndihmojnë në shpjegimin e rritjes së rasteve të raportuara”, thotë ai.
Ndërkohë, neuropsikiatri Sami Rexhepi, thotë se shkaqet më të shpeshta që mund të sjellin tek vetëvrasja dhe tentative vetëvrasjet janë ato të natyrës patologjike si depresioni madhor, skizofrenia, çrregullime kompulsive, si dhe çrregullimet të personalitetit kufitar. “Shpesh, edhe ankthi mund të çojë deri të mendimet apo tentimet për vetëvrasje. Ka edhe raste kur dikush tenton vetëvrasjen vetëm për të tërhequr vëmendjen e të tjerëve, por ndonjëherë këto tentativa përfundojnë tragjikisht”, thotë ai.
Teksa Aliriza Arënliu, ekspert i lartë i psikologjisë, tregon se fenomeni i vetëvrasjes shpjegohet sipas teorisë biopsikosociale që vie si rezultat i ndërveprimit të faktorëve biologjikë, psikologjikë dhe socialë.
Sipas Arënliut, faktorët biologjikë lidhen me natyrën e individit, si predispozita gjenetike ose çrregullime mendore që rrisin rrezikun për vetëvrasje. Pastaj, faktorët psikologjikë përfshijnë mendimet për vetëvrasje dhe çrregullimet emocionale që mund të nxisin ideacionin vetëvrasës. Teksa janë edhe faktorët socialë që lidhen me mjedisin, si bullizimi, ngacmimi tek adoleshentët, izolimi social dhe problemet ekonomike, të cilat mund të shkaktojnë ose të përkeqësojnë problemet psikologjike dhe të rrisin rrezikun për vetëvrasje.
“Predikuesi më i mirë i vetëvrasjes janë tentativat e më hershme”, thotë Arëliu.
Në mbi 80% të rasteve të vetëvrasjeve në Kosovë janë identifikuar shkaktarë të natyrës sociale që ndikojnë në këtë fenomen, si papunësia e lartë (44.9%), të ardhurat e ulëta, buxheti i pamjaftueshëm për shëndetin mendor, borxhet, dhuna në familje dhe trauma e luftës, ndër të tjera. Këto të dhëna bazohen në një studim të publikuar në prill të vitit 2020 në revistën “European Psychiatry”, i cili analizon 270 raste vetëvrasjeje të regjistruara në Kosovë gjatë periudhës 2008–2012.
Rreth statistikave të deritanishme, sipas një raporti të lëshuar nga Policia e Kosovës (PK) për BIRN Kosova, nga viti 1999 deri në vitin 2025 në vend janë shënuar rreth 998 raste të vetëvrasjes dhe 3,951 tentativa për vetëvrasje.
Ndërkohë, bazuar në një raport të Ministrisë së Shëndetësisë (MSh) të vitit 2022, i cili mbështetet njëjtë, në të dhënat e policisë, për periudhën 2001–2021, janë regjistruar gjithsej 1,084 raste të vetëvrasjes dhe 4,052 tentativa.
Kjo diskrepancë ndërmjet të dhënave në të dy raportet, vie si pasojë e mungesës së digjitalizimit të një databaze kryesore dhe mosregjistrimit të rasteve në një qendër të vetme të specializuar në nivel qendror për numrin e vetëvrasjeve, thotë Arsim Gërxhaliu, ekspert i mjekësisë ligjore. Megjithatë, numra të plotë dhe të detajuar, përfshirë ndarjen sipas grupmoshave, nuk janë të disponueshme as nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).
Një faktor kontributdhënës tjetër në mbledhjen e statistikave, etiologjinë dhe përcaktimin e natyrës së vetëvrasjes është kryerja e autopsisë. Kjo e fundit ndihmon në përcaktimin e shkakut dhe mënyrën e vdekjes së rasteve të dyshimta. “Autopsia gjithashtu shmang gabimet në klasifikimin e rasteve”, thotë Gërxhaliu.
Për më tepër, sipas tij, autopsia ndihmon të eliminohen ndikimet e paragjykimeve, pasi familjarët ndonjëherë hezitojnë ta pranojnë një vetëvrasje për shkak të stigmatizimit. Në mungesë të një pasqyre të qartë statistikore mbi vetëvrasjet, ekzistojnë raste të cilat, për arsye fetare dhe shoqërore, nuk raportohen në organet gjegjëse.
Shërbimet komunitare të shëndetit mendor nën presion
Pas një episodi të rëndë të krizës psikike, kanë kaluar më shumë se 15 vite qëkur Albani është marrës i rregullt i shërbimeve psikiatrike, psikologjike dhe psiko-sociale në Qendrën e Shëndetit Mendor (QSHM) në kryeqytet. Përveç kësaj, ai merr pjesë rregullisht në aktivitetet grupore terapeutike të cilat i zhvillojnë psikologët ose këshilltarja psikosociale, së bashku me dhjetë persona të tjerë. Ai e vlerëson shumë punën grupore, si diçka që i ka ndihmuar të çlodhet dhe ta marr veten më mirë. Apo siç thotë dhe vet: “Këtu, mëson prej të tjerëve dhe secili ka përvoja të ndryshme”.

Me disa prej tyre, Albani ruan shoqërinë edhe jashtë qendrës, duke u takuar deri tri herë brenda javës për kafen e mesditës në kryeqytet. Ndërkohë, nga vendi ku jeton, ai rregullisht përdor transportin publik për të shkuar drejt QSHM-së dhe anasjelltas. Teksa, kur kthehet në shtëpi, ai tregon se jeton me nënën e tij 68-vjeçe, të cilën e ndihmon duke ia lehtësuar punët ditore dhe duke u kujdesur vetë për blerjet ushqimore.
“Kam lindur me këtë çrregullim, kështu m’ kanë thanë mjekët,” thotë ai. “Sot,” vazhdon Albani, “mësoj hala qysh me ecë para. Nuk është e lehtë, por më pëlqen të kuptoj se çka po ndodh brenda mendjes dhe trupit tim.”
Megjithatë, më shumë se çdo gjë tjetër, ajo që Albani dëshiron dhe që e mban si një peng është mundësia për një vend pune. “Krejt çka më mungon është një punë e lehtë gjatë ditës,” thotë ai. Më herët, ai ka punuar në ndërrimin e natës në shtypshkronjën e një gazete vendore. Megjithatë cikli i përkeqësuar i gjumit e rëndoi gjendjen e tij, ndaj u detyrua të largohej prej saj, përfundimisht, para vitit 2010.
Si Albani, shumë individë të tjerë që vizitojnë QSHM-të e Kosovës janë të aftë për punë dhe funksionalë në përditshmëri, sipas vlerësimeve të stafit.
