Close Menu
Gazeta ShnetaGazeta Shneta
  • Lajme
  • Teknologji
  • Mjeku juaj
  • Këshilla për shtatzëna
  • Femina
  • Jetë
  • Publikime
  • Psikologji
  • Logopedi
  • Fizioterapi
Facebook X (Twitter) Instagram
Facebook X (Twitter) YouTube
Gazeta ShnetaGazeta Shneta
  • Lajme
  • Teknologji
  • Mjeku juaj
  • Këshilla për shtatzëna
  • Femina
  • Jetë
  • Publikime
  • Më shumë
    • Psikologji
    • Logopedi
    • Fizioterapi
Gazeta ShnetaGazeta Shneta

‘Mjeku i Javës’ – Çfarë e shkakton ankthin dhe si ta trajtojmë atë? Psikiatri Armend Ademaj flet për format më të zakonshme dhe ndikimin që ka në jetën e përditshme

Mjeku i javës 13/05/2025
Facebook WhatsApp Twitter LinkedIn Reddit Email Telegram
Shpërndaje
Facebook WhatsApp Twitter LinkedIn Email Telegram

Në një kohë kur ritmi i jetës po bëhet gjithnjë e më i shpejtë dhe presionet shoqërore, ekonomike dhe emocionale po rriten, gjithnjë e më shumë njerëz përballen me shqetësime mendore si ankthi. Por ku qëndron dallimi mes një ndjenje normale frike dhe një çrregullimi ankthi? Si ndikon ankthi në trupin dhe mendjen tonë?

Në një intervistë për Gazeta Shneta, psikiatri Armend Ademaj, i cili jeton dhe vepron në Zvicër ka folur në detaje për çrregullimet e ankthit, format e tyre më të zakonshme, ndikimin që ato kanë në jetën e përditshme, si dhe trajtimet më të efektshme që ofron mjekësia dhe psikologjia moderne.

“Ankthi i përditshëm apo ‘frika’ është një emocion normal, fiziologjik dhe i shëndetshëm që secili prej nesh e përjeton herë pas here. Situatat tipike ku shfaqet ankthi i përditshëm janë, për shembull, para një provimi, para një interviste pune, gjatë marrjes së vendimeve të rëndësishme ose kur shqetësohemi për të afërmit tanë. Ky lloj ankthi ka gjithmonë një shkak konkret, është me një intensitet të përshtatshëm dhe zakonisht zhduket sapo kalon situata. Para së gjithash, është e rëndësishme të kuptojmë se ai paraqet një mekanizëm mbrojtës i organizmit, i cili ka ndihmuar njerëzit të mbijetojnë gjatë evolucionit. Që në kohët e hershme, njeriu ka mësuar të njohë rrezikun, për shembull, frikën nga një kafshë më e fortë dhe më e rrezikshme dhe në atë menyrë të zhvillojë strategji për t’u mbrojtur, si ikja, fshihja ose edhe përballja”, thotë Ademaj.

Ademaj thotë se kjo aftësi për të ndjerë frikë dhe për të reaguar shpejt ka qenë jetike në atë kohë për mbijetesën e specieve dhe se me kalimin e kohës, ky mekanizëm mbrojtës ka mbetur i ngulitur në biologjinë e njeriut, edhe pse sot njeriu përballet me rreziqe të tjera, më pak fizike dhe më shumë psikologjike.

“Kur ndjejmë ankth ose frikë para një rreziku, truri ynë aktivizohet përmes një mekanizmi biologjik të saktë: një pjesë e trurit e quajtur amigdala (qendra e emocioneve) percepton kërcënimin dhe dërgon sinjale alarmi te hipotalamusi, një strukturë tjetër që rregullon reagimet trupore. Hipotalamusi aktivizon sistemin nervor simpatik, i cili urdhëron gjëndrat mbiveshkore të lirojnë në gjak hormonet e stresit akut: adrenalinë dhe noradrenalinë. Këto hormone bëjnë që rrahjet e zemrës të përshpejtohen, frymëmarrja të bëhet më e shpejtë, muskujt të tensionohen, shikimi dhe dëgjimi të përqendrohen, dhe sistemi tretës të ngadalësohet – të gjitha këto për të përgatitur trupin për veprim të shpejtë. Nëse rreziku ose friga vazhdon, aktivizohet i ashtuquajturi aksi HPA (hypothalamus-pituitary-adrenal), që stimulon prodhimin e kortizolit, hormonit kryesor të stresit, i cili ndihmon trupin të përballojë stresin për një periudhë më të gjatë”, shprehet Ademaj.

