Sipas një studimi të ri, temperaturat ekstreme të nxitura nga ndryshimet klimatike sollën rreth 16,500 vdekje shtesë në Europë gjatë kësaj vere.
Analiza e zhvilluar nga “Imperial College London dhe London School of Hygiene & Tropical Medicine”, e cila përfshiu 854 qytete europiane, arriti në përfundimin se 68 për qind e 24,400 vdekjeve të lidhura me të nxehtin ishin pasojë direkte e klimës së ndryshuar, shkruan Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Shkencëtarët paralajmërojnë se shifrat reale janë edhe më të larta, pasi qytetet e studiuara mbulojnë vetëm 30 për qind të popullsisë së kontinentit.
Gjatë një vale të nxehti në fund të korrikut, Rumania, Bullgaria, Greqia dhe Qiproja u goditën më rëndë, me afro 950 vdekje në një javë.
Roma, Athina dhe Bukureshti regjistruan më shumë humbje jete, të lidhura me ekspozimin ndaj temperaturave ekstreme, por edhe me faktorë të tjerë si ndotja, demografia dhe përgatitja institucionale. Italia rezultoi me numrin më të lartë të përgjithshëm, mbi 4,500 vdekje.
Ekspertët i quajnë valët e të nxehtit “vrasës të heshtur”, pasi shumica e viktimave ndodhin në shtëpi apo spitale dhe shpesh nuk raportohen si pasojë e të nxehtit.
Vdekjet zakonisht lidhen me përkeqësimin e sëmundjeve të zemrës, frymëmarrjes apo veshkave.
Shkencëtarët theksojnë se të moshuarit janë më të rrezikuarit: mbi 80 për qind e vdekjeve shtesë ndodhën tek personat mbi 65 vjeç, ndërsa ata mbi 85 përbënin mbi 40 për qind të totalit.
Europa, kontinenti që po ngrohet më shpejt në botë, përballet me rreziqe në rritje nga të nxehtit, sidomos për popullsinë e saj gjithnjë e më të moshuar. /Gazeta Shneta/


