Kur një grua diagnostifikohet me kancer të gjirit, niveli i stresit rritet. Pasiguria për të ardhmen, brengosja për planin e trajtimit, puna, financat dhe një sërë pyetjesh tjera e mundojnë mendjen e gruas dhe ndikojnë që niveli i stresit të rritet.
Zvogëlimi i nivelit të stresit mund të jetë faktor i rëndësishëm gjatë trajtimit të kësaj sëmundjeje, dhe mund të ketë ndikime të rëndësishme për mendjen dhe trupin, shkruan thriveglobal.com. Andaj, iu paraqesim gjashtë mënyra se si ta zvogëloni stresin në të tilla raste, transmeton Gazeta Shneta.
Bisedoni me mjekun tuaj dhe merrni përkrahjen që iu nevojitet – “Nuk ka asgjë më stresuese se sa të mos i kesh informatat që të duhet për të marrë vendime lidhur me shëndetin”, thotë Dr. Neelima Dunduluri, onkologe në Virginia Cancer Specialists. Ajo rekomandon që t’i përgatisni pyetjet dhe për gjithçka që iu intereson, ta pyesni çdoherë mjekun tuaj.
Tregojuni njerëzve kurdo që ndiheni gati – Shumë pacientë të diagnostifikuar me kancer të gjirit brenogosen se si do t’ua tregojnë të tjerëve këtë lajm. Por ju duhet ta merrni kohën e nevojshme, pra të përgatiteni për përgjigjet emocionale që mund të merrni. “Kanceri i gjirit është një nga përvojat më domethënëse që mund të kaloni në jetë, kështu që keni leje të kujdeseni për veten tuaj në çdo kohë,” thotë Jamie Larson nga Young Survival Coalition.
Kërkoni për një grup/system përkrahës që iu përshtatet – Të kesh përkrahje të madhe në këto raste është një gjë e jashtëzakonshme, por çka funksionon për dikë, mund të mos funksionojë për tjetrin. Denduluri thotë se dikush mund të ndihet rehat duke iu bashkuar terapisë në grup. Por të tjerë mund të jenë më rehat duke marrë këshilla në internet, çka ua mundëson edhe të mos dalin nga shtëpia. Andaj bëjeni atë që iu përshtatet më shumë juve.
Bëni gjëra që iu bëjnë të ndiheni mirë, por lëreni veten t’i ndjeni të gjitha emocionet – Edhe është e rëndësishme ta ‘dëgjoni’ trupin tuaj dhe të pushoni, aktiviteti fizik mund të jetë një mjet i fuqishëm për menaxhimin e ankthit gjatë një ‘lufte’ me kancer, thotë Denduluri. Për shembull një shëtitje e lehtë, është një mënyrë shumë efektive për ta përmirësuar gjendjen shpirtërore dhe energjinë nëse lodheni, shton ajo. “Joga dhe noti janë gjithashtu mundësi të shkëlqyera – vetëm se duhet ta merrni aprovimin e mjekut.” Po ashtu, përjetoni të gjitha emocionet.
Kërkoni ndihmë/pushim nga puna gjatë kohës së trajtimit – Nëse kjo sëmundje do t’iu ndikojë në punë, është mirë të flisni me dikë nga departamenti i burimeve njerëzore në punë. Ju mund të keni një bisedë konfidenciale të tregoni se iu duhet pushim gjatë trajtimit, dhe të dini se cilat janë mundësitë që iu ofrohen.
Zvogëlojeni ‘stresin e parave’ – Gjendja financiare pas diagnostifikimit me kancer mund ta rrisë nivelin e stresit, por nuk duhet të keni frikë në kërkoni ndihmë. Në këto raste, për shembull shikoni mundësitë që keni nga institucionet ku merrni kujdes shëndetësor. Sipas Dendulurit, në këto raste, shumicën e kohës institucionet janë të gatshme të iu ndihmojnë. Po ashtu ka programe të ndryshme që iu ofrojnë ndihmë, ilaçe falas ose me zbritje. Sepse në këtë sfidë ju nuk duhet të ballafaqoheni vetëm./Gazeta Shneta/