Megjithatë, këto ndryshime bio-fiziologjike nuk garantojnë gjithmonë që njeriu të reagojë në mënyrën më të mirë ose më të arsyeshme. Përkundrazi, kur intensiteti i ankthit bëhet shumë i madh, trupi mund të mbingarkohet, të humbasë koordinimin dhe të reagojë në mënyrë të tepruar ose të padobishme.

“Kur ky mekanizëm natyral aktivizohet vazhdimisht ose pa ndonjë rrezik real, ai shndërrohet nga një sistem mbrojtës në një burim vuajtjeje. Ky është thelbi i asaj që quajmë çrregullim i ankthit. Në këtë gjendje, amigdala mundet të bëhet tepër e ndjeshme dhe kështu jep alarme false, ndërsa hipotalamusi dhe gjëndrat mbiveshkore vazhdojnë të prodhojnë hormone stresi edhe kur nuk ka kërcënim të vërtetë. Kjo sjell tension të vazhdueshëm, shqetësime emocionale dhe simptoma trupore si marramendje, djersitje, rrahje të forta të zemrës, por edhe ndjesi sikur po humbim kontrollin”, thotë psikiatri.

“Në vend që të na ndihmojë, ky reagim kronik e dëmton organizmin dhe kufizon ndjeshëm jetën e përditshme, duke çuar në gjendje si ankthi i përgjithësuar, sulmet e panikut, fobitë specifike ose shmangien sociale. Pra, ndërsa ankthi i përditshëm është një pjesë normale e jetës dhe një ndihmës i dobishëm në situata të caktuara, çrregullimet e ankthit lindin kur ky mekanizëm biologjik është i mbingarkuar, nuk fiket siç duhet dhe e mban trupin në një gjendje alarmi të panevojshme dhe të dëmshme”, shton ai.

Psikiatri thotë se kur mekanizmi biologjik i ankthit aktivizohet vazhdimisht dhe pa ndonjë rrezik real, ai fillon të ndikojë thellësisht në përditshmërinë tonë, duke shkaktuar pasoja në disa nivele: ato trupore/fizike, psiqike/emocionale dhe ato sociale.

“Zakonisht së pari paraqiten simptomat trupore (fizike) për shkak të reagimit biologjik të organizmit ndaj stresit të brendshëm dhe alarmit të vazhdueshëm. Këto simptoma përfshijnë: rrahje të shpejta të zemrës, marramendje, dhimbje koke, ndjenja mbytjeje ose mungesë ajri, djersitje të tepërt, dridhje, tension dhe dhimbje muskulore (sidomos në qafë, shpatulla dhe shpinë), shqetësime në stomak ose zorrë (si dhimbje barku, diarre ose ndjesi shtrëngimi), tharje të gojës, ndjenja mpirjeje ose pickimi në gishta, si edhe pagjumësi ose gjumë të parehatshëm”, tha Ademaj.

“Së dyti, paraqiten simptomat psiqike ose emocionale, që lidhen me përjetimin e vazhdueshëm të frikës dhe shqetësimeve mendore sikur: mendime të pandalshme dhe shqetësuese (rreth dështimit, rrezikut, të ardhmes), ndjenja pafuqie ose humbjeje të kontrollit, frikë se diçka e keqe do të ndodhë, ndjenja të thella frike ose ankthi të pajustifikuar, nervozizëm, irritim, si edhe vështirësi në përqendrim dhe marrje vendimesh. Pastaj së treti, paraqiten pasojat sociale, që lidhen me ndikimin e ankthit në sjelljen dhe marrëdhëniet tona”, u shpreh ai.