Ndërkohë, QSHM të cilën e viziton Albani, gjithashtu është pjesë e një modelit të rekomanduar nga OBSh-ja për mënyrën e ofrimit të shërbimeve të shëndetit mendor në komunitet.
Në Kosovë, këto shërbime përveç QSHM-së ofrohen edhe nga Shtëpitë Integruese për Bashkësi (ShIB). Qasja e lehtë dhe afërsia me vendbanimet e përdoruesve janë elemente kyçe të këtij modeli, pasi ndihmojnë në reduktimin e izolimit dhe stigmatizimit që shpesh shoqërojnë problematikat e çështjes së shëndetit mendor.
Përveç trajtimit mjekësor, këto qendra dhe shtëpi integruese supozohet të luajnë një rol të rëndësishëm në riintegrimin dhe risocializimin e individëve brenda komunitetit, duke reduktuar nevojën për hospitalizime të gjata. Megjithatë, këto objektiva të lartpërmendura ende mbeten larg realizimit në praktikë.
Struktura e Shërbimeve të Shëndetit Mendor në Kosovë
Shërbimet e shëndetit mendor rregullohen sipas Ligjit për Shëndetin Mendor Nr. 05/L-025 dhe organizohen në tri nivele të kujdesit shëndetësor:
– Kujdesi shëndetësor parësor: Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), Qendrat e Mjekësisë Familjare (QMF) dhe Ambulancat e Mjekësisë Familjare (AMF), mjekët dhe infermierët ku identifikohen problemet dhe referohen në institucionet dytësore/tretësore.
– Kujdesi shëndetësor dytësor: Ky nivel monitorohet nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK) dhe përfshin Departamentet e Psikiatrisë në kuadër të Spitaleve të Përgjithshme; Qendrat e Shëndetit Mendor (QSHM), Shtëpitë me Integrim në Bashkësi (SHIB), Qendra Integruese, Rehabilituese e të Sëmurëve Kronikë Psikiatrikë në Shtime (QIRSKP). Këtu ofrohen shërbime si trajtimi me medikamente, vizita shtëpiake, trajtime psikoterapeutike, rehabilitim dhe aktivitete të riintegrimit.
– Kujdesi shëndetësor tretësor: Klinika e Psikiatrisë (KP) në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Instituti i Psikiatrisë së Forenzikës së Kosovës (IPFK), Instituti për Trajtimin e Varësisë (i paraparë sipas ligjit, ende nuk është themeluar). Në këtë nivel të institucionit shëndetësor ofrohen shërbime psikologjike dhe psikiatrike, izolim i vetëm, vlerësim psikiatrik dhe konsultim për gjykata, prokurorinë, policinë dhe njësitë rajonale.
Në Kosovë, shërbimet komunitare dhe rezidenciale të shëndetit mendor ofrohen përmes nëntë (9) QSHM dhe nëntë (9) SHiB. Këto institucionet, nuk janë të shtrira në të gjitha qytetet e Kosovës, sipas rekomandimeve të OBSH-së.
Në regjionin e Prishtinës përfshihen QSHM në Prishtinë dhe Podujevë dhe ShIB në Fushë Kosovë dhe Drenas. Në regjionin e Mitrovicës hyn QSHM në Mitrovicë dhe Skenderaj si dhe dy ShIB.
Teksa, regjionet e Prizrenit, Pejës, Ferizajt, Gjakovës dhe Gjilanit secili ka një QSHM dhe një ShIB. Përveç këtyre, ekziston edhe Qendra Integruese, Rehabilituese e të Sëmurëve Kronikë Psikiatrikë (QIRSKP) në Shtime, një institucion i veçantë psikiatrik që ofron trajtim afatgjatë rezidencial për klientët me çrregullime të rënda mendore.
Ndërkohë, QSHM-ja në Prishtinë ofron shërbime ditore të shëndetit mendor për pacientët me çrregullime psikiatrike kronike dhe çrregullime të tjera mendore. Kjo qendër, funksionon pesë ditë në javë, nga ora 07:00 deri në 15:00, duke ofruar shërbime psikiatrike, psikologjike, sociale dhe psikoedukative, ku mund të përfshihen edhe familjarët dhe të afërmit. Ndërkohë, kjo qendër gjithashtu ka në funksion shërbimin e vizitave shtëpiake që nga viti 2003. Ky shërbim realizohet nga një ekip i përbërë nga psikiatri/ja, psikologu/ja, punëtori/rja social/e dhe infermieri/ja, të cilët janë në terren çdo ditë, sipas nevojës së pacientëve.
Dren Sejdiu, drejtor menaxhues i Qendrës së Shëndetit Mendor në Prishtinë, i ka thënë BIRN Kosovës se gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2025, kjo qendër ka ofruar rreth 1,800 shërbime shëndetësore. Me funksionim ditor, qendra pranon çdo ditë, nga 15-20 persona që marrin shërbime nga këshilltarët psikosocial dhe psikologët dhe zhvillojnë aktivitete grupore. Kjo qendër sipas Sejdiut, nuk ka kapacitet për më shumë persona në qëndrim ditor. Teksa, sipas Vjosa Berishës, psikologes klinike në QSHM e Prishtinë, brenda ditës një psikolog/e mund të punoj me katër klienta – jo më shumë, duke llogaritur seancën për 45-minuta.

Qendrat në tërësi të shëndetit mendor në Kosovë, aktualisht nuk e përmbushin as minimumin e kushteve të nevojshme për punë, thotë Rexhepi, njohës i politikave të shëndetit mendor dhe ish-drejtor i QSHM së Prishtinës. Kjo për pasojë, sipas tij, është e vështirë të arrihet cilësi në trajtim kur mungon hapësira e përshtatshme, sidomos kur në të njëjtën dhomë trajtohen persona me probleme të ndryshme si ata/ato me ankth, me depresion, me skizofreni apo me çrregullim bipolar.
“Numri i psikologëve nëpër qendrat e shëndetit mendor është shumë i vogël krahasuar me nevojat. Vetëm në Prishtinë, gjatë një periudhe, janë regjistruar rreth 1,600–1,800 kartela pacientësh që kanë marrë shërbime”, thotë Rexhepi, teksa tregon se duke marrë parasysh numrin e pacientëve në Prishtinë, plani ishte që kryeqyteti të kishte tre qendra të shëndetit mendor. “Sot hala kemi mbetë veç me nja”.
