Këshilli Drejtues në Spitalin Regjional të Vushtrrisë pritet të shqiptoj vërejtje ndaj shefit të repartit të Gjinekologjisë, Blerim Feka, për incidentin e ndodhur dje ndërmjet shefit dhe një familjari.
Sipas komunikatës së menaxhmentit të spitalit, vërejtja është masë fillestare ndaj shefit të repartit.
“Bazuar në legjislacionin në fuqi, Dr. Feka do të marrë vërejtje nga Këshilli Drejtues, si masë fillestare, deri në përfundim të hetimeve”, duke theksuar se pas paraqitjes së rastit në Polici, Prokuroria në Mitrovicë ka hapur rast ndaj shefit të repartit.
Vendimi për vërejtje ndaj Blerim Fekës është marrë sot, gjatë mbledhjes së Këshillit Drejtues të Spitalit Rajonal në Vushtrri.
Për këtë rast dje ka reaguar edhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar, të cilët kanë dënuar një veprim të tillë.
Çka ka ndodhur dje në Spitalin e Vushtrrisë?
Në Spitalin Regjional në Vushtrri dje ka ndodhur një incident ndërmjet shefit të repartit të Gjinekologjisë, Blerim Feka dhe një familjari.
Familjari ka tentuar të vizitoj pacientën – familjarën e tij, brenda repartit të Gjinekologjisë ndërsa është penguar nga shefi i repartit dhe më pas që të dy janë përplasur ndërmjet vete me fjalë ofenduese.
Familjari të gjithë ngjarjen e ka incizuar me telefon dhe e ka dërguar në media, ai po ashtu rastin e ka lajmëruar në Polici. /Gazeta Shneta/
Përplaset shefi i repartit të Gjinekologjisë në Spitalin e Vushtrrisë me një familjar – VIDEO