“Njerëzit fillojnë të shmangin situata, vende ose persona që u shkaktojnë ankth, tërhiqen nga jeta sociale, ndihen të izoluar dhe të vetmuar, kanë vështirësi në punë, shkollë apo në detyrimet familjare, dhe marrëdhëniet me të tjerët tensionohen. Si rezultat, cilësia e jetës bie ndjeshëm dhe aktivitetet që më parë sjellnin gëzim nuk duken më tërheqëse”, ka thënë Ademaj.

Pra, kur ankthi kapërcen funksionin e tij mbrojtës dhe shndërrohet në një gjendje të vazhdueshme alarmi, ai nuk kufizohet vetëm te simptomat trupore, por ndikon fuqishëm edhe në shëndetin mendor dhe jetën sociale. Në këto raste, është e rëndësishme të kërkohet ndihmë profesionale për të ndërprerë këtë cikël dhe për të rivendosur ekuilibrin e organizmit”, tha tutje ai.

Sa i përket asaj se cilat janë çrregullimet e ankthit, sipas Ademaj ato mund të shfaqet  në forma të ndryshme, dhe në mjekësi, kryesisht sipas katalogut mjekësor të diagnozave ICD-10.

Njihen këto çrregullime të ankthit:

– Çrregullimi i ankthit të përgjithësuar (Generalized Anxiety Disorder):

Është forma më e shpeshtë e çrregullimeve të ankthit dhe karakterizohet nga ankth i vazhdueshëm dhe i përgjithshëm, që nuk lidhet vetëm me situata specifike, por përhapet në shumë fusha të jetës si puna, familja, shëndeti apo paratë. Përveç shqetësimeve mendore, shpesh shfaqen simptoma trupore si tension muskulor, djersitje, marramendje, rrahje të shpejta të zemrës dhe pagjumësi. Personat me çrregullim te ankthit të përgjithësuar mendojnë vazhdimisht për gjëra të vogla, si: a e kam fikur ngrohjen në shtëpi? a do të shkojë gjithçka keq nesër në punë? a mos po sëmuret fëmija? a kam para të mjaftueshme për të përballuar muajin? Këta persona kanë tendencën të mbizotërohen nga mendime kryesisht pesimiste, të cilat nuk zhduken edhe kur objektivisht gjithçka është në rregull. Edhe në raste kur nuk ka ndonjë arsye reale për shqetësim, ata ndiejnë tension në trup, nuk arrijnë të qetësohen dhe përjetojnë një ndjenjë konstante nervozizmi ose lodhjeje. Shpesh këta persona janë kronikisht të lodhur, edhe pse nuk kanë bërë ndonjë aktivitet fizik të rëndë. Gjithashtu kanë vështirësi për të fjetur natën, sepse mendimet e vazhdueshme dhe shqetësimet i mbajnë zgjuar ose i zgjojnë herët në mëngjes. Si pasojë ditën ndihen prandaj të rraskapitur, të paqetë dhe të paaftë për të shijuar momente relaksi. Kjo gjendje mund të zgjasë me javë, muaj ose edhe vite, duke ndikuar thellë në mirëqenien mendore dhe fizike, si dhe në marrëdhëniet sociale dhe profesionale.

– Çrregullimi i panikut (Panic Disorder)

Ky çrregullim përkufizohet nga sulme të përsëritura paniku (sulme paniku), të papritura dhe shumë intensive, që shoqërohen me simptoma si ndjenja humbjeje të kontrollit, frikë për jetën, rrahje të forta të zemrës, gulçim, dridhje ose marramendje. Personat me këtë çrregullim mund të ndihen në fillim krejtësisht mirë në prani të shumë njerëzve ose në situata të përditshme, por papritur për shkak të një situate të caktuar, qoftë reale apo jo reale, përjetojnë një shpërthim ankthi, ku mendojnë: “Do të vdes! Po më bie të fikët!”. Këto sulme zakonisht zgjasin disa minuta, por pas tyre mbetet një frikë e fortë se mund të ndodhin sërish. Për shembull, një person që ka përjetuar një sulm paniku në autobus fillon të ketë frikë të hipë më në transportin publik, nga frika se mos e përjeton të njëjtën gjë. Me kalimin e kohës, këta persona fillojnë të shmangin gjithnjë e më shumë situatat që i lidhin me sulmet e panikut, veçanërisht ato ku ka shumë njerëz ose ku nuk ndihen të sigurt. Shpesh ata ndihen më të qetë dhe më të sigurt vetëm kur janë pranë një personi të njohur, që e konsiderojnë si një mbështetje ose “person sigurie”. Kjo shmangie e situatave fillon të kufizojë ndjeshëm jetën e tyre, duke i bërë të mbyllen, të ndihen të izoluar dhe të kufizojnë aktivitetet që dikur i kryenin pa problem. Në këto raste, flasim për një çrregullim të quajtur agorafobi. Agorafobia mund të shfaqet si pasojë e sulmeve të panikut, por ajo mund të paraqitet edhe më vete, pa sulme paniku, thjesht si një frikë e fortë nga ndodhia në vende ose situata prej të cilave është e vështirë të largohet ose ku ndihma nuk është menjëherë e disponueshme.

