Në kuadër të muajit të Ndërgjegjësimit për luftimin e Kancerit të Gjirit, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, është takuar me gratë që fituan këtë betejë.
Sipas një njoftimi, Vitia është takuar me gratë që kanë mposhtur kancerin e gjirit dhe njëherazi ka theksuar rëndësinë e ekzaminimeve të hershme, të cilat mund të shpëtojnë jetën, shkruan Gazeta Shneta.
“Sot i takova gratë që ia dolën. Ato janë shembull e dëshmi se kontrolli i hershmën e vizitat e rregullta janë kushti i pazëvendësueshëm i fitores në këtë betejë”, ka thënë ministri Vitia.
Mes tjerash, ai ka theksuar dhe disa hapa që i ka ndjekur ministria të cilën ai e drejton rreth fuqizimit të këtij procesi jetik:
“Prandaj ne jemi duke bërë hapa për ta fuqizuar sistemin në këto drejtime: Furnizimi shumë më i madh me barna. Aparatura të reja e moderne. Shërbime falas të rikonstruktimit të gjirit. Që janë vetëm disa nga hapat konkret që kemi ndërmarrë”, ka potencuar në njoftim, Vitia.
Gjatë vitit 2022 në Kosovë u regjistruan 547 raste të këtij kanceri. Nga to 543 gra dhe 4 burra.
“Çdo ditë kudo dhe me këdo duhet ta përsërisim pa rreshtur se: “Zbulimi i hershëm, shpëton jetë!”, ka përfunduar, Vitia. /Gazeta Shneta/




