Një rokadë e dyshimtë është bërë në Fakultetin e Mjekësisë ku Dr. Fatos Sada është avancuar nga asistenti në profesor në kohën kur është denoncuar nga Inspektorati Shëndetësor në Komisionin Disiplinor në SHSKUK. Vendin e tij të asistentit e ka zënë Mifail Morina, dhëndri i profesorit Nehat Baftiu. Ky i fundit ka qenë anëtar i komisionit vlerësues në rastin e avancimit të Sadës.
Një rokadë e dyshimtë në Fakultetin e Mjekësisë është realizuar dje me votat e Senatit të Universitetit të Prishtinës ku është avancuar një asistent në profesor dhe vendin e tij e ka zënë dhëndri i një profesori tjetër.
Bëhet fjalë për asistentin Fatos Sada i cili me shumicë votash dje u avancua me titullin profesor në katedrën e Anestezionit. Këtë avancim nuk e kanë penguar as problemet që Sada i ka në QKUK me Inspektoratin Shëndetësor. Këta të fundit kanë kërkuar nga QKUK që të marrin masa ndaj Sadës për shkak se është zbuluar duke punuar në spital privat në të njëjtën kohë sa e kishte orarin në QKUK, shkruan Gazeta Shneta.
“Sipas njoftimit nga drejtori i Klinikës së Anestezionit, doktori në fjalë është proceduar në komisionin disiplinor, i cili po shqyrton rastin”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së. Vet Sada nuk ka pranuar të flas për këtë rast, derisa ka ofenduar dhe fyer Gazetën.
Në komisionin vlerësues për avancimin e Sadës kanë qenë tre anëtarë, Dr. Antigona Hasani – kryetare, profesori nga Turqia Dr. Kemal Tolga Saracoglu dhe Dr. Nehat Baftiu. Të tre ia kanë dhënë vlerësimin pozitiv.
Por është dhëndri i Baftiut, Mifail Morina, i cili e ka zënë vendin e Sadës në pozitën e asistentit. Edhe ky është votuar dje me shumicë votash në Senatin e UP-së.
Gazeta është marr me këtë hulumtim që nga muaji shkurt dhe Rektorati i UP-së në asnjë rast nuk ka pranuar të jap sqarime, por ka kërkuar nga dekanati që të kthej përgjigje në pyetjet e Gazetës. Përgjigje nuk ka kthyer as profesori Baftiu e as dhëndri i tij tashmë asistent Mifail Morina.
Morina ka fituar titullin specialist i anesteziologjisë vitin e kaluar së bashku me 10 specializantë të tjerë. Gazeta është duke hulumtuar edhe këto provime për shkak të dyshimeve se në mesin e tyre ka specializantë që nuk e kanë kryer komplet stazhin 5-vjeçar.
Morina është përzgjedhur asistent në konkursin i cili ka qenë për rizgjedhje. Por këtë nuk e ka konsideruar si problem dekanati i Fakultetit të Mjekësisë. “Lidhur me ketë Këshillit të Fakultetit të Mjekësisë, në mbledhjen paraprake, ka miratuar raportin e komisionit recensues për kandidatet që i plotësonin kushtet, meqenëse konkursi është publik”, thuhet në përgjigjen e sekretarit të FM-së Visar Muçaj.
Përgjigje të njëjtë, Muçaj ka kthyer edhe në pyetjet për konflikt interesi në rastin e Baftiut dhe Morinës. “Lidhur me ketë Këshillit të Fakultetit të Mjekësisë në mbledhjen paraprake, bazuar në Rregulloren me Nr. 2/748 të datës 01.10.2019 për procedurat e përzgjedhjes lidhur me emërimin, riemërimin dhe avancimin e personelit akademik në Universitetin e Prishtinës, ka respektuar Neni 10, pika 8”, thuhet në përgjigjen e Muçajt. /Gazeta Shneta/