Në punën e ushtruar si neuropsikiatër me përvojë gjashtëmbëdhjetë vjeçare në QSHM e Prishtinës, Rexhepi që sot është në pension, thotë se ka qenë i kufizuar në shërbim të 15 pacientëve për vizita individuale, brenda një dite. “Rastet që kanë qenë më të freskëta ose më të “agjituara” i kam pranuar edhe çdo ditë për të mundësuar trajtim të menjëhershëm. Ndërsa për ata që kanë qenë në gjendje më të mirë, vizitat kanë qenë një herë në javë ose një herë në dy javë. Për pacientët që vijnë vetëm një herë në dy javë, është e vështirë të ofrosh një punë efektive”, thotë ai.
Kjo qendër përveç shërbimit ditor dhe shtëpiak, nën përgjegjësi ka edhe lëndët e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të pacientëve që marrin trajtim të detyrueshëm psikiatrik në liri. “Deri në muajin shtator, 66 raste jonë veç për 2025. Ky është numër në rritje”, thotë Sejdiu teksa tregon se në menaxhim të qendrës, kohëve të fundit, është caktur të jetë edhe si vend pritës i personave të riadhesuar nga vendet e jashtme, atyre të cilët kanë nevojë për shërbime të shëndetit mendor: “Dikund për 6 muajt e parë, kanë qenë 8 persona që i kemi ofruar shërbime”, thotë ai.
Të gjitha këto shërbime të ofruara nga QSHM në Prishtinë (së bashku me QSHM në Podujevë dhe dy shtëpive integruese), realizohen vetëm nga dy psikiatër, dy specializante të psikologjisë klinike, tre kryeinfermierë dhe nëntëmbëdhjetë infermierë, një ndihmës mjekësor, dy higjenistë, katër punëtorë sigurimi dhe një shofer.
Se kjo nuk i përgjigjet nevojave reale të marrësve të shërbimeve të shëndetit mendor, e pranon dhe drejtori Sejdiu. “Stafi është super i ngarkum dhe mundohet me i mbulu nevojat. Por më së shumti ka nevojë për infermierë dhe psikiatër”.
Mes tjerash, ky institucion mbulon nevojat e kryeqytetit me gjithë fshatrat, komunën e Obliqit, Fushë Kosovës, Lipjanit, Podujevën. “QSHM e Prishtinës me këto kapacitete kufizuese mundohet të mbuloj, 1/3 e territorit të Kosovës”, thotë Sejdiu.

Ndërkohë, disa institucione të shëndetit mendor kanë infrastrukturë mjaft të mangët dhe nuk ofrojnë kushte të përshtatshme as për pacientët, as për stafin profesional. Rasti konkret është me QSHM në Podujevë. Si pasojë e ndërrimit të lokacionit në Podujevë, qëndrimi ditor dhe trajtimet psiko-sociale nuk janë realizuar për më shumë se një vit, duke rrezikuar edhe konfidencialitetin e shërbimeve. Këto gjetje janë bërë publike në raportin e vitit 2025, nga Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP).
Ndërsa, institucionet si Klinika e Psikiatrisë nuk janë të pajisura me mjete mbrojtëse kundër zjarrit dhe stafi nuk është i trajnuar për të reaguar në raste emergjente. Këto gjetje u nxorën në pah, mes tjerash, nga hulumtimi i publikuar në tetor të vitit 2023 nga Qendra për Informim dhe Përmirësim Social (QIPS).
Përveç QSHM në Kosovë, rëndësi të madhe për shërbime komunitare janë dhe Shtëpitë me Integrim në Bashkësi (ShIB).
ShIB, hyn si njësi përbërse e QSHM, ku ekzistojnë gjithsej nëntë në total. ShIB ofrojnë strehim rezidencial dhe trajtim psiko-social 24 orë, për persona të diagnostikuar me F20 apo skizofreni paranoide.
Në të kundërt, personat me aftësi të kufizuara intelektuale, ata/ato që abuzojnë me substanca, si dhe personat mbi moshën 65 vjeçare, nuk pranohen. Po ashtu, klientët nën 18 vjeç përjashtohen nga pranimi, duke përcaktuar kështu një grupmoshë të lejuar nga 18 deri në 65 vjeç.
Kapaciteti i zakonshëm i një ShIB është për dhjetë banorë, të cilët qëndrojnë aty për një kohëzgjatje të caktuar, varësisht nga progresi i tyre. Edhe pse misioni i ShIB-ve është rehabilitimi dhe ri-integrimi në shoqëri i individëve, ky objektiv nuk realizohet gjithmonë. Procesi i lëshimit shpesh është i ndërlikuar, sepse familjet ndonjëherë nuk bashkëpunojnë, ose të afërmit nuk kanë kapacitete për të ofruar kujdes pas daljes nga ky institucion.
Rexhepi tregon se fillimisht, funksionimi i programit të rehabilitimit në shtëpitë integruese ishte menduar si 6+6 muaj. “Pas trajtimit fillestar, pacientët do të kalonin në një shtëpi integruese për rehabilitim, ku do të qëndronin 6 muaj dhe nëse kishte nevojë edhe plus 6 muaj të tjerë”, sqaron ai.
Megjithatë, shumë pacientë nuk kanë mundur t’i përmbahen këtij planit, për shkak të situatave të ndryshme – disa janë larguar nga rruga ose familja nuk ka mundur t’i mbështesë. Andaj, sipas tij, disa persona kanë qëndruar në rehabilitim deri në 10 vite ose deri në fund të jetës së tyre.
Një tjetër faktor që kontribuon në stagnim është mungesa e vendbanimit për këta persona dhe mungesa e shërbimeve të ergoterapisë.
Aktualisht, në QSHM dhe ShIB të Kosovës nuk ka ergoterapistë. Përmes mbështetjes së tyre, individët mund të përmirësojnë aftësitë praktike, si kujdesi për veten, gatimi, menaxhimi i buxhetit, përdorimi i transportit dhe shërbimeve publike, si dhe aftësitë profesionale dhe sociale që e lehtësojnë integrimin në punë dhe komunitet. Pa praninë e ergoterapistëve, trajtimi mbetet kryesisht mjekësor, duke lënë pas dore aspektet praktike të jetës së përditshme dhe aftësinë për të funksionuar në mënyrë të pavarur.
Rexhepi, tregon se një ndër arsyet kryesore pse qendrat dhe shtëpitë integruese vazhdojnë të rrezikohen në cilësi dhe shërbim është për fakti se ato funksionojnë si pjesë e SHSKUK. “Ky sistem, në politikat e tij, shpesh jep përparësi fushave si kardiologjia, kirurgjia, gjinekologjia apo pediatria. Shëndeti mendor, nën menaxhmentin e SHSKUK-së, fatkeqësisht, shihet si një ‘degë anësore”, ose siç thuhet në popullë “si një zorrë qorre”. Kjo mungesë prioriteti ka bërë që zhvillimi i mëtejshëm i kësaj fushe të ecë shumë ngadalë”, thotë ai.

