Studimi i ri i botuar të premten në revistën ‘JAMA Network Open’ zbulon se 30% e njerëzve me Covid-19 vazhdojnë të kenë simptoma deri në nëntë muaj pas infeksionit fillestar.
Në ndjekjen më të gjatë të pacientëve me Covid-19 deri më tani, studiuesit ndoqën 177 individë me diagnozë laboratorike të konfirmuar me Covid-19 për deri në nëntë muaj dhe zbuluan se rreth 30% prej tyre vazhdojnë të kenë simptoma të vazhdueshme post Covid, shkruan CNN përcjell Gazeta Shneta.
Nga 177 pacientë të ndjekur, 150 (84.7%) nuk ishin shtruar kurrë në spital dhe konsiderohej se kishin sëmundje të lehtë dhe 11 (6.2%) ishin asimptomatik.
Një studim i mëparshëm i të njëjtit grup zbuloi se 36% e pacientëve jo të shtruar në spital kishin simptoma të zgjatura 2-3 javë pas diagnozës fillestare.
Simptomat më të zakonshme ishin lodhja e raportuar nga 24 pacientë (13.6%) dhe humbja e shijes ose nuhatjes e raportuar nga 24 pacientë të tjerë (13.6%).
Në përgjithësi, 23 pacientë (13%) raportuan simptoma të tjera duke përfshirë kollën, probleme me frymëmarrjen dhe dhimbje të muskujve.
Ndërsa 4 pacientë (2.3%) thanë se vazhdonin të kishin ‘mjegull në tru’.
Ndërsa studiuesit vunë në dukje se madhësia e vogël e mostrës ishte një kufizim, ata shkruan se me 57.8 milion raste në të gjithë botën, “edhe një incidencë e vogël e zhvlerësimit afatgjatë mund të ketë pasoja të mëdha shëndetësore dhe ekonomike”. /Gazeta Shneta/