Gratë me preeklampsi zhvillojnë një probabilitet më të lartë për atak në zemër dhe goditje në tru sesa bashkëmoshataret e tyre brenda vetëm shtatë viteve të lindjes, me rreziqet që mbeten të ngritura më shumë se 20 vjet më vonë.
Studimi i më shumë se një milion grave shtatzëna është publikuar sot në “European Journal of Preventive Cardiology”.
“Rreziku i lartë i sëmundjeve kardiovaskulare pas preeklampsisë shfaqet në moshat e reja dhe herët pas lindjes”, tha autorja e studimit Dr. Sara Hallum nga Universiteti i Kopenhagës, Danimarkë.
“Kjo tregon se ndërhyrjet për të parandaluar sulmet në zemër dhe goditjet në tru tek gratë e prekura nuk mund të presin deri në moshën e mesme kur ato të kualifikohen për programet konvencionale të shqyrtimit kardiovaskular.”
Preeklampsia prek deri në 8% të shtatzënive në mbarë botën, shkruan Medical Xpress përcjell Gazeta Shneta.
Shenjat mjekësore janë presioni i lartë i gjakut dhe proteina në urinë, të cilat zhvillohen pas javës së 20-të të shtatzënisë ose menjëherë pas lindjes.
Simptomat përfshijnë dhimbje koke të forta, dhimbje stomaku dhe vjellje.
“Gratë mund t’i ngatërrojnë këto si simptoma ‘normale’ të shtatzënisë dhe kështu të mos kërkojnë ndihmë mjekësore derisa gjendja të bëhet e rëndë,” tha Dr. Hallum.
“Shumica e rasteve janë të lehta, por preeklampsia mund të çojë në komplikime serioze për nënën dhe foshnjën nëse nuk trajtohet në kohë.”
Është vërtetuar mirë se preeklampsia predispozon gratë për një probabilitet të lartë për sëmundje kardiovaskulare më vonë në jetë.
Ky ishte studimi i parë që shqyrtoi se sa shpejt pas shtatzënisë manifestohen këto sulme në zemër dhe goditje në tru, dhe madhësinë e rrezikut në grupmosha të ndryshme. /Gazeta Shneta/