QSHM dhe ShIB funksionojnë nën ombrellën e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (ShSKUK), sipas kornizës ligjore. Kur u kërkua informacion rreth mundësive për përmirësimin e riintegrimit dhe risocializimit të pacientëve, si dhe për zgjerimin e stafit profesional brenda kufijve të buxhetit, ShSKUK-ja nuk ofroi asnjë prononcim ose plan konkret për këto çështje. Për personat që janë në gjendje krize, situata e krijuar në vend mund të jetë kritike, pasi trajtimi i menjëhershëm dhe mbështetja profesionale shpesh vonohen ose nuk janë lehtësisht të qasshme.
Qytetarët që kanë nevojë për shërbime të shëndetit mendor përballen me dy mundësi: institucionet publike të mbingarkuara ose institucionet private, ku kostoja mujore për seancë psikiatrike ose psikologjike arrin 30–50 euro. Kjo pengesë financiare dhe organizative për shumëkënd rrit rrezikun që nevojat e tyre të mos trajtohen në kohë.
Besim Kodra, përfaqësues i Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë (PRAK), thotë se numri në rritje i vetëvrasjeve është një tregues alarmues se sistemi nuk po arrin të identifikojë, trajtojë dhe mbështesë personat me probleme të shëndetit mendor në kohë.
Teksa, themeluesi i “Linjës së Jetës”, Bind Skeja, tregon se është një nevojë e madhe që vendi të ketë një linje telefonike emergjente e cila do të shërbente 24/7 për të gjithë qytetarët që kanë probleme të çrregullimeve me shëndet mendor, veçanti personave me mendime për vetëvrasje.
Linja e Jetës është e vetmja linjë emergjente në Kosovë, e cila funksionon me orar 16 orësh në ditë, duke marrë mesatarisht 100 deri në 200 thirrje në muaj. “Sipas matjeve tona, gjatë 6 muajve të parë kemi pasur rreth 150 thirrje që nuk kemi arritur t’i pranojmë ose janë bërë jashtë orarit, ose në kohën kur vullnetarët kanë qenë të zënë. Kjo tregon qartë se ekziston nevojë e madhe për zgjerim të orarit dhe të kapaciteteve, në mënyrë që të mbulojmë të gjithë njerëzit që po kërkojnë ndihmë”, shpjegon Skeja.
Në mungesë të fondeve dhe pa një format institucional të mbështetur nga niveli qendror, kjo linjë, rrezikon të shuhet plotësisht, duke lënë një boshllëk drejt mbështetjes dhe orientimit të personave në gjendje krize.

Qasje e kufizuar në shërbime për grupet e cenueshme
Visar Kukaqi, 28-vjeçar nga Gjakova, rrëfen hapur periudhën më të vështirë të jetës së tij. Nëntë vite më parë, ai u gjend para një udhëkryqi të menduar si të pakrye dhe pa shenja të qarta drejt rrugëdaljes.
Në një ditë qershori, e cila nuk do të përkthehej, e njëjtë si një e zakonshme, nga barra emocionale mbartur mbi supe, si pasojë e përjetimeve të hershme në fëmijëri, tensioneve brenda mureve të shtëpisë, përvojave në ambientet shkollore dhe pritshmërive të larta prindërore, ai kishte tentuar t’i jap fund jetës së tij.
“Në ato momente, dhimbjes së shpirtit kam mendu që ja gjeta zgjidhjen”, thotë ai, kur hedh vështrimin, në atëkohë, tek një fazë problematike e adoleshencës.
Porse, para përkeqësimit të gjendjes së tij, Visari kujton se kishte kërkuar ndihmë profesionale te mjeku familjar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), nga ku më pas ishte referuar te psikiatri në Spitalin e Përgjithshëm të Gjakovës. Sipas tij, gjendja mes ankthit dhe depresionit që e kishte kapluar, pati filluar të lehtësohej gradualisht me nisjen e trajtimit.
Megjithatë, për shkak të stigmatizimit të lartë dhe rrallimit të seancave nga ana e psikiatres, si pasojë e ‘prioritizimit’ të rasteve më të rënda se vetë rastin e tij, trajtimi nuk u ndoq në vazhdimësi. Kjo ndërprerje ndikoi drejtpërdrejt në përkeqësimin e gjendjes së tij psikologjike.
“Ilaçet i kam marrë fshehurazi në shtëpi. Me fol hapur për faktin që po merrja trajtim psikiatrik ishte tabu dhe shumë e rëndë për familjen time. Për një kohë i kam marrë rregullisht [ilaçet], më pas herë pas here, derisa humba krejt disiplinën për t’i marrë siç duhej”, rrëfen ai.
Adoleshenca është një periudhë vendimtare për zhvillimin e mirëqenies mendore. Në kohën kur Visari përballej me vështirësi të shëndetit mendor, ligji garantonte qasje në kujdes shëndetësor në të tri nivelet: parësor (QKMF), dytësor (spitalet e përgjithshme) dhe tretësor (QKUK). Në praktikë, megjithatë, kjo qasje nuk zbatohet siç parashihet, veçanërisht në nivelin parësor, ku mungesa e shërbimeve ka bërë që referimet të ndodhin drejtpërdrejt në nivelin dytësor dhe tretësor.
Një nga arsyet kryesore për këtë situatë është pensionimi i psikiatrëve për fëmijë dhe adoleshentë, pa u zëvendësuar me kuadër të ri profesional. Si pasojë e kësaj, edhe disa Qendra të Shëndetit Mendor, përfshirë ato në Prizren dhe Gjakovë, nuk ofrojnë më shërbime psikiatrike për fëmijë dhe adoleshentë.
Si rrjedhojë, në qytetet jashta Prishtinës, të nivelit sekondar, shërbimet psikiatrike për fëmijë dhe adoleshentet ofrohen vetëm në spitalet rajonale në kuadër të reparteve psikiatrike për të rriturit.
Teksa Psikiatria e Fëmijëve dhe Adoleshëntëve (PFA) është i vetmi repart i nivelit terciar që ofron shërbime ambulatore dhe spitalore për fëmijë dhe adoleshentët. Pasiqë këto shërbime nuk janë të qasshme dhe funksionale në të gjithë vendit, sipas një raporti të IAP të vitit 2024, thuhet se vetëm për një muaj janë realizuar 700 shërbime për fëmijë në PFA, një mbingarkesë tejet e madhe karshi stafit të vogël. Mes tjerash, një statistikë që flet për nevojën e madhe që këto shërbime të rishikohen në nivel të kujdesit parësor dhe dytësor, rishtazi.
