Spitali Medical Park në Prishtinë ka filluar të largoj nga puna staf mjekësor.
Së paku dy infermierë të cilët kanë punuar në njërin nga repartet e këtij spitali kanë dërguar një ankesë në adresë të Gazetës Shneta ku kanë deklaruar se ju është bërë e pa drejtë meqë spitali i largoi nga puna me një vendim brenda 7 ditësh dhe pa një paralajmërim paraprak.
Infermierët kanë kërkuar që të mbeten anonim nga frika se dikush do t’iu hakmerret. Ata kanë pranuar që t’ia dorëzojnë redaksisë së Gazetës dokumentet, vendimin për largim nga puna, si dhe korrespodencën e email-ave me zyrtarët e spitalit.
Në këto korrespodenca infermierët kanë pranuar vendimin për largim nga puna në nëntor dhe dhjetor të vitit të kaluar. Bazë për këtë vendim ishte marr një nen i kontratës ku thuhet se palët kanë të drejtë të shkëputin kontratën me njoftim paraprak prej 7 ditësh.

Infermierët kanë thënë se nuk ka pasur paralajmërim për këtë vendim. Sipas tyre, ngjashëm është vepruar edhe me disa kolegë të tjerë.


Por këto pretendime janë mohuar nga Spitali Medical Park. Në një përgjigje për Gazetën Shneta, ata kanë deklaruar se nuk janë të sakta informacionet për largim nga puna të infermierëve.
“Nuk është i saktë informacioni që janë larguar nga puna një numër i madh i infermierëve. Përkundrazi ne vazhdimisht jemi duke rekrutuar staf të ri që janë të dëshmuar profesionalisht jo vetëm staf vendor por edhe ndërkombëtar”, thuhet në përgjigjen e spitalit.
Ata thonë se nuk janë duke u përballur me krizë financiare, dhe se spitali është duke funksionuar me të gjithë resurset sipas licencës të lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë. /Gazeta Shneta/




