Në rubrikën e “Mjekut të Javës”, kemi kënaqësinë të prezantojmë Dr. Nerxhivane Halimi, Specialiste e Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Kur themi prezantimin, nënkuptojmë një pamje nga afër të klinikës që në dukje nga hapësira mbetet e vogël, ama nga brenda – muret kanë skalitur historitë më të mëdhaja të të gjitha sëmundjeve – si portë e parë hyrëse që ne trokasim në çdo moment për të kërkuar ndihmë!
Dr. Halimi sjellë rrëfimin e saj, ndan vështirësitë e punës dhe rekomandimet për një klinikë më të fuqishme të Emergjencës dhe me një mbarëvajtje të punës me krah të lehtë.
RRUGËKALIMI I VENDEVE PËR NË MJEKËSI
Rrugëtimi i Dr. Halimi ishte i veçantë, e lindur në Prishtinë ku hapat e parë i mori në shkollën fillore “Pjetër Bogdani”, dy vitet e parë të gjimnazit i përfundoi në shkollën e mesme “Sami Frashëri”, për të vazhduar me dy vite të tjera në shkollën mjekësore “Ali Sokoli. Ajo na tregon se profesionin e mjekes e kishte përherë në qef dhe me plot dëshirë e kishte zgjedhur atë, ndonëse babai, shpesh kishte ndërhyrë që të ja ndërronte mendje asaj për drejtimet në ekonomi.
Gjenerata e Dr. Halimi kishte nisur rrugëtimin në vitin 1981/82 në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, për të vazhduar me sfidat e kohës dhe përpjekjet për të shkëlqyer në profesion. Tekstet në gjuhën serbo-kroate, situatat e zhvilluara të përcjellura me demostrata, problematikat në gjetje të literaturës, ishin disa nga çështjet që ajo i shtjelloi me ne, mirëpo nuk harron të vë në pah një detaj të rëndësishëm “me gjithë përpjekjet dhe vështirësitë e asaj kohe, të them të drejtën ka qenë një sistem i mirë ku sa i përket pjesës praktike, ke mësu shumë, jemi shpërnda kah 3-6 student dhe i kemi kushtu kujdes të madh pjesës klinike, për dallim prej asaj që po e shohim sot”.
Pas përfundimit të Fakultetit të Mjekësisë dhe marrjes së titullit të çmuar të mjekes, Dr. Halimi na tregon se mjekët e rinj në atë kohë gjithnjë i shpërndanin në periferi për të ofruar shërbimet e tyre mjekësore dhe kështu ajo filloi punën në fshatrat Hade dhe Sibovc, për të punuar veç 6-muaj pas mbylljes së ambulantave në atë kohë të vitit 1989.
Më vonë, nga rrethanat e krijuara, Dr. Halimi, vendos që të kthehet në shkollën e mesme ku filloi rrugëtimin e saj, tanimë si profesoreshë e lëndës së “Higjienës” dhe “Pediatrisë”. Në ato kohërat e vështira, të kthyera pas, ajo shkëput një moment nga kujtimet e saja:
“Vitin 91/92.. pranohna si profesoreshë në “Ali Sokol” në Prishtinë dhe ndërkohë kemi qenë në këtë lagjen e spitalit, vitin e parë u kanë shkolla jashtë objektit, nëpër shtëpi ka qenë mizerije, kanë qenë do shpia disi pa bone meremert, pa dritare, pa dyert, najllon apo plastmase i vnojshin në dritare – nga nji bllok edhe nji shilte, i merrshin fëmija edhe u ulshin, pa kurrëfarë kushte..”.
“…shkollë të mesme të mjekësisë kom punu 5 vjet, …kushtet kanë qenë të vështira por fëmijët kanë qenë dukat, kanë qenë të etur për dituni, sa na jepke edhe neve vullnet,…kurrë se harroj bash këtu në lagjen të spitalit, vitin e parë që dulem prej objektit edhe klasa me 45-nxansa ishim edhe u ndëgjun sirenat, e ndjekshin dikon policia asajkohe edhe përnihere veç jemi nal – ndërprene, ulnuni poshtë – ju thashë…, u frigun fëmija, se erdhën dy patrulla të policisë edhe na shkoj ora… ata u sillshin aty pari nashta veç sa me na frigu…, i kqyrsha fëmijët, 16-17 vjeç se jonë kanë viti i dytë, …mjaft ka këtu prej asaj gjenerate, ka në ndihmë të shpejtë prej tyne, nji numër i madh kanë kry studimet sot jonë mjek, edhe kur i shoh ka kardiologa, e neurologa, qato gjenerata kanë qenë të shkëlqyshme drejtë me të thanë se kanë pas shumë motiv me punu”.