Ndërkohë edhe gjetjet e organizatës KOMF, dëshmojnë për një situatë të jashtëzakonshme për ndërhyrje. Në institucionet publike shëndetësore janë të punësuar 52 psikiatër, prej tyre vetëm 7 psikiatër për fëmijë dhe adoleshentë në të gjithë vendin.
Vetëvrasja është shkaku i tretë kryesor i vdekjeve ndërmjet moshave 15–29 vjeç. Sipas OBSH-së, rreth 50% e problemeve të shëndetit mendor fillojnë të manifestohen rreth moshës 14-vjeçe. Kur adoleshentët dhe të rinjtë nuk kanë qasje në trajtime të duhura për shëndetin mendor, ata/ato shpesh kërkojnë mënyra për të përballuar ankthin, depresionin dhe shqetësime të tjera, përfshirë përdorimin e barnave psikotrope, pa kontrolle mjekësore paraprake.
Shitja e barnave psikotrope pa recetë të mjekut përbën një problem të thellë dhe të vazhdueshëm në Kosovë, që lidhet drejtpërdrejt me çështjet e shëndetit mendor. Substancat psikotrope janë barna ose kemikale që ndikojnë në funksionimin e sistemit nervor qendror, duke ndryshuar gjendjen mendore, emocionale, perceptimin, sjelljen dhe funksionet njohëse të individit.
Sipas një hulumtimi të kryer në prill të vitit 2014 nga Instituti për Kriminologji dhe Kriminalistikë (ICCJ), i cili përfshiu 23 barnatore në Prishtinë, Prizren, Pejë, Suharekë, Drenas dhe Skenderaj, u evidentua shitja pa recetë e barnave psikotrope të kategorive II, III dhe IV. Hulumtimi zbuloi se këto barnat mund të blihen lehtësisht në barnatoret e Kosovës, duke nxjerrë në pah mangësitë e zbatimit të ligjit dhe rrezikun e keqpërdorimit të tyre.
Organi kompetent për monitorim të barnave psikotrope është Inspektorati Farmaceutik, në kuadër të MSh, i cili punon në bazë të Ligjit 02/L-128. Ndërkohë, Agjencia për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM) monitoron çdo tre muaj shpërndarjen e këtyre barnave nga operatorët me shumicë dhe pakicë. Sipas të dhënave të ofruara nga ky institucion, deri në fund të nëntorit të vitit 2025 janë kryer 2,111 inspektime. Megjithatë, gjobat janë të pakta: 11 në vitin 2024 dhe 13 deri në fund të nëntorit duke treguar se masat aktuale nuk janë të mjaftueshme.
Kjo gjendje konfirmohet edhe nga vetë Visari, i cili nuk hasi vështirësi më parë, në blerjen e disa kutive të barnave që duhej të shiteshin vetëm me recetë të mjekut në gjashtë barnatoret e vizituara në Gjakovë, dhe i përdori ato në mënyrë të rrezikshme për veten, duke treguar qartë pasojat e keqpërdorimit të barnave psikotrope.

Nga ana tjetër, Kutllovci ngriti një problem tjetër të rrezikshëm lidhur me ndërprerjen e terapisë psikotrope nga psikologët, pa asnjë bazë profesionale apo të drejte ligjore. “E them me përgjegjësi të plotë, se ka vetëvrasje në mesin e personave të cilët kur psikiatri ja ka përshkru një terapi medikamentoze, e njëjta është ndërpre nga psikologu. Kjo gjë është e papranueshme dhe patolerueshme”, thotë ai.
Ndërkohë, përveç barnave psikotrope, problem gjithnjë në rritje po shihet edhe përdorimi i substancave narkotike veçanërisht në mesin e adoleshentëve. Këto substanca ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin e trurit, duke rritur impulsivitetin dhe duke dobësuar aftësinë për të vlerësuar pasojat e veprimeve. Si rrjedhojë, rritet rreziku për sjellje të rrezikshme dhe vetëdëmtuese, përfshirë mendimet dhe veprimet e lidhura me vetëvrasjen.
Sipas Safet Blakajt nga Qendra “Labyrinth”, që fokusohet në punën me përdoruesit e drogave, thotë se mosha mesatare e fillimit të përdorimit të drogave ka rënë nga 18-vjeç në vitin 2018 në 16-vjeç. Të dhënat, sipas tij, tregojnë se në Kosovë ka rreth 40 mijë përdorues të substancave narkotike, nga të cilët rreth 11 mijë konsiderohen përdorues problematikë. “Përdorues problematik i referohemi atyre që përdorin drogë tre herë ose më shumë brenda javës të cilët manifestojnë probleme të ndryshme shëndetësore, mes tjerash kanë edhe probleme me ligjin”, thotë ai. Sipas tij, mungesa e ndërhyrjes së hershme, veçanërisht në rastet e mbidozimit, mund të çojë edhe në rrezik për fenomenin e vetëvrasjes.
Trajtimi i domosdoshëm i përdorueve të drogave synon rikthimin e individëve në një jetë funksionale, megjithatë mbështetja institucionale në Kosovë mbetet e kufizuar. Kjo pasiqë, shërbime ditore dhe hospitalore ofrohen vetëm në Klinikën e Psikiatrisë në QKUK, ndërsa në spitalet rajonale ekzistojnë vetëm shërbime ditore, pa një institucion të specializuar për trajtimin e varësisë në vend. Lidhur me këtë çështje, Kutllovci, tregon për mundësitë dhe shërbimet që momentalisht ofrohen në Repartin e Varësisë në Klinikën e Psikiatrisë të QKUK-së.
“Në Klinikën e Psikiatrisë, kemi repartin e varësisë, ku realizohet procesi i detoksikimit, por trajtimi përfundon vetëm në këtë fazë”, thotë ai. “Së fundmi, dy pacientë i kemi pas në këtë repart, të cilën nuk kanë ndejt për shkak të kushteve të këqija. Njëjtë edhe vitin e kaluar, pesë raste janë larguar si rezultat i kushteve të rënda”.
E gjatë fillimit të vitit 2024 në Kosovë është parë shtimi i rasteve të vetëlëndimit, një fenomen i ndikuar nga sfidat në rrjete sociale, si TikTok. Mungesa e psikologëve në shkolla, të cilët mund të punësohen vetëm nëse numri i nxënësve tejkalon 1000, sipas UA Nr. 26/2013 të Ministrisë së Arsimit (MA), ka përkeqësuar ndjeshëm këtë situatë, duke e lënë jashtë trajtimit, shumë çështje parandaluese të shëndetit mendor. Përveç kësaj, edhe bullizimi ka marrë përmasa të reja në kohën digjitale.
