Kur flitet për aktivitet fizik, shumica e njerëzve mendojnë për orë të tëra në palestër, vrap apo stërvitje intensive. Por studime të reja tregojnë se një formë shumë më e thjeshtë ushtrimi mund të sjellë përfitime të mëdha për shëndetin, veçanërisht për uljen e tensionit të gjakut.
Bëhet fjalë për ushtrimet izometrike, të cilat konsistojnë në mbajtjen e një pozicioni statik për një periudhë të caktuar kohe. Shembuj të tyre janë qëndrimi në pozicion gjysmë-ulur pranë murit (wall squat), shtrirja e këmbës duke qëndruar ulur ose ushtrimet me shtrëngim të vazhdueshëm të dorës.
Një analizë e publikuar në vitin 2023, që përfshiu të dhëna nga gati 16 mijë persona, zbuloi se ushtrimet izometrike ishin më efektive në uljen e tensionit të gjakut sesa aktivitetet aerobike, stërvitjet me pesha apo ushtrimet me intervale me intensitet të lartë, shkruan BBC transmeton Gazeta Shneta.
Programi i përdorur në shumicën e studimeve ishte jashtëzakonisht i thjeshtë: katër seri nga dy minuta ushtrim, me një deri në dy minuta pushim ndërmjet tyre. Në total, vetëm 14 minuta për seancë, tri herë në javë.
Rezultatet treguan se tensioni i gjakut u ul mesatarisht me 8.24 mmHg për vlerën sistolike dhe 4 mmHg për vlerën diastolike. Për krahasim, shumë barna për trajtimin e hipertensionit arrijnë ulje mesatare prej rreth 9 me 4 mmHg.
Sipas studiuesve, gjatë ushtrimeve izometrike muskujt qëndrojnë të kontraktuar pa lëvizur. Kjo ngjesh përkohësisht enët e gjakut dhe rrit kërkesën për oksigjen. Kur kontraktimi ndalon, qarkullimi i gjakut përmirësohet, duke ndihmuar gradualisht në uljen e tensionit dhe përmirësimin e funksionit të enëve të gjakut.
Përfitimet nuk kufizohen vetëm te zemra. Këto ushtrime ndihmojnë edhe në rritjen e forcës muskulore, pasi aktivizojnë më shumë njësi motorike në muskuj. Për këtë arsye ato mund të jenë të dobishme si për sportistët, ashtu edhe për të moshuarit që kanë vështirësi me lëvizjet e përditshme.
Me vetëm pak minuta në ditë dhe pa nevojën e pajisjeve të shtrenjta, ushtrimet izometrike po shihen gjithnjë e më shumë si një nga mënyrat më praktike për të përmirësuar shëndetin afatgjatë. /Gazeta Shneta/


