Një analizë e gjerë e publikuar në “JAMA Psychiatry”, tregon se ndalimi i marrjes së antidepresantëve nuk shoqërohet me efekte anësore të rënda për shumicën e njerëzve.
Studimi, që përfshin 50 prova të kontrolluara me rreth 17,800 pjesëmarrës, zbuloi se simptomat më të shpeshta gjatë dy javëve të para pas ndërprerjes përfshijnë marramendje, të përziera dhe ndjesi ankthi, raporton Euronews Health përcjell Gazeta Shneta.
Sipas autorit kryesor, Dr. Sameer Jauhar nga Imperial College London, shumica e pjesëmarrësve përjetuan aq pak simptoma sa nuk u konsideruan si të kishin tërheqje klinike.
Gjithashtu, përkeqësimi i humorit nuk u pa si efekt i ndërprerjes, por më shumë si rikthim i mundshëm i depresionit.
Studimi shqyrtoi lloje të ndryshme antidepresantësh, përfshirë SSRI si escitalopram, sertraline dhe paroxetine, si dhe SNRI si venlafaxine dhe duloxetine.
Njerëzit që ndaluan venlafaxine kishin përqindjen më të lartë të simptomave (20% me marramendje), krahasuar me 1.8% te ata që morën placebo. Nga ana tjetër, ndalimi i vortioxetine shkaktoi shumë pak ndryshime krahasuar me placebo.
Megjithatë, shumica e studimeve mbuluan vetëm dy javë e para pas ndalimit të barnave, ndaj duhen më shumë të dhëna për efektet afatgjata dhe praktikat më të mira për ndërprerje.
Studimi pritet të ndihmojë në heqjen e stigmatizimit ndaj antidepresantëve. /Gazeta Shneta/