Naim Çelaj, avokat i popullit thotë se situata në raport me shëndetin mendor nuk është trajtuar me serjozitet të lartë ndër vite. “Mendoj që sistemi i shëndetit mendor ka shumë mangësi duke filluar nga mungesa ose pamjaftueshmëria profesionale në fusha specifike si përshembull mungesa e kuadrove të psikiatrave për fëmijë, dhe mënyra sesi ofrohen këto shërbime. Nuk janë të nivelit parandalues por trajtues”, thotë ai.
Çelaj, ka ngritur për shqetësim përveç shërbimeve të shëndetit mendor tek fëmijët dhe adoleshentët, kategori e lënë pas dore janë edhe të moshuarit. “Shërbime mendore rezidenciale i përjashtojnë grupmoshën 65+, kjo për ne është diskriminuese. Këta persona mbesin barrë e familjes, teksa aktet ligjore dhe nën ligjore nuk janë të harmonizuara dhe ka keqinterpretime”.
Sipas burimeve të OBSH-së, as të moshuarit nuk janë imunë ndaj fenomenit të vetëvrasjes, pasi rreziku për këtë grupmoshë lidhet me faktorë të shumtë, përfshirë izolimin social, vetminë, humbjen e partnerit, sëmundjet kronike, varësinë nga të tjerët, si dhe depresionin, i cili shpesh mbetet i padiagnostikuar ose i patrajtuar tek të moshuarit.

Nën hijen e shërbimeve sociale
Sistemi i shërbimeve sociale ka rol të rëndësishëm në identifikimin dhe mbështetjen e grupeve të cenueshme, duke kontribuar drejtpërdrejt në parandalimin e dukurisë së vetëvrasjeve. Ky sistem supozohet se synon të identifikojë dhe trajtojë këto raste duke mbështetur riintegrimin e individëve në komunitet. Ky mekanizëm përfshin institucione si Qendrat për Punë Sociale (QPS), policinë, shërbimet shëndetësore, gjykatat dhe organizatat joqeveritare, të cilat bashkëpunojnë për të ofruar mbrojtje dhe ndihmë të menjëhershme.
Në komunat e Kosovës funksionojnë 40 QPS, të cilat në nivel lokal ofrojnë shërbime për 47 kategori përfituesish, përfshirë fëmijët pa përkujdesje prindërore, personat me probleme të shëndetit mendor dhe ndër të tjera, dhe për viktimat e dhunës në familje. Por për disa gra, si Era*, mbështetja mbetet më shumë si premtime të harruara nëpër sirtare me letra, duke ngritur pikëpyetjet mbi funksionalitetin dhe efektivitetin e këtyre mekanizmave.
Era është vetëm 23-vjeçe, e rritur pa përkujdesje prindërore. Babain e ka takuar pas moshës 17-vjeçe, pas lirimit të tij nga burgu. Ndërkohë, nënën e rimartuar e shihte akoma më rrallë. Fëmijëria e saj u kalua nëpër periudha të shpeshta të zhvendosjes drejt strehimores në Mitrovicë dhe te familjarët e largët. Asnjëherë nuk pati një shtëpi të qëndrueshme që ta quante si të vetën.
Në moshën 17-vjeçe, Era u martua. Teksa, bashkëshortin e kishte njohur përmes rrjeteve sociale. Sipas saj, kjo martesë e hershme erdhi për pasojë nga lodhja e vazhdueshme e mungesës së një krahut të fort familjar. Martesa iu duk më shumë si një dalje shpëtimi. Por shumë shpejt pas kësaj, ajo e kuptoi se realiteti ishte larg asaj që kishte shpresuar. Qysh në fillim të këtij rrugëtimi, Era u përball me sjellje kontrolluese, shpërthime agresioni dhe dhunë fizike, të cilat me kalimin e kohës vetëm sa u përshkallëzuan. Vetëm një vit më vonë, në moshën 18-vjeçe, Era u bë nënë. Përgjegjësia e re erdhi në kushte edhe më të vështira dhe e gjeti atë të rraskapitur emocionalisht.
Nën presionin e pandërprerë dhe fyerjet e vazhdueshme nga bashkëshorti, ajo tentoi t’i japë fund jetës së saj. “Po vijke nji moment në jetë, ku truri po ta qetë blicin krejt zi edhe ma s’po mujshe me duru”, thotë ajo. Për rreth katër vjet e gjysmë, Era përjetoi dhunë fizike dhe psikologjike të vazhdueshme nga bashkëshorti. Tashmë, përveç frikës për jetën e saj, ajo përballej çdo ditë edhe me kërcënime ndaj djalit. Para kësaj gjendje të rënduar emocionale, Era kishte kërkuar vazhdimisht ndihmë nga autoritetet, duke raportuar se ndihej e kërcënuar dhe e pasigurt.
Gjatë viteve 2021–2024, ajo qëndroi tri herë në strehimore e Prishtinës, secilën herë për disa muaj, pas raportimeve të dhunës në polici. Pa zgjidhje konkrete, ajo detyrohej të kthehej tek dhunuesi. Sipas saj, shërbimet sociale e kanë ndihmuar vetëm një herë me gjëra ushqimore. Ndërkohë, kërkesat drejtuar komunës së Prishtinës për sigurimin e një vendbanimi dhe punësim kanë mbetur pothuajse të papërfillura.

Sipas drejtores së Strehimores së Prishtinës, Zana Asllani, raste të ngjashme me atë të Erës, i ka pasur edhe 76 sosh gjatë vitit 2025. Strehimorja “Qendra për mbrojtjen e grave dhe fëmijve”, në kryeqytet, përveç rasteve të Prishtinës, pranon raste edhe të komunave tjera, si Lipjan, Fushë Kosovë, Podujevës, Obiliq dhe Drenas. “Nëse viktima nuk e ndien vetën sigurt në qytetin e vet, ka pasur raste kur i kemi marr edhe të Gjakovës ose Mitrovicës për strehim”.
Asllani, thekson se shqetësues mbetet fenomeni i rikthimit të përsëritur të viktimave në strehimore, kur ato nuk arrijnë të riintegrohen plotësisht në shoqëri, duke u ekspozuar vazhdimisht ndaj rrezikut të dhunës dhe pasigurisë. “Shkojnë, kthehen prap, plot raste kemi ashtu”.
