Ud. drejtoresha e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar ka nxjerr një urdhër për drejtorët e klinikave dhe njësive tjera, që pushimet e stafit të tyre të planifikohen 3-6 muaj më herët dhe të njëjtat të dorëzohen në administratë
Rreth dy javë prej se e ka marr detyrën si ud. e drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, Pranvera Zejnullahu-Raçi, ka nxjerr disa urdhëresa për drejtorët e klinikave, spitaleve dhe njësive tjera, shkruan Gazeta Shneta.
Në këto urdhëresa të cilat i ka siguruar Gazeta, Zejnullahu-Raçi ka kërkuar nga drejtorët që të njoftojnë stafin e tyre se pushimet për pjesën e dytë vitit 2022 dhe viteve vijuese, duhet të planifikohen 3-6 muaj më herët dhe të njëjtat të dorëzohen në administratë.
“…pushimet vjetore për vitin 2022 (pjesa e dytë), si dhe në vazhdim për vitet tjera, se planifikimi i pushimit vjetor të bëhet tre deri në gjashtë muaj më herët. Kjo me orar të përcaktuar nga shefat e reparteve, kryeinfermieret dhe i njëjti orar të protokollohet dhe të dorëzohet në zyrat e administratës”, thuhet në urdhëresen e saj.
Zejnullahu-Raçi ka shkruar në urdhëresën e saj tutje se pushimet dhe trajnimet për edukim të vazhdueshëm jashtë vendit janë obligative, kurse planifikimi mundëson mbarëvajtje të punës dhe zëvendësime me kohë.
Ndërkaq në një urdhëresë tjetër që e ka lëshuar, ud. drejtoresha e SHSKUK-së ka kërkuar nga drejtorët që orarin e kujdestarive ta përpilojnë në baza mujore për mjekë dhe infermierë dhe i njëjti të dorëzohet në zyrën e drejtorisë qendrore të SHSKUK-së.
“Orari i kujdestarive duhet të dorëzohet në formë elektronike në zyrën e drejtorisë qendrore në SHSKUK. Ndërkohë që për ndryshimet eventuale në orar duhet të lajmërohen së paku pesë ditë më herët, tek drejtori apo edhe tek motra kryesore e klinikës”, thuhet në urdhëresë.
Kujtojmë se Zejnullahu-Raçi ka ardhur në pozitën e ud.drejtoreshës së SHSKUK-së më 2 gusht, pas dorëheqjes së ish-drejtorit Valbon Krasniqi. /Gazeta Shneta/