Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) bëri thirrje të mërkurën për forcimin e rrjeteve globale të zbulimit për virusin e gripit të shpendëve H5N1, i cili infektoi një numër të madh të llojeve të kafshëve.
Në fillim të këtij muaji, virusi H5N1 u zbulua në përqendrime shumë të larta në qumështin e papërpunuar ose të papasterizuar nga lopët e infektuara—një zhvillim befasues për ekspertët sepse ato nuk mendohej se ishin të ndjeshme ndaj këtij lloji të gripit, raporton AFP përcjell Gazeta Shneta.
Ndërsa mbikëqyrja e shpendëve është tashmë shumë e zhvilluar, “ajo që ne me të vërtetë kemi nevojë globalisht është një mbikëqyrje e fortë në specie të ndryshme shtazore”, tha Maria Van Kerkhove, e cila drejton departamentin e urgjencave dhe parandalimit të pandemisë në OBSH, gjatë një konference për shtyp në Gjenevë.
Mbikëqyrja e shtuar duhet të shtrihet tek qumështi dhe produktet e qumështit për të siguruar “që njerëzit janë të mbrojtur”, theksoi Van Kerkhove.
Ajo vuri në dukje se pasterizimi, i cili përfshin ngrohjen e qumështit për të vrarë mikrobet, është i rekomanduar dhe i sigurt.
Aktualisht nuk ka prova të transmetimit nga njeriu te njeriu, por zyrtarët shëndetësorë kanë frikë se nëse virusi përhapet gjerësisht, ai mund të ndryshojë në një formë që mund të kalojë mes njerëzve.
“Çdo mundësi që ky virus ka për të vazhduar të qarkullojë, të vazhdojë të përzihet me speciet e kafshëve… ai ka potencialin të shkaktojë një epidemi dhe shpërthim dhe potencialisht të bëhet një virus që ka atë potencial pandemik,” tha ajo.
Gripi i shpendëve A(H5N1) u shfaq për herë të parë në vitin 1996, por që nga viti 2020, numri i shpërthimeve te zogjtë është rritur në mënyrë eksponenciale, krahas rritjes së numrit të gjitarëve të infektuar.
Ky lloj ka çuar në vdekjen e dhjetëra miliona shpendëve, me zogj të egër dhe gjitarë tokësorë dhe detarë të infektuar gjithashtu. /Gazeta Shneta/