Methadon sol 100ml, 90 shishe, Tramadol 50 mg, 541 ampula dhe Morphine 10mg/ml, 280 ampula janë vjedhur në Depon Qendrore të Barnave.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë vlera totale e produkteve që mungojnë është 1105.92 euro.
Ministria e Shëndetësisë njofton se tre ditë më parë në Depon Qendrore të Barnave është vërejtur se mungojnë disa karrike që kanë qenë në Depo dhe menjëherë ka filluar verifikimi i produkteve të barnave.
Fillimisht është vërejtur se mungojnë 90 copë të sirupit Methadonit, menjëherë është njoftuar Policia e Kosovës.
“Gjatë verifikimit, në prezencë të Policisë së Kosovës, është vërejtur mungesë e sasisë edhe nga produkti Tramadol ampula dhe Morfin ampula. Në bashkëpunim me Policinë e Kosovës është kontrolluar hapësira e Depos Qendrore te Barnave dhe në fund të Depos është vërejtur se është bërë thyerje e murit të Depos nga podrumet e Pallatit të “Rilindjes” , ku sigurimi fizik i depos nuk ka qasje”, thuhet mesë tjerash në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Pas kësaj është vërtetuar edhe vjedhja e produkteve tjera medicinale.
“Pas përfundimit të procedurave nga Policia e Kosovës, nga MPB është kërkuar që të bëhet mbyllja e hapësirës ku është kryer vjedhja brenda depos dhe në orën 18:00 është bërë mbyllja e përkohshme e Depos Qendrore të Barnave”, thuhet po ashtu në komunikatën për media.
Për këtë rast janë duke vazhduar hetimet nga organet kompetente, ndërsa Ministria e Shëndetësisë njofton se është duke marr masa për fuqizimin e sigurisë fizike të depos së barnave./Gazeta Shneta/