Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj nuk e ka përfillë paralajmërimin e kreut të LVV-së Albin Kurti i cili pritet të mandatohet për kryeministër pasi fitoi zgjedhjet e 14 shkurtit.
Kjo ministri ka vazhduar me procedurat e rekrutimit në katër pozita të larta, Kryeinspektor Shëndetësor, Drejtor i Departamentit për Zhvillim Strategjik, Drejtor i Departamentit të Sistemit të Informacioneve Shëndetësore dhe Drejtor i Departamentit për Financa dhe Shërbime të Përgjithshme, shkruan Gazeta Shneta.
Konkurset për këto pozita janë hapur në fund të janarit, ndërsa afati për aplikim është mbyllur gjatë ditës së djeshme.
Këto pozita për disa vjet me radhë janë udhëhequr nga ushtrues detyre, ndërsa kjo kishte qenë një nga arsyet e shkarkimit të ish-Sekretarit Naim Bardiqi nga ministri Armend Zemaj.
Konkurset janë shpallur pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e Qeverisë Hoti. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se pas krijimit të Qeverisë së re do të shfuqizohen të gjitha emërimet dhe rekrutimet e bëra pas vendimit të Kushtetueses.
Por këtë paralajmërim nuk e ka përfillë Ministria e Shëndetësisë duke vazhduar procedurat e rekrutimit për këto pozita. /Gazeta Shneta/