– Fobia sociale (Social Phobia)

Një frikë e fortë dhe e qëndrueshme nga situatat shoqërore ose nga performanca para të tjerëve, për shkak të frikës nga gjykimi ose poshtërimi. Kjo frikë shpesh çon në shmangie të aktiviteteve sociale dhe izolim. Personat me fobi soziale mendojnë vazhdimisht se të tjerët do t’i gjykojnë, do t’i shikojnë keq, do të vënë re çdo gabim që bëjnë ose madje do të qeshin me ta. Në situata të tilla, ndiejnë rrahje të shpejta të zemrës, skuqje të fytyrës, djersitje dhe ndonjëherë dridhje të duarve. Për shkak të kësaj frike, ata përpiqen t’i shmangin mbledhjet, eventet ose takimet sociale dhe shpesh izolohen, edhe pse mund të ndihen të vetmuar.

– Fobitë specifike (Specific Phobias)

Frikëra intensive dhe irracionale ndaj objekteve ose situatave të veçanta (p.sh. frika nga kafshët, gjilpërat, lartësitë, gjaku ose fluturimi). Personi e di që frika është e tepruar, por nuk mund ta kontrollojë dot. Vetëm ideja për t’u përballur me objektin e frikës i shkakton simptoma si djersitje, rrahje të shpejta të zemrës, ndjenja mbytjeje ose frikë ekstreme. Për këtë arsye, ata bëjnë gjithçka për ta shmangur situatën, edhe kur kjo ndikon negativisht në jetën e tyre, si p.sh. refuzimi i një udhëtimi të rëndësishëm.

– Çrregullimi obsesiv-kompulsiv (OCD – Obsessive-Compulsive Disorder)

Ky çrregullim karakterizohet nga obsesione, pra mendime, imazhe ose impulse të padëshiruara dhe shqetësuese, të cilat personi nuk i kontrollon dot dhe që i shkaktojnë ankth të madh. Për t’i ulur këto ndjenja ankthi, ai fillon të kryejë kompulsione, që janë veprime ose rituale të përsëritura, si p.sh. larja e shpeshtë e duarve, kontrollimi i bravave te deres, renditja e objekteve sipas një rregulli shumë të saktë, ose përsëritja e fjalëve dhe numërimeve në mendje. Nëse këta persona nuk i kryejnë ritualet e tyre, ankthi i brendshëm bëhet aq i fortë sa që shpesh arrin nivele të pakëndshme, që mund të ngjajnë me forma të tjera të ankthit, si sulmet e panikut, tensioni i përgjithësuar, shqetësimet trupore ose madje edhe shmangiet sociale. Megjithëse ritualet i ndihmojnë përkohësisht të qetësohen, në plan afatgjatë ato e mbajnë personin të bllokuar në një rreth vicioz: sa më shumë i nënshtrohet ritualeve, aq më shumë obsesionet forcohen dhe ankthi rritet, duke ndikuar ndjeshëm në jetën e përditshme dhe funksionimin personal, shoqëror dhe profesional.

