Artriti reaktiv është gjendje autoimune e cila lajmërohet si kundërveprim ndaj një infeksioni diku tjetër në organizëm.
Shkruan: Prof.ass. Dr Ali Z. Lahu internist- reumatolog
Kryemjek në Kl. e Reumatologjisë- ShSKUK.
Kryetar i SH.R. të Kosovës.
Është spondiloartropati seronegative që pason një infeksion urinar, gastroenteral apo nazofaringeal, shoqëruar zakonisht me :
HLA B27 pozitiv dhe ANA e FR negativ, sakroiliit të njëanshëm dhe artrit të nyjeve periferike, zakonisht: artikulacionit të gjurit dhe atij talokrural.
-Në cilat mosha haset më shpesh?
E hasim në mes moshës 20- 40 vjeçare.
Sëmundja zakonisht fillon me pengesa urinare, apo gastroenterale, më pas lajmërohet artriti dhe fare në fund konjunktiviti.
Cilët janë shkakëtarët e artritit reaktiv?
Shkaktarët e Artritit reaktiv janë të shumtë.
Ata i ndajmë në tri grupe:
- Shkaktarët klasikë
- Shkaktarët e rinj
- Shkaktarët e mundshëm
Si bëhet diagnostikimi?
Diagnoza vendoset duke filluar nga:
- Ekzaminimi fizik
- Klinika
- Kriteret diagnostike
- Laboratori
- Ekzaminimet imazherike
- Ekzaminimet mikrobiologjike
- Ekzaminimi i lëngut sinovial etj.
Nga cilat sëmundje duhet diferencuar artritin reaktiv?
Artriti reaktiv duhet diferencuar nga:
1.Artriti reumatoid seronegativ
2.Spondiliti ankilozant
3.Ethet reumatike
4.Artriti bakterial
5.Artriti urik
6.Artriti psoriatik
7.Artriti juvenil idiopatik dhe
8.Sindroma Löfgren
Cilat janë parimet e mjekimit ?
Parimet e mjekimit të artritit reaktiv janë tre:
- Mjekimi dhe eradikimi i shkaktarit të infeksionit
- Mjekimi i artritit(ARJS)
- Mjekimi dhe prevenimi i artritit kronik agresiv (DMARDS dhe substancat biologjike).
Mjekimi fillohet me antireumatikë josteroidë (zakonisht Indometacinë, ibubrufen etj).
Nga stadi i zhvillimit të sëmundjes varet: lloji, doza dhe kohëzgjatja e terapisë.
Në fazën akute te rastet e rënda lejohet përdorimi afatshkurtër i kortikosteroideve me veprim të gjatë në mënyrë lokale, kurse përdorimi sistemik është i diskutueshëm.
Me izolimin e shkaktarit, në bazë të antibiogramit, fillojmë menjëherë me antibiotikë të cilët i përdorim deri në eradikimin e plotë të shkaktarit.
Në cilët antibiotikë janë të ndjeshëm shkaktarët e Artriti reaktiv?
Zakonisht shkaktarët e deritanishëm të artritit reaktiv janë të ndjeshëm në:
- Makrolide
- Kinolone
- Tetraciklina (shkaktarët urogjenitalë)
- Penicilina
- Aminoglikozide
- Cefalosporina dhe
- Sulfonamide (shkaktarët gastrointestinalë dhe nazofaringealë)
Cilat substanca farmakologjike veprojnë në fazën kronike të sëmundjes?
Në rastet kronike, posaçërisht te pacientët me ndryshime në lëkurë dhe thonj, barëra të zgjedhura janë:
– Metothrexati në dozë 15 mg, një herë në javë.
– Azathioprina 1-2 mg/masë trupore, është treguar i suksesshëm pas 4-8 javësh.
Te pacientët me klinikë të rëndë të sëmundjes, e shoqëruar edhe me gastroenterit, aplikimi i Sulfasalazinës ka dhënë rezultate të mira në dozë prej 2-3 gram në ditë/masë trupore.
Manifestimet jashtëartikulare në lëkurë dhe sy, trajtohen në bashkëpunim me dermatologun dhe oftalmologun.
Kur nuk arrihet suksesi i dëshiruar, atëherë rezultate të mira jep edhe:
– ETANERCEPTI jepet në dozë 50 mg. subkutan si bllokator i TNF-së. Merret një herë në javë
– INFLIXIMABI
në dozë 3-5 mg/masë trupore, në javën e parë, pas dy javësh doza e dytë dhe pas 1 muaji – doza e tretë, për të vazhduar pastaj çdo 8 javë.
– TOCILIZUMABI
Është antitrup i humanizuar i interleukinës 6. Mund të jetë opsion në rastet refraktare në terapinë me modifikues të sëmundjes dhe ARJS.
– SECUKINIMABI
Njihet si frenues i inerleukinës 17. Ka treguar rezultate të mira në dy raste, ku anti TNF preparatet nuk kanë dhënë rezultatet e duhura pasi kishim të bënim me artrit kronik agresiv të formës së rëndë. Përndryshe efekti i tij te artriti psoriatik është i mirë.
Ky bar te Artriti reaktiv është në shqyrtim e sipër.
Cila është prognoza e sëmundjes?
-Në 35% të pacientëve me Artrit reaktiv, sëmundja për 6 muaj deri në një vit, kalon në gjendje të qetësisë dhe asnjëherë nuk recidivon.
-Në 35% të rasteve tjera, sëmundja mund të recidivojë, kurse në 25% ataku inicial asnjëherë nuk ka remision.
-Mbetja prej 5% u takon deformiteteve që mbesin nga kjo sëmundje.
Po roli i terapisë fizikale , cili është në këto raste?
Terapia fizikale ndikon pozitivisht në përmirësimin e funksionit të nyjeve. -Ushtrimet janë me vlerë në forcimin e muskujve periartikular, ngase rrisin fleksibilitetin e nyjeve dhe zvogëlojnë shtangimin e tyre.
-Artriti reaktiv, të shumtën e herave ka një prognozë të mirë quoad vitam et quoad functionem!


