Menstruacioni i hershëm është lidhur me probleme shëndetësore më vonë gjatë jetës, ndaj periudha përreth pubertetit është e rëndësishme për mirëqenien afatgjate, thanë studiuesit.
Vajzat që ndjekin një dietë më të shëndetshme mund të kenë më shumë gjasa të marrin menstruacionin e parë në një moshë më madhore, sipas një studimi të ri.
Zakonisht, vajzat hyjnë në pubertet midis moshës 8 dhe 13 vjeç, ndërsa menstruacioni fillon rreth dy vjet pasi të kenë filluar të zhvillohen gjinjtë, shkruan burimi Euronews Health përcjell Gazeta Shneta.
Megjithatë, fillimi i pubertetit dhe menstruacionit në një moshë të re është lidhur me rreziqe shëndetësore më vonë në jetë, përfshirë diabetin, obezitetin, sëmundjet kardiovaskulare dhe kancerin e gjirit.
Studimi i ri synoi të zbulojë se si mund të ndikojë dieta në moshën kur vajzat fillojnë menstruacionin. Mes tjerash, ky studim përfshiu më shumë se 7,500 fëmijë të moshës 9 deri në 14 vjeç, duke ndjekur dietën e tyre dhe kur iu shfaq menstruacioni për herë të parë.
Gjetjet u publikuan në revistën “Human Reproduction”.
Vajzat me dietat më të shëndetshme kishin 16 për qind më pak gjasa të fillonin menstruacionin herët krahasuar me vajzat me dietat më të dobëta ushqyese.
Ndërkohë, vajzat që konsumonin ushqimet më inflamatore kishin 15 për qind më shumë gjasa të fillonin menstruacionin më herët.
Rezultatet mbetën të qëndrueshme pavarësisht gjatësisë apo peshës trupore të vajzave, duke “treguar rëndësinë e një diete të shëndetshme pavarësisht nga përmasat trupore,” tha Holly Harris, autore kryesore e studimit dhe profesoreshë e asociuar në ‘Fred Hutchinson Cancer Centre’ në SHBA. /Gazeta Shneta/