– Çrregullimi i stresit post-traumatik (PTSD – Post-Traumatic Stress Disorder):

Shfaqet pas përjetimit të një traume të rëndë dhe karakterizohet nga rikujtime të bezdisshme (flashbacks), ëndrra të këqija, ndjesi rreziku, shmangie e kujtimeve të traumës, vështirësi për t’u qetësuar dhe mbingarkesë emocionale. Personat me PTSD përjetojnë një ndjenjë ankthi të vazhdueshëm, sikur rreziku është gjithmonë aty, edhe kur nuk ka më kërcënim real. Ky ankth shfaqet si tension trupor, hipervigjilencë (vëzhgim i vazhdueshëm i ambientit për rrezik, ndjenja të papritura frike ose paniku, si dhe shmangie e situatave që mund të aktivizojnë rikujtimet. Në shumë raste, simptomat e PTSD përzihen me simptoma të tjera ankthi, si sulmet e panikut ose shqetësimet e përgjithshme, duke e bërë të vështirë për personin që të gjejë qetësi ose të ndiejë siguri edhe në situata normale.

Ademaj tutje, shpjegoi lidhje mes ankthit dhe depresionit, duke thënë se ato janë shumë të shpeshta.

“Ankthi dhe depresioni kanë shpesh arsyje si dhe rrënjë të përbashkëta biologjike, psikologjike dhe sociale. Ato krijojnë një rreth vicioz: ankthi mund të çojë në depresion dhe depresioni mund të shtojë simptomat e ankthit. Studimet tregojnë se rreth 50–60% e personave me çrregullim ankthi, në një moment të jetës së tyre, zhvillojnë edhe një episod depresiv. Ndërsa nga ana tjetër, rreth 70% te personave me depresion përjetojnë gjithashtu simptoma të shprehura ankthi, si p.sh. shqetësime të vazhdueshme, tension trupor, ndjenja frike, mendime katastrofike ose madje edhe sulme paniku. Poashtu rreth 30% e personave me depresion nuk kanë vetëm simptoma të lehta ankthi, por përmbushin plotësisht kriteret klinike për një çrregullim të veçantë ankthi”, u shpreh Ademaj.

Psikiatri theksoi se ankthi është më i përhapur te gjinia femërore dhe kjo lidhjet shumë faktorë, sipas studimet epidemiologjike ndërkombëtare tregojnë qartë se çrregullimet e ankthit janë dukshëm më të përhapura (rreth dyfish më shumë) tek gratë sesa tek burrat.

“Shpjegimet janë të shumta: ndikimi i hormoneve femërore (si estrogjeni dhe progesteroni), prirja më e lartë për ruminim (mendim i përsëritur mbi problemet), normat sociale që ushtrojnë presion më të madh mbi gratë, si dhe përvoja më e shpeshtë e traumave (psh. abuzim seksual ose dhunë në familje). Këto studime nga vende të ndryshme tregojnë gjithashtu se prevalenca e ankthit nuk është e njëjtë në të gjithë botën, diku është më e lartë, diku më e ulët, por këto shifra nuk tregojnë domosdoshmërisht se njerëzit në disa vende kanë më pak ankth. Përkundrazi, shpesh bëhet fjalë për mënyrën si perceptohet dhe raportohet ankthi, si dhe për ndikimet kulturore dhe sociale”, tha Ademaj.

“Një shembull i qartë është SHBA, ku prevalenca e çrregullimeve të ankthit është më e larta në botë, rreth 19–20% e popullsisë çdo vit. Në kontrast, Japonia raporton një nga normat më të ulëta të ankthit (rreth 4–6%). Arsyeja kryesore është stigma kulturore pasi që japonezët shmangin zakonisht të flasin hapur për ndjenjat e tyre ose të kërkojnë ndihmë, nga frika e turpit dhe për të ruajtur harmoninë sociale. Një tjetër shembull i veqante është Irani, ku gratë raportojnë një prevalencë rreth 3 herë më të lartë të ankthit sesa burrat. Kjo diferencë gjinore lidhet ngushtë me presionet e forta sociale mbi gratë dhe kufizimet gjinore që ndikojnë në shëndetin e tyre mendor. Në vendet e Bashkimit Evropian (EU), shëndeti mendor i përgjithshëm është i mirë falë sistemeve të avancuara shëndetësore, por studimet e fundit tregojnë një rritje të ndjeshme të ankthit tek të rinjtë. Kjo lidhet me faktorë modernë si presioni akademik, krahasimi social dhe përdorimi intensiv i mediave sociale, që kanë sjellë një valë të re të shqetësimeve emocionale tek gjeneratat e reja”, ka shtuar Ademaj.

