Këtë javë, në rubrikën “Mjeku i Javës”, kemi Dr. Amir Shala, internist-pulmolog me përvojë shumëvjeçare në Spitalin e Prizrenit.
Ai shpjegon se pneumonia është një sëmundje inflamatore e mushkërive që mund të shkaktohet nga viruset, bakteriet, kërpudhat ose parazitët, dhe shfaqet më shpesh gjatë dimrit për shkak të temperaturave të ulëta, qëndrimit në ambiente të mbyllura dhe sezonës së gripit.
Dr. Shala rekomandon shmangien e qëndrimeve të gjata në ambiente të mbyllura, konsumimin e lëngjeve të ngrohta dhe vaksinimin kundër gripit dhe Pneumovax, veçanërisht për personat mbi 65 vjeç ose me sëmundje kronike, dhe thekson rëndësinë e vizitës urgjente te mjeku në rast simptoma të rënda.
Inetvista e plotë:
Gazeta Shneta: Çfarë është pneumonia sezionale dhe pse shfaqet më tepër gjatë dimrit?
Dr. Shala: Pneumonia është sëmundje inflamatore e mushkërive që përfshin kryesisht indin pulmonar (theks alveolat dhe intersticiumin pulmonar) dhe karakterizohet me grumbullimin e lëngut apo qelb-it aty, si pasojë e infeksionit të shkaktuar nga mikroorganizma të ndryshëm infektivë: bakterialë, viralë, fungalë, parazitarë etj. Mund të shfaqet në çdo kohë apo stinë, por më tepër shfaqet në vjeshtë dhe dimër për shkak të temperaturave më të ulëta, qëndrimit në ambiente të mbyllura, sezonës së gripit, konsumimit të ushqimeve të konservuara etj. Pneumonitë klasifikohen sipas kohëzgjatjes së sëmundjes: akute, kronike dhe recidive, sipas shenjave klinike: tipike dhe atipike, sipas lokalizimit të infeksionit: lobare, lobulare, alveolare, intersticiale, pastaj në parësore ku infeksioni atakon direkt (me rrugë aerogjene, hematogjene, limfogjene), dytësore ku infeksioni shkaktohet si pasojë e sëmundjeve të tjera të organizmit, pneumonitë në komunitet (ose shtëpiake) dhe nozokomiale (spitalore).
Cilat janë viruset dhe bakteriet që shkaktojnë më tepër këtë lloj pneumonie?
Dr. Shala: Pneumonitë virale shkaktohen nga: virusi i influenzës A, B, virusi sincicial respirator (RSV), coronaviruset (SARS-CoV-2, COVID-19), citomegalovirusi (CMV), virusi i variçelës, metapneumovirusi njerëzor (hMPV), adenoviruset etj. Zakonisht pneumonitë virale shfaqen më tepër te fëmijët e vegjël, moshat e shtyera dhe pacientët me sëmundje kronike, dhe karakterizohen me ndryshime inflamatore në të dy anët e mushkërive dhe me lokalizime atipike. Trajtimi i rasteve të lehta bëhet kryesisht simptomatik, me lëngje, paracetamol, vitamina, ndërsa rastet më të rënda me antiviralë (acyclovir, oseltamivir, remdesivir etj.).
Pneumonitë bakteriale më të shpeshta në komunitet janë: Streptococcus pneumoniae si shkaktari më i shpeshtë, Staphylococcus pneumoniae, Moraxella catarrhalis, Mycoplasma pneumoniae, Chlamydophila pneumoniae, Legionella pneumoniae. Ndërsa te pneumonitë nosokomialë ose spitalore, shkaktarët më të shpeshtë janë: Klebsiella pneumoniae, Pseudomonas aeruginosa, Staphylococcus pneumoniae etj. Pneumonitë bakteriale shkaktohen, përveç te fëmijët dhe të moshuarit, edhe te persona të tjerë të rritur pa histori sëmundjesh të mëhershme, dhe zakonisht karakterizohen me lokalizim në njërën anë të mushkërisë, që mund të përfshijë një segment, një lob, ose më shumë; në raste shumë të rënda mund të përfshijnë pothuajse komplet njërën anë të mushkërisë dhe quhen pneumoni tipike. Trajtimi i rasteve më të lehta bëhet me antibiotik oral, ndërsa rasteve të rënda me antibiotik parenteral si penicilina, cefalosporinat, makrolidet, fluorokinolonet, aminoglikozide etj., antipiretik, lëngje, vitamina, oksigjenoterapi në raste më të rënda.
Pneumonitë fungale shkaktohen nga kërpudhat: Candida, Aspergillus, Pneumocystis jiroveci, zakonisht përfshijnë pacientët me imunitet të komprometuar si ata me HIV, kimioterapi, që janë trajtuar gjatë me kortikosteroide, rrezatim. Trajtohen me flukonazol, itrakonazol, amphotericin B.
Pneumonitë parazitare shkaktohen nga parazitët: helmintet (Ascaris lumbricoides, Ancylostoma duodenale), protozoarët (Entameba histolytica, Pneumocystis jiroveci), Echinococcus granulosus etj. Trajtimi bëhet me antiparazitare: albendazol, mebendazol, metronidazol, ndërsa pneumonia me Pneumocystis jiroveci trajtohet standard me trimethoprim/sulfametoksazol.
Si mund ta dalloj një qytetar gripin e zakonshëm nga pneumonia (simptomat)?
