Rreziku për t’u shtruar në spital me sëmundje të zemrës është dyfish më i lartë për nënat e binjakëve krahasuar me ato që lindin një fëmijë të vetëm.
Sipas një studimi të publikuar në revistën “European Heart”, rreziku për t’u shtruar në spital me sëmundje të zemrës gjatë vitit të parë pas lindjes është dyfish më i lartë për nënat e binjakëve krahasuar me ato që kanë lindur fëmijë të vetëm, shkruan burimi Medical Xpress përcjell Gazeta Shneta.
Ky rrezik është edhe më i madh te nënat e binjakëve që kanë pasur probleme me tensionin e lartë gjatë shtatzënisë.
Kërkimi është udhëhequr nga profesori Cande Ananth nga Departamenti i Obstetrikës, Gjinekologjisë dhe Shkencave Riprodhuese në shkollën mjekësore “Rutgers Robert Wood Johnson”, Nju Xhersi.
Ai tha se: “Shkalla e shtatzënive me binjakë është rritur ndjeshëm në dekadat e fundit, kryesisht për shkak të trajtimeve të fertilitetit dhe moshës më të madhe të nënave. Studimet e mëparshme nuk kanë treguar rrezik të shtuar afatgjatë për sëmundjet kardiovaskulare, por kjo bie ndesh me atë që shohim në praktikën klinike”.
Studiuesit analizuan të dhënat e 36 milionë lindjeve në spitale në SHBA, të mbledhura nga databaza “Nationwide Readmissions”, nga viti 2010 deri në 2020.
Krahasuar me nënat që kanë pasur një fëmijë dhe tension normal, gratë që lindën binjakë me tension normal ishin afërsisht dy herë më të rrezikuara për t’u shtruar në spital për sëmundje kardiovaskulare. Për ato që kishin binjakë dhe probleme me tensionin e lartë, rreziku ishte më shumë se tetë herë më i lartë. /Gazeta Shneta/