Decentralizimi i kompetencave nga niveli qendror te ai lokal ka krijuar një konfuzion dhe boshllëk në funksionimin e institucioneve të mirëqenies sociale. QPS supozohet të ofrojë shërbime parandaluese lidhur me vetëvrasjen, si dhe të mbështesë rintegrimin dhe risocializimin e individëve në komunitet.
Njohësi i politikave sociale, Vehbi Mujku, thotë se QPS do të duhej të kishte një rol më të madh në këto politika kyçe. Megjithatë, mungesa e stafit të specializuar e ka zbehur këtë funksion. “Mbi 50 për qind e stafit në nivel vendi janë juristë, ndërsa ka më shumë nevojë për punëtorë social dhe psikologë,” thotë ai. “QPS është pikëreferimi për policinë, shkollat, gjykatat dhe organizatat joqeveritare, por ky institucion vepron, vetëm pas një akti të kryer tragjedik”.
Bajram Shala, drejtor i QPS së Prishtinës, i tha BIRN Kosovës, se ka boshëllqe në punën se si do të duhej të punohej si qendër e punës sociale, për arsyje të mungesës së stafit, financave dhe logjistikës. “Prej vitit 2022, në komunën tonë për herë të parë ka filluar programi i përkrahjes së viktimave të dhunës në familje që është një shumë mujore prej 500 euro që ju takon viktimave [të papunësuara] deri sa te kenë urdhër-mbrojtjen nga gjykata e që mundet me qenë 6 muaj deri – 1 vit ndihmë nga komuna”.
Këtë lehtësim nuk e gëzojnë shumë gra nga komunat e tjera, si Era, të cilat, pas daljes nga strehimorja, përballen vazhdimisht me rrezikun e rikthimit te dhunuesi i tyre.

QPS e Prishtinës e cila operon me tre lokacione si në Breg të Diellit, te Qafa dhe Vranjevc, thonë se gjatë vitit 2025 kanë ofruar 348 shërbime tek rastet e dhunës në familje dhe asaj më bazë gjinore.
Destigmatizimi i vetëvrasjes
Fenomeni i vetëvrasjeve në Kosovë shënoi rritje të ndjeshme në periudhën e pasluftës, veçanërisht në mesin e veteranëve. Ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), vazhdojnë të përballen me pasojat e traumave të luftës, ndërsa mbi 50 individë prej tyre i kanë dhënë fund jetës që nga përfundimi i luftës. Ndonëse Ligji për Veteranët, parashihte themelimin e një Qendre për Trajtimin e Stresit Posttraumatik, kjo qendër nuk është funksionalizuar as pas më shumë se një dekade.
Ndërkohë, sipas OBSH-së, rreth një e treta e personave në burgjet evropiane vuajnë nga çrregullime të shëndetit mendor, ndërsa vetëvrasja mbetet shkaku kryesor i vdekjeve në burgje, me nivele dukshëm më të larta se në popullsinë e përgjithshme.
Në Kosovë, burgjet menaxhohen nga Shërbimi Korrektues (SHKK), nën autoritetin e Ministrisë së Drejtësisë. Për shkak të specifikave të tyre, shërbimet shëndetësore në këto institucione organizohen dhe mbikëqyren nga Departamenti Shëndetësor i Burgjeve (DSHB), në kuadër të MSH-së dhe ofrohen përmes Njësive Shëndetësore të Burgjeve (NjShB) që gjithsej janë dhjetë njësi duke përfshirë ambulanca, hapësirat stacionare dhe shërbime për persona me nevoja të veçanta, si dhe për kujdesin e nënës dhe fëmijës. Këto njësi janë të vendosura në: Dubravë, Lipjan (Qendër Korrektuese dhe Qendër Paraburgimi), Smrekonicë, Prishtinë, Pejë, Prizren, Mitrovicë, Gjilan dhe Gërdoc.
“Në burgje ka një rrezik më të madh për vetëvrasje si fenomen, vet klima e mureve të burgjeve i ushqen apo i favorizon problemet e shëndetit mendor edhe po rritë shanset për tentativa dhe për vetëvrasje”, thotë Alban Muriqi nga Instituti për Avokimin e Politikave Korrektuese (IAPK).
“Numri i personave me probleme të shëndetit mendor brenda në burgje është duke u rritur sidemos në qendrat e paraburgimit në Prishtinë”, thotë Muriqi.
Gjetjet e tij mbështeten edhe nga raporti i DSHB-së për vitin 2025, i cili evidenton si sfidë madhore numrin e lartë të të paraburgosurve me probleme të shëndetit mendor, të cilët, ndonëse kanë urdhër gjykate për vlerësim apo trajtim të detyrueshëm në Institutin Psikiatrik të Forenzikës (IPFK), mbahen në qendra paraburgimi për shkak të mungesës së kapaciteteve.

Edhe kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), Behxhet Shala, në një intervistë për BIRN Kosova, tregon se në burgjet e Kosovës ka persona që nga aspekti i të drejtave të njeriut, nuk duhet të mbahen aty. Shumë prej tyre kanë nevojë për trajtim të detyrueshëm në institucione specialistike, për shkak të gjendjes së tyre. Megjithatë, në mungesë të buxhetit dhe kapaciteteve, këta persona shpesh dërgohen në burg. “Shteti duhet të krijoj kushte për monitorim, sidemos [ndaj] Institutit të Forenzikës”, thotë ai.
Për vitin 2025, numri i të burgosurve në Kosovë vlerësohet të jetë në 1,830–1,850 persona, sipas Muriqit.
Ndërkohë në bazë të raportit të vitit 2024 të DSHB-së, nga 260 raste të identifikuara me rrezik për vetëvrasje në pranim, 15 nga ta kanë tentuar vetëvrasjen dhe një ka përfunduar në fatalitet.
Kujtojmë se në vitin 2023 është përuruar Institucioni Shëndetësor për Trajtimin e Personave me Nevoja të Veçanta (IShTPNV). Brenda këtij institucioni funksionon një njësi e veçantë – Pavijoni D, i vendosur brenda Qendrës Korrektuese të Dubravës, i cili ofron trajtim rreth shëndetit mendor me kapacitet prej 20 shtretërsh, dhe është i dedikuar për persona me rrezik për vetëvrasje dhe çrregullime akute mendore, ndër shërbime të tjera.