Dr. Shala: Gripi zakonisht fillon me simptoma të përgjithshme: lodhje, dhimbje trupi, shkuarje e hundëve, temperaturë, ethe, kollitje, të cilat janë më të vrullshme por fillojnë të qetësohen brenda një kohe të shkurtër (3-4 ditë). Ndërsa pneumonia fillon me kollitje të ngadaltë, fillimisht të thatë pastaj me sekrecione që mund të jenë me gjak, temperatura rritet dhe përziston më gjatë, ethet po ashtu, kemi dhimbje në kraharor dhe vështirësi në frymëmarrje.
A ka ndryshim të simptomave te fëmijët, të moshuarit dhe te të rriturit?
Dr. Shala: Zakonisht te fëmijët simptomat zhvillohen më vrullshëm si temperaturë, kollitje, frymëmarrje e shpeshtë, mund të shfaqen të vjella, hapësirat ndërbrinjore theksohen më shumë gjatë frymëmarrjes. Tek të moshuarit simptomat zhvillohen më ngadalë, kollitja është më pak e theksuar, lodhja është shumë e shprehur, anoreksia, vështirësi në frymëmarrje.
Cilat ekzaminime i rekomandoni për diagnostikim të saktë?
Dr. Shala: Zakonisht marrim të dhënat nga pacienti (anamneza është shumë me rëndësi), pastaj ekzaminimi klinik siç është auskultimi (dëgjohen kërcitje inspiratore në kraharor, varësisht cilen pjesë të mushkërisë e ka përfshirë infeksioni), pastaj analizat laboratorike biokimike si sedimentacioni eritrocitëve, që zakonisht rritet, pasqyra e gjakut ku kemi rritje të leukociteve dhe dominim të neutrofileve te pneumonitë bakteriale, ndërsa kemi numër normal ose të zvogëluar të leukociteve te pneumonitë virale, mund të ketë rritje të limfociteve, monociteve, pastaj proteina inflamatore CRP e rritur jo gjithmonë, procalcitonina e rritur te pneumonitë bakteriale, pastaj përdoret testi i sputumit (kelbazës) në mikrobiologji që shërben për izolim të bakterieve apo kërpudhave dhe testimi në cilin antibiotik apo antifungal kanë ndjeshmëri, testi serologjik për infeksione virale apo dhe disa baktere me IgM dhe IgG. Nëse infeksioni, përveç indit pulmonar, ka përfshirë edhe pleurën, kemi grumbullim të lëngut apo qelbit në hapësirën pleurale, andaj duhet të bëhet tërheqja e tij përmes punksionit pleural dhe likidi dërgohet për analizë mikrobiologjike me antibiogram. Radiografia dhe CT e toraksit janë metoda të arta e diagnostifikimit të pneumonive.
A është rritur numri i rasteve të pneumonisë sezonale në Prizren?
Dr. Shala: Vazhdimisht ka rritje të numrit të pacientëve që fitojnë pneumonia në Prizren, por nuk kemi ndonjë shifër të saktë që rreth kësaj patologjie.
Cilat kategori të pacientëve janë më të rrezikuar nga pneumonia sezonale?
Dr. Shala: Pacientët më të rrezikuar nga pneumonia sezonale janë pacientët me sëmundje kronike të mushkërive, si ata që vuajnë nga bronkiti kronik, astma, emfizema; ata që iu janë nënshtruar kimioterapisë, rrezatimit; pacientët me diabet; ata me sëmundje kardiovaskulare; pacientët e hemodializës; personat që konsumojnë duhan; personat mbi moshën 65 vjeç, etj.
A ka faktorë specifik mjedisorë në Kosovë që e rrisin incidencën?
Dr. Shala: Ka shumë faktorë mjedisorë që rrisin incidencën e pneumonive sezonale. Ndotja e ajrit, e shkaktuar nga termocentrali i Obiliqit, përdorimi i thëngjillit dhe drurit në industri apo shtëpi private për ngrohje gjatë dimrit, si dhe automjetet e shumta që shfrytëzojnë naftën si lëndë djegëse, janë disa prej tyre. Ndryshimet e shpejta të temperaturave, qendrimi i gjatë i njerëzve në ambiente të mbyllura me ventilim të dobët dhe lagështi të pakët, si dhe qarkullimi i viruseve, sidomos gjatë dimrit, gjithashtu ndikojnë në rritjen e rasteve të pneumonive sezonale.
Kur duhet një person të shkoj urgjent te mjeku?
Dr. Shala: Një person duhet urgjentisht të vizitojë mjekun nëse ka kollë të theksuar me kelbaza të përziera me gjak, ka vështirësi në frymëmarrje, dhimbje të forta në gjoks, temperatura dhe ethet përzistojnë./Gazeta Shneta/
Mesazhi im për qytetarët me rastin e parandalimit të infeksionit të mushkërive është që gjatë stinës së dimrit të shmangen qëndrimet e gjata në ambiente të mbyllura, veçanërisht aty ku konsumohet duhani, të shmangen kontaktet e afërta me persona apo ambiente ku qarkullojnë njerëz me viroza, të mos marrin frymë me gojë gjatë qëndrimit në ambiente shumë të ftohta, të konsumojnë lëngje të ngrohta, dhe nëse kanë simptoma të lartpërmendura të lajmërohen te mjeku i tyre. Për personat mbi 65 vjeç, personat me sëmundje kronike të mushkërive, zemrës, veshkave, ata me diabet, me imunitet të komprometuar, rekomandohet të marrin vaksinën kundër gripit dhe vaksinën Pneumovax.