Ademaj tutje tha se rol në përmirësimin e menaxhimit të ankthit ka ndikim të madh stili i jetës që ne bëjmë, ushqyerja, gjumi dhe aktivitetet fizike.

“Po, mënyra si jetojmë, çfarë hamë, sa flemë, sa lëvizim dhe si menaxhojmë stresin luan një rol shumë të rëndësishëm në menaxhimin e ankthit”, tha Ademaj.

– Aktiviteti fizik: Studimet tregojnë se aktiviteti fizik i rregullt, si vrapimi, çiklizmi ose noti mund të ulë simptomat e ankthit deri në 30% te personat që kanë çrregullime të diagnostikuara me ankth (Stubbs et al., 2017). Kjo do të thotë që efektet e ushtrimeve fizike janë krahasueshme me disa trajtime medikamentoze që përdoren për ankthin e lehtë deri të moderuar. Në nivel biologjik, aktiviteti fizik ndihmon duke ulur nivelin e kortizolit (i njohur si hormoni i stresit), duke rritur prodhimin e endorfinës (hormonet e lumturisë) dhe duke përmirësuar funksionin e strukturave të trurit që janë të përfshira në rregullimin e emocioneve, si korteksi prefrontal dhe amigdala. Rekomandohet që çdo person të bëjë të paktën 150 minuta në javë aktivitet fizik të moderuar (psh. ecje e shpejtë, biçikletë e lehtë) ose 75 minuta aktivitet intensiv (psh. vrapim, not me intensitet të lartë), për të përfituar këto efekte pozitive në shëndetin mendor.

– Gjumi: Rreth 50–70% e personave me çrregullime ankthi vuajnë nga probleme me gjumin (Baglioniet al., 2016). Një studim tregoi se njerëzit që flenë më pak se 6 orë në natë kanë dy herë më shumë rrezik të zhvillojnë ankth krahasuar me ata që flenë 7–8 orë. Gjumi i mirë ndihmon në qetësimin e amigdales dhe forcon lidhjet e saj me trurin racional (korteksin prefrontal). Për të ruajtur shëndetin mendor, rekomandohet të flini 7–9 orë në natë si dhe duke ndjekur një orar të rregullt fjetjeje dhe zgjimi.

– Ushqyerja: Një studim i madh sistematik (Firth et al., 2019) tregoi se një dietë e shëndetshme, e pasur me perime, fruta, drithëra integrale, peshk dhe me pak sheqer apo ushqime të përpunuara, lidhet me një ulje prej 25% të rrezikut për simptoma ankthi. Një tjetër studim (Jacka et al., 2010 zbulon se ushqimi jo i shëndetshem shoqërohet me një rrezik rrethë 32% më të lartë për të shfaqë depresione dhe ankthe. Gjithashtu, mikrobioma e zorrëve (flora bakteriale) ndikon në neurotransmetuesit e trurit si serotonina, e cila luan një rol kyç në rregullimin e humorit.

– Menaxhimi i stresit (yoga, meditimi, praktika fetare): praktikat e ndërgjegjësimit, si meditimi dhe yoga, japin përmirësime të dukshme të simptomave të ankthit, me një madhësi efekti të krahasueshme me psikoterapitë tradicionale. Këto praktika ndihmojnë trupin të largohet nga gjendja „fight or flight“ (lufto ose ik) dhe të kalojë në një gjendje më të qetë, duke ulur aktivitetin e sistemit nervor simpatik. Rekomandohet të praktikohen 20–30 minuta në ditë, disa herë në javë. Por jo vetëm kaq: edhe praktikat shpirtërore ose fetare, si falja (namazi në Islam), lutjet, këndimi i mantrave, meditime fetare ose pjesëmarrja në ritet komunitare, kanë treguar efekte pozitive në uljen e ankthit dhe stresit. Këto aktivitete jo vetëm që krijojnë një ndjenjë të strukturës ditore dhe mbështetjes shpirtërore, por gjithashtu ndihmojnë në kultivimin e shpresës, durimit dhe pranimit, gjë që mund të ketë një ndikim të madh psikologjik. Studime të ndryshme kanë gjetur se personat që angazhohen rregullisht në praktika fetare ose shpirtërore raportojnë nivele më të ulëta të ankthit dhe depresionit, si dhe ndjenja më të larta të mirëqenies subjektive. Rekomandohet të praktikohen këto teknika (meditim, yoga, falje, lutje, ushtrime frymëmarrjeje) 20–30 minuta në ditë, disa herë në javë, për të përfituar nga efektet e tyre mbi shëndetin mendor. Këto praktika mund të kombinohen sipas bindjeve dhe preferencave personale, duke krijuar një qasje të personalizuar për menaxhimin e ankthit.