Në shtatorin e vitin 1999, filluan të shpërndaheshin specializimet, e gjendur mes dy zgjedhjeve – radiologjisë dhe emergjencës, Dr. Halimi shkon me specializim të emergjencës, si nënë e katër fëmijëve!
Ende më të bukur e bën këtë fakt, që koha e Dr. Halimi ishte kohë e artë e bashkëpunimeve të ligjeruesve nga SHBA me ndihmën e ambasadës amerikane – profesorët nga Universiteti “Johns Hopkins” dhe “Rochester”, ligjeronin lëndën e emergjencës duke përfshirë edhe pjesën praktike. Për këtë gjë, Dr. Halimi ndihet krenare duke cekur se “jemi të diplomuar nga profesorët e Universiteteve “Rochester” dhe “Johns Hopkins”. Mes tjerash ajo falenderoi edhe anesteziologun Dr. Dukagjin Binishi me veprimtari në SHBA që kishte dhënë kontributin e tij në sjelljen e ligjeruesve nga SHBA.

Viti 2004 shënon fundin e etapës së specializimit të Emergjencës dhe marrjen e titullit – Specialiste e fushës. Dr. Halimi edhe pas shumë sfidave duket se asnjiherë nuk u ndje e penduar me zgjedhjen e saj!
KAPITULLI JETËSOR I SHKRUAR NË EMERGJENCË
Me një përvojë 33-vjeçare në total, Dr. Halimi rrëfen momente kulminante nga kujtimet e saja gjatë punës dhe kujdestarive në festa dhe në përditshmëri.
Mes rreshtat, ajo zbulon se si pas COVID-19 janë shtuar rastet të insultit cerebrovaskular në mesin e të rinjve e cila ishte më parë një karakterstik që ata e kishin parë tek të moshuarit më shpesh.
Për një ndërhyrje të shpejtë dhe historike në lëvizje, Dr. Halimi tregon se si arriti të zbuloj që një 21-vjeçar ishte duke u përballur me një gjendje të rrezikshme që kërkonte ndërhyrje të menjëhershme:
“Ky rast u kanë para 4 -vjetëve, vjen nji djalë i ri 21, 22-vjeç, edhe e kqyrë nji doktoreshë prej këtyne të rejave edhe thotë është neurozë, edhe po e shoh atë djalë, rasisht um shkojnë sytë t’u hi në reanimim i kishë ra dora jashtë shtratit,… kqyrë thash çfarë neuroze, zakonisht ‘neuroza ja shtrëngohen ja dihen ato rastet neurotike’, pe marr e ekzaminoj në aspektin neurologjik, njona anë veç patë fillu me paralizu, … bi poshtë ju thom shpejt nji Angio CT, ai radiologu Dr. Gazi ke kujdestar,.. mos bo hajgare ma boni ai djalë i ri 21-22 vjet me Angio CT, unë i thash – kom deficit arsyjen nuk pe di pse qikjo e para po shkon ndërmend, ja bonëm skanimin, tu ja bo, ai e sheh që është mbyllë ena e gjakut, e thirrë Dr. Bujarin, edhe ai vjen prej shpisë edhe brenda 2-ore, e kanë shti në sallë, radiologët edhe neurologët, kur u dal djali me durt përpjetë…edhe pështoj! Nëse nuk kishim ndërhy në kohë, ai djalë ishë mbetë i paralizum tonë jetën…”.
Për një ndodhi të tillë kishte raportuar dhe Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK), duke shënuar kështu një ngjarje momentum të reagimit të mjekëve në QKUK, ndonëse shpjegimi i Dr. Halimi nga afër përherë ngjallte emocionet më lartë.
Vendi i Klinikës Emergjente në QKUK, janë rrugët ku kryqëzohen të gjitha sëmundjet në një pikë.
“Kemi pas tri raste të randa këtë vit, në natën e vitit të ri, se përveç këtyne me lëndime të gishtave, kemi pas dy me lëndime të randa të fytyres, bile ata të rritun kanë qenë,.. nji vajzë e kemi pas nji rast interesant, jonë dal në oborr kanë fillu me qitë petarde, edhe ajo përnihere thotë, barku- barku- barku, e marrin vllaznia edhe e shtijnë brenda, nga dhimta e madhe e bin në emergjencë për krahu, .. korridorë jom qëllu edhe kur e pash ish zbehë, edhe ju thash shtrine qitu, kur po thotë ‘sdi bre a këto petardet, po nuk qiten këtu ngatë, po njana um ka ra në bark um ka sakatu krejt..,“.
