Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Armend Zemaj ka kritikuar Qeverinë Kurti dhe ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia, në raportimin e këtij të fundit në Komisionin për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës.
Zemaj ka thënë se është rritur buxheti për barna por ato po mungojnë në spitale sepse sipas tij barnat po blihen më shtrenjtë deri në 400 përqind më shumë, shkruan Gazeta Shneta.
“Ligji për çmimet e barnave, ka ndikim nga mafia farmaceutike. E kemi përkrahur anulimin e listës. Por sot akoma ligji nuk është në fuqi. Është rritur buxheti për barna, por pse ka mungesë më të madhe të barnave sepse blerja e tyre është 400 % më e shtrenjtë. Këto janë evidente”, ka deklaruar Zemaj.
Ai ka thënë se nuk mund të flitet për reforma sepse nuk ka reformë në legjislacionin e shëndetësisë.
“Ju mund të thoni që ka ligj të ri për shëndetësi, por nuk ka ligj të ri për shëndetësi. Nuk e kemi në Kuvend. Nuk ka as ligje tjera, atij për sigurime shëndetësore. Ligj i shumë pritur por me të njëjtat defekte. Miratimi dhe implementimi i tij duket se është jetëgjatë”, ka deklaruar Zemaj.
Ish-ministri i shëndetësisë ka thënë se Vitia po flet për shërbime të reja, por ato ende nuk po fillojnë.
“Ju po flisni për shërbime të reja por a kanë fillu ato shërbime sepse në stomatologji janë kryer vetëm dy implante deri tani”, ka deklaruar Zemaj. /Gazeta Shneta/




