TikTokerat pretendojnë se ju mund të merrni të gjitha vitaminat dhe mineralet e nevojshme duke ngrënë një vezë dhe një portokall. Ekspertët e të ushqyerit thonë se një dietë e shëndetshme duhet të jetë shumë më e larmishme.
TikTok është një vend i përsosur për dezinformimin rreth ushqimit, pasi vetëm 31% e këshillave për ushqimin dhe shëndetin vijnë nga njerëz me kualifikime përkatëse, sugjeron hulumtimi i ri, raporton Health News përcjell Gazeta Shneta.
Në trendin e fundit të TikTok, përdoruesit pretendojnë se kanë zbuluar një mënyrë të thjeshtë për të marrë të gjitha vitaminat dhe mineralet e nevojshme.
“A e dini se nëse hani një vezë dhe një portokall, po merrni çdo vitaminë që ju nevojitet? Sepse një vezë përmban çdo vitaminë të vetme që ju nevojitet, përveç vitaminës C,” thotë një TikToker, duke shtuar se ju mund të merrni ato që ju mungojnë përshembull vitaminën C nga një portokall.
Disa përdorues theksojnë se sasia e vitaminave dhe mineraleve nga një vezë dhe një portokall është e pamjaftueshme për të plotësuar kërkesat ditore, ndërsa të tjerë e lënë jashtë këtë informacion.
A mund të merrni të gjitha vitaminat nga vezët?
Teknikisht, TikTokersat kanë të drejtë. E verdha e vezës është e pasur me vitamina A, D, E, K, B1, B2, B5, B6, B9 dhe B12, ndërsa e bardha e vezës përmban sasi të larta të vitaminave B2, B3 dhe B5, si dhe B1, B6, B8, B9 dhe B12.
Për më tepër, vezët janë të pasura me minerale fosfor, kalcium dhe kalium dhe janë një burim i moderuar i natriumit.
Në dietën amerikane, vezët e ziera fort përfaqësojnë burimin e parë të kolinës, një lëndë ushqyese thelbësore që luan një rol të rëndësishëm në metabolizmin e njeriut, nga struktura e qelizave deri te sinteza e neurotransmetuesve.
A tingëllon shumë mirë për të qenë e vërtetë? Ndoshta sepse është. Disa nga këto vitamina dhe minerale janë të pranishme në sasi kaq të vogla sa që do t’ju duhet të hani sasi jashtëzakonisht të mëdha vezësh për të marrë mjaftueshëm prej tyre, thotë nutriciste Dalia Beydoun.
Ju duhet të hani rreth 20 vezë për të marrë sasinë e rekomanduar ditore të vitaminës B6. Kjo as nuk rekomandohet dhe as nuk përbën një dietë të ekuilibruar mirë, prandaj është e rëndësishme të përfshini një shumëllojshmëri ushqimesh për t’u siguruar që të merrni sasi të mjaftueshme të të gjithë lëndëve ushqyese.
Kyle Crowley, një ekspert i të ushqyerit në “Protein Works”, thotë se disa lëndë ushqyese ndihmojnë njëra-tjetrën të përthithen.
“Disa vitamina, duke përfshirë vitaminat A, D dhe E, janë të tretshme në yndyrë dhe, për rrjedhojë, kanë nevojë për ndihmën e yndyrave të shëndetshme për të përfituar sa më shumë nga përthithja e tyre,” thotë ai.
Vitamina C është një antioksidant që ndihmon në mbrojtjen e qelizave nga efektet e dëmshme të radikaleve të lira, të cilat mund të çojnë në shumë sëmundje kronike. Lënda ushqyese mund të ndihmojë gjithashtu në uljen e presionit të gjakut dhe rrezikun e sëmundjeve të zemrës si dhe përmirësimin e përthithjes së hekurit.
Një portokall përmban 70-90 mg vitaminë C, e cila është nevoja ditore për shumicën e të rriturve. Megjithatë, marrja duhet të jetë më e lartë në raste të caktuara, si gjatë laktacionit.
Të rriturit gjithashtu mund të plotësojnë marrjen e rekomanduar ditore të vitaminës C duke ngrënë një grejpfrut, një filxhan brokoli ose lakër jeshile të copëtuar ose një filxhan luleshtrydhe.
Beydoun thotë se vezët dhe portokallet janë ushqyese, por ato nuk mund të zëvendësojnë burime të tjera vitaminash dhe mineralesh. Për më tepër, ushqime të ndryshme ofrojnë përfitime të ndryshme që shkojnë përtej vitaminave dhe mineraleve.
Për shembull, salmoni nuk është vetëm një burim i mirë i shumë vitaminave dhe mineraleve, por është gjithashtu i pasur me acide yndyrore omega-3, një lëndë ushqyese që mungon në vezët dhe në portokall.
“Diversifikimi i zgjedhjeve tuaja ushqimore siguron që ju të merrni sasi të mjaftueshme të vitaminave dhe mineraleve, si dhe lëndë ushqyese të tjera të rëndësishme si omega-3,” shton Beydoun.
Prandaj, kufizimi i dietës në vetëm disa lloje ushqimesh, si vezët dhe portokallet, mund të çojë në mangësi të lëndëve ushqyese dhe probleme afatgjata shëndetësore. /Gazeta Shneta/