“Si ka ra petardia hiq…. Neise, shtrine i thash, edhe gjane nji rruge venoze se ish zbehë thash të ja jepim nji infuzion, edhe i thash vajzës, a bon me pa une qatë vend ku po ndin dhimbje e kqyri bluzen e çkyme, trenerka e shpune, kur e shoh nji plagë 4-mm me plumbë…plumbat që i kanë gjujt përpjetë, fati i sajna ka gjujt dikush prej kojshive edhe e ka rrokë vajzen 25, 26-vjeçe…..bile nuk e kane ditë as familjarët, as që ka kqyre vajza,…,plumbi kah shkon sos, edhe për ata, gjakderdhjen e shkakton brenda – jo nga jashtë, vetëm nëse është ndonjë enë të madhe të gjakut”.
Rastet me abuzime të lëndëve narkotike sa janë të shpeshta aq dhe të përcjellura me rreziqe. Dr. Halimi ndan disa nga momentet e përballjes me gjendje të tilla:
“Kemi raste, me substanca narkotike, shpesh herë kur është shku edhe në vdekje klinike se kanë abuzu me doza… duke shku ne overdozë, ato raste se pari trajtohen te ne, mandej Psikiatria na i merr kur të stabilizohen komplet.
“Brenda vitit 500-600 raste janë me narkozë, ku 90 për qind janë të rinjtë, kemi pas raste duke fillu prej moshës 14-vjeçe …pacientët nuk tregojnë se çfare substance jonë tu i përdorë, na i vrejmë bazë shenjave klinike … dhe varet se çka merr, ama në përgjithësi na i bojmë analiza të gjakut, se nuk kemi laborator toksikologjik edhe në bazë të disa simptomave si rritja ose zvogëlimi i bebëzave të syrit, ata vinë në gjendje të agjitume, disa bin në arrest kardiak ku atëhere i kemi do antidota për disa lloje të drogave…”.
“Qe rast konkret 14-vjeçarit, i nji fshati të Gjilanit, baben në Gjermani – tri vajza, ajo gruja dhe qatë djalë 14-vjeçar, nana e vet thojke që është shku në shitore dhe ka ble coca-cole e ka pi,.. u kthy shpi u ra… vjen te na me nji bradikardi – kqyre çka ka, e qojmë me analiza, hala pa na u kthy analizat na bjen arrest kardiak e kthejmë, tu mendu u shku në shitore, u kthy ka ble nji coca-cole, çka ka mujt me ndodhë prej coca-cole deri në shitore???”.
Pas dhënies së antidotit, Dr. Halimi tregon se nga ky dyshim i parë rreth abuzimit me substancë narkotike, djaloshi ishte zgjuar. Mes tjerash, ajo tregon se në këso raste as të rinjtë dhe as të vjetërit nuk tregojnë se janë ose kanë abuzuar me substanca.
Përveç, kësaj në Emergjencë – rastet të shpeshta janë edhe ato të llojeve të lëndimeve trupore dhe dhunës në familje.
“Nëse marrim rrahjet, therjet këto jonë mjaft të shpeshta mundemi me llogaritë 3-4 në ditë, sa i përket dhunës familjare, na gjithmonë e thirrim policinë, nuk e pyes pacientin a don me fol a jo, une e lajmëroj policinë, ndaqin ata me ja pranu fajin ose jo, është problem i tyne ndërsa ka edhe raste kur kallëzojnë vet pacientat”.
PËRBALLJA ME SFIDAT TË NJËJTA NDËR VITE NË EMERGJENCË
Si pjesë e komitetit mjekësor, Dr. Halimi ndan disa nga problemet që e kanë përcjellur ndërvite Klinikën Emergjente në QKUK.
Së pari fillon me ikjen e stafit mjekësor, arsimimit më të mirë dhe papunësisë. Mirëpo ajo se çfarë theksonte më së shumti në mbarëvajtjen e punës është hapësira e vogël e Klinikës Emergjente në QKUK.