Ndërkohë, edhe komuniteti LGBTI+ në Kosovë, janë ndër grupet më vulnerabël ndaj vetëvrasjes, për shkak të diskriminimit dhe mungesës së mbështetjes. Një studim i organizatës CEL (Qendra për Barazi dhe Liri) në vitin 2022, me 71 pjesëmarrës, tregoi se 38% prej tyre kishin tentuar vetëvrasje, 80% përjetonin ankth të rëndë, 49% depresion të rëndë dhe 31% stres të lartë. Këto rezultate përputhen me studime të tjera që raportojnë 20–40% tentativa vetëvrasjeje në komunitetin LGBT, duke nxjerrë në pah nevojën urgjente për shërbime mbështetëse dhe parandaluese te kjo kategori.
Sipas OBSH-së, një nga ndërhyrjet më efektive për parandalimin e vetëvrasjes, përveç uljes së stigmës, është kufizimi i qasjes në mjete të rrezikshme, duke reduktuar rrezikun për veprime impulsive gjatë krizave psikologjike. Ndërkohë, drejtori i Klinikës së Emergjencës në QKUK, Naser Syla, thotë se vetëm gjatë vitit 2025 janë trajtuar 248 raste të tentativave për vetëvrasje në nivel vendi.
Në të gjitha këto hallka, të ndërlidhura ngushtë me përkeqësimin apo zbutjen e çështjeve të shëndetit mendor, media luan një rol të rëndësishëm në mënyrën se si paraqitet dhe përhapet fenomeni i vetëvrasjes. Sipas OBSH-së, një nga konceptet kryesore është efekti Werther, që i referohet rritjes së rasteve të vetëvrasjes pas raportimeve të gjera, sensacionaliste ose të detajuara për vetëvrasjen e një personi. Kjo mund të ndikojë drejtpërdrejt në sjelljen e individëve në rrezik, duke e kthyer një rast individual në fenomen shoqëror të përsëritur.
Në Kosovë, edhe pse ekzistojnë shumë faktorë predispozues ndaj problemeve të shëndetit mendor, ende nuk është unifikuar baza për kornizën ligjore të Projektligjit për Shëndetin Mendor. Më parë, raportet të Komisionit Evropian (KE) dhe konstatimet e IAP kanë gjetur shkelje të të drejtave të pacientëve të cilët marrin shërbime të shëndetit mendor. Gjetjet theksojnë mungesën e qartësisë ndërmjet koncepteve “trajtim i pavullnetshëm”, “ndalim i pavullnetshëm” dhe “mjekim i detyruar”, duke krijuar hapësira për keqinterpretime në praktikë, në raport me të drejtat dhe dinjitetit e pacientëve, gjë që ka çuar rishqyrtimin e ligjit të hartuar në vitin 2015.
Si rrjedhojë e kësaj, në korrik të vitit 2025, grupi punues i kryesuar nga ShSKUK-ja, me ndihmën e ekspertëve lituanezë, hartoi draft-projektligjin e ri, pa përfshirjen e shoqërisë civile. Ky draft aktualisht ndodhet në zyret ligjore të MSh-së dhe ende nuk ka kaluar procesin e dëgjimit publik, ka thënë Kutllovci për BIRN Kosovën, në cilësinë e kryesuesit të grupit punues.
Tutje, mungesa e një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe e planifikimit afatgjatë reflektohet qartë edhe në gjendjen aktuale të burimeve njerëzore në fushën e shëndetit mendor. Sipas të dhënave të MSh-së, rreth burimeve njerëzore, të publikuara në dhjetor të viti 2022, në Kosovë veprojnë 52 psikiatër (1 për 33,000 banorë), prej të cilëve 45 trajtojnë të rritur dhe vetëm 7 fëmijë dhe adoleshentë, 217 infermierë (1 për 8,300 banorë), 10 specialistë të psikologjisë klinike, 2 psikologë klinikë (1 për 150,000 banorë), 7 punëtorë socialë dhe 2 këshilltarë psikosocialë. Krahasuar me mesataren e Evropës, këto shifra janë dukshëm më të ulëta.

Kjo gjendje e rënduar e burimeve njerëzore nuk është e rastësishme, por rezultat i drejtpërdrejtë i mungesës së investimeve. Në Ligjin për Buxhetin e vitit 2025, për institucionet e shëndetit mendor janë ndarë vetëm 4,237,172 euro nga 358.8 milionë euro që ishin gjithsej për shëndetësinë. Kjo përbën rreth 1.2 % të buxhetit, shumë më e ulët se mesatarja evropiane. Sipas të dhënave të OBSh-së, vendet evropiane ndajnë rreth 3-4% të buxhetit të shëndetësisë për shëndetin mendor.
Këto mungesa strukturore përkeqësohen edhe më tej nga stigma e vazhdueshme ndaj shëndetit mendor. Punëtorët shëndetësorë kanë theksuar në vazhdimësi se stigma pengon njerëzit, si gratë ashtu edhe burrat, të kërkojnë ndihmë. Mungesa e konfidencialitetit shton këtë pengesë, duke i bërë shumë individë të shmangin shërbimet profesionale dhe të përfshihen në vetë-mjekim, gjë që mund të përkeqësojë gjendjen e tyre, thuhet në raportin e vitit 2016, të Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës (RrGK).
Rastet e Albanit*, Visarit dhe Erës*, evidentojnë mangësitë të shumta të politikave të sistemit shëndetësor, mbrojtjes dhe mirëqenies sociale si dhe të arsimit në identifikim, parandalim, trajtimin, risocializim dhe riintegrimin e individëve në komunitet. Mungesa e të dhënave statistikore të sakta e të plota si dhe mungesa e një strategjie kombëtare për shëndetin mendor dhe me theks të veçantë në parandalimin e vetëvrasjes e bëjnë më të vështirë adresimin e këtyre boshllëqeve dhe përmirësimin e mbështetjes për individët në nevojë.
Nëse keni mendime për vetëvrasje, ju lutem dijeni se nuk jeni vetëm. Nëse jeni në rrezik të veproni mbi mendime vetëvrasëse, telefononi emergjencën 194. Për mbështetje dhe burime shtesë, kontaktoni linjën telefonike për parandalim të vetëvrasjes “Linja e Jetës” duke thirrur në numrin 0800 12345 (çdo ditë prej orës 10:00 deri në orën 02:00 pas mesnate).
*Shënim i redaksisë: Emrat Alban* dhe Era* janë pseudonime që janë përdorur për ta mbrojtur identitetin e individëve me kërkesën e tyre.
*Shënim i redaksisë (15.01.2026, ora 20:00)
Artikulli është redaktuar pas publikimit. Versioni paraprak ka përfshirë detaje nga raporti i Klinikës së Emergjencës së QKUK-së. Versioni aktual pasqyron ndryshime të bëra në përputhje me parimet e raportimit të përgjegjshëm mbi vetëvrasjen, sipas udhëzimeve të OBSH-së.





