Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka deklaruar se deri më datën 25 qershor do të rivlerësohet situata për të rikthyer masat për kufijtë tokësor dhe të riatdhesuarit, si dhe përdorimin e testeve serologjike.
Zemaj ka raportuar sot para Komisionit parlamentar për Shëndetësi, ku ka folur në përgjithësi për situatën epidemiologjike në vend. Ai ka thënë se pandemia është një nga prioritetet e Qeverisë Hoti, aq më tepër kur tani Kosova po ballafaqohet me rritjen e numrit të rasteve pozitive.
Zemaj ka thënë se deri më datën 25 qershor do të bëhet rivlerësim i situatës për pikat kufitare dhe për hyrjen e qytetarëve në Kosovë.
Ministri ka deklaruar se pas rritjes së numrit të rasteve, janë rikthyer në funksion kapacitetet e shtuara në Qendrën Klinike Universitare, ku janë vënë në funksion Klinika e Pulmologjisë, Dermatologjisë si dhe intensiva e improvizuar në objektin e Mjekësisë Sportive.
Zemaj ka deklaruar se aktualisht ka mjaftueshëm materiale mbrojtëse kundër virusit, ndërsa po punohet që të furnizohen edhe me teste serologjike përmes një donacioni 2 milionë dollarë nga Banka Botërore. Këto teste sipas tij do të përdoren për të pasur një pasqyrë më reale të gjendjes së imunizimit të popullatës.
Ministri ka deklaruar se testet rapide nuk janë rekomanduar ende për përdorim të gjerë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Zemaj ka deklaruar se MSH deri më tani ka shpenzuar mbi 4 milionë euro nga programi farmaceutik për furnizim me materiale dhe pajisje për Covid-19.
Në këtë mbledhje është diskutuar edhe çështja e Ligjit të ri për pandeminë, ku është shprehur gatishmëria e të gjitha partive për miratimin e tij në Kuvendin e Kosovës.
Deputeti i VV-së Fitim Uka ka deklaruar se ministri i ri Zemaj nuk duhet të arsyetohet për kohën e shkurtër të ardhjes së tij në këtë pozitë, duke pas parasyshë situatën dhe vendimet që ka marr deri më tani, për të cilat sipas Ukës, Zemaj duhet të marr përgjegjësi politike.
Zemaj ka thënë se pavarësisht situatës nuk do të ketë rikthim të masave kufizuese për qytetarët.
Ministri është zotuar se shumë shpejt do të hapet konkursi për specializime i cili sipas tij do të bëhet sipas nevojave dhe i bazuar në strategji. /Gazeta Shneta/