Edhe ndryshimet e vogla në stilin e jetesës, si 5 minuta më shumë aktivitet fizik apo 10 minuta shtesë gjumë, mund të kenë ndikim të ndjeshëm në uljen e rrezikut për sëmundje të zemrës, sipas një studimi të ri shkencor.
Studimi, i publikuar në “European Journal of Preventive Cardiology”, ndoqi mbi 50 mijë persona për rreth tetë vjet, duke analizuar zakonet e tyre të përditshme si gjumi, ushqyerja dhe aktiviteti fizik.
Rezultatet treguan se përmirësimet, edhe minimale, në këto fusha sjellin përfitime të dukshme.
Personat me zakone mesatare të shëndetshme kishin rreth 41% më pak rrezik për ngjarje serioze kardiovaskulare, ndërsa ata me zakonet më të mira arritën deri në 50% ulje të rrezikut, shkruan Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Kombinimi më efektiv përfshinte 8 deri në 9.5 orë gjumë në natë, 40 deri në 105 minuta aktivitet fizik të moderuar deri intensiv në ditë, si dhe një dietë më cilësore. Ky kombinim lidhej me 57% më pak rrezik për probleme si infarkti, goditja në tru apo dështimi i zemrës.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se edhe ndryshimet e vogla janë të vlefshme. Shtimi i vetëm 10 minutave gjumë, 5 minutave aktivitet fizik dhe përmirësimi i lehtë i dietës – si shtimi i një sasie të vogël perimesh mund të ulë rrezikun me rreth 10%.
Sipas ekspertëve, përqendrimi në disa ndryshime të vogla dhe të arritshme njëkohësisht është më efektiv dhe më i qëndrueshëm sesa përpjekja për transformime të mëdha në një fushë të vetme.
Studimi thekson rëndësinë e një qasjeje të balancuar për ruajtjen e shëndetit të zemrës. /Gazeta Shneta/