“Sa i përket emergjencës, gjithmonë u kanë hapësirë e vogël, haraçin ma të madh e kemi pagu gjatë pandemisë me Covid ku të gjithë kah tri herë jemi infektu me covid, une katër here jom infektu me Covid, plus burrin e kom pas në gjendje të randë – katër muj me oksigjen, qiky renovim i Emergjencës është i treti apo i katërti, prap nuk e shohin të arsyshme me zgjonu hapësirën, këto jonë ‘renovime kozmetike’ për neve”.
“Sa pacienta qarkullojnë brenda ditës, 300 pacienta brenda 24 orëve, llogarite ti me kah dy përcjellës familjar …, hapësira është 600 metra në katror, …pak, shumë pak për Emergjencë”, ka thënë Halimi.
Sfidë e madhe e punës në përditshmëri po del të jetë edhe ngarkesa e madhe që po i bëhet kësaj klinike, nga sjellja e rasteve prej spitaleve regjionale, ku shumë prej tyre kanë hapësirë të trajtohen në qytetet përkatëse, me specialistët e tyre, shton ndër të tjera, doktoresha.
Me theks të veçantë, Dr. Halimi ka ngritur disa çështje të rëndësishme me redaksinë tonë, duke përmendur nevojën urgjente për repartin e shërbimeve paliative, geriatrike dhe traumatologjisë.
“…. vjen trauma qe rast konkret, sa është e rëndësishme traumatologjia, ka lëndime në gjoks dhe kokë, ka thymje të kamve, ortopedi thotë qysh me marr une kur ka lëndime edhe në gjoks dhe kokë, ku mi qu t’i ata, mbesin në emergjencë, njëjtë thotë edhe kirurgu torakal dhe neurokirurgu,… qe ky rast ish dasht me shku në traumatologji, bohet reparti apostofat e kontrollon ortopedi edhe kirurgu torakal edhe neurokirurgu edhe nuk vyn shumë… vyn nji vend me dhjetë shtrata, nji traumatologji e vogël po shumë funksionale, që mos me qitë pozitë të keqe as ortopedin, as neruokirurgun e as kirurgun torakal. Asnjani nuk mundet me marr me tri lëndime në klinikën e tyne”.
PJESA MË E VËSHTIRË E TË QENURIT MJEKE
Pjesa më e vështirë e të qenurit një mjeke dhe nanë – Dr. Halimi tha se ky profesion që e deshti më shumë se gjithçka – padyshim që kishte lënë pasoja edhe në familje.
“Si prind si nanë, është e vështirë kurrë nuk mundesh m’i ofru fëmijëve krejt çka dojnë, jo çka duhet, se është nji ngarkesë shumë e madhe…edhe, a m’ beson se nuk isha në gjendje me fol me fëmijun tem kur kishe nji kërkesë, isha aq e lodhun saq nuk isha në gjendje me punu me ta. Në anën tjetër, asht ana profesononale që len pasoja sidemos emergjenca. Ke të bëjsh me raste të ndryshme, jonë çështjet si lëndimet ose rrëzumjet që jonë inkopatibile me jetën, nuk mundesh me i ndihmu, lëndimet jonë aq të mëdha…në ato momente edhe stresi, ato fytyra te mbesin përpara me vite tana”.
Se stresi është në nivel maksimal në Klinikën e Emergjencës, Dr. Halimi kujton një rast kur sytë iu ishin errësuar dhe kishte lëshuar një zë të lart në sallë:
“…um ka ndodhë para nji kohe, ai stresi aq shumë ka lanë pasoja, e bin nji vajzë me traumë të randë, edhe um përngjajti në vajzën tem, edhe ja kom nis me piskat, ja kom nis me ju thanë… kuku çika jeme, kur ju kom afru, kurrë se harroj, Dr. Destani u kanë aty, um largoj edhe um thotë nuk është qika jote, edhe jom dal jashtë tu u dridhë..,”.
Për fund, ne pyetëm Dr. Halimi se a do e rekomandonte këtë specializim tek studentët e mjekësisë. Ajo gjatë mesazhit të saj, pesë herë përmendi fjalën ‘kënaqësi’ dhe vetëm një herë fjalën ‘sfidë’ dhe ‘e randë’.
“Është sfidë, veç është edhe kënaqësi, e sheh që po ja pështon jetën dikujt është kënaqësi, e din që ish dekë po ti e ke nxjerrë është kënaqësi …i ndihmon ndoshta ja lehtëson gjendjen prap është kënaqësi, shihen frytet tuja, ku shihen ashtu e ndin veten mirë.. është e randë por kënaqësi, ndër lamitë që e ndjen vetën e përmbushne…”. /Gazeta Shneta/