Ademaj ka folur edhe për metodat më të mira të diagnostikimit të ankthit, duke theksuar se më e rëndësishmja është ajo e një konsultimi të detajuar me profesionistët.

“Gjëja e parë dhe më e rëndësishme për të diagnostikuar çregullimet e ankthit është një bisedë e detajuar (anamneza), ku mjeku (psikiatri) ose psikologu pyet për simptomat, kohëzgjatjen e tyre dhe ndikimin që kanë në jetën e përditshme. Për këtë qëllim, shpesh përdoren edhe pyetësorë të standardizuar si GAD-7, PHQ-9 ose Beck-Angst-Inventar, të cilët ndihmojnë për të matur shkallën e ankthit dhe për të pasur një vlerësim më objektiv. Përveç kësaj, është shumë e rëndësishme të përjashtohen shkaqe trupore, sepse disa sëmundje fizike (psh. probleme me gjëndrën tiroide, aritmi të zemrës, mungesa vitaminash) mund të japin simptoma të ngjashme me ankthin. Prandaj shpesh rekomandohet që paralelisht të kontaktohet mjeku i përgjithshëm, i cili përmes një ekzaminimi mjekësor dhe analizave të gjakut, si dhe ndonjëherë përmes një EKG-je (elektrokardiogramë), mund të përjashtojë shkaqe të tjera mjekësore

“Diagnoza përfundimtare e ankthit vendoset nga mjeku specialist (psikiatri) bazuar në sistemin ndërkombëtar të katalogut të mjekësisë, të quajtur ICD-10(International Classification of Diseases, versioni i 10-të). Ky është standardi zyrtar që përdoret për të klasifikuar sëmundjet dhe çrregullimet, përfshirë edhe ato psikike. Për çdo lloj specifik të çrregullimit të ankthit ekzistojnë kritere të qarta diagnostike që duhet të plotësohen sipas këtij sistemi. Vetëm kur këto kritere janë të përmbushura, mjeku mund të vendosë një diagnozë të saktë dhe të fillojë trajtimin e duhur”, u shpreh Ademaj.

Trajtimi i çrregullimeve të ankthit, Ademaj tha se bazohet mbi disa metoda, që shpesh kombinohen për të arritur rezultatet më të mira. Studimet tregojnë se rreth 60–80% e pacientëve përjetojnë përmirësim të ndjeshëm të simptomave kur ndjekin një trajtim të strukturuar dhe të personalizuar.

“Metoda më e rëndësishme është psikoterapia, veçanërisht terapia kognitive-biheviorale (KBT), e cila është treguar në shumë studime si metoda më efektive për trajtimin e ankthit. Gjithashtu terapitë në grup janë veçanërisht të dobishme për ankthin social, duke ofruar mbështetje nga grupi dhe mundësinë për të mësuar nga të tjerët. Në rastet më të rënda, shpesh duhet të kombinohet psikoterapie edhe me medikamente, kryesisht antidepressiv sikur SSRI (si sertralina, escitaloprami, fluoxetini, paroxetina) dhe SNRI (si venlafaksina), të cilat zakonishte japin një reduktim simptomash prej 40–60% pas diku rreth 4–6 javësh përdorimi”, tha Ademaj.

“Gjithashtu edhe Benzodiazepinat (lorazepami, alprozolami, diazepami) janë shumë efikase, mirpo këto duhet të përdoren vetëm në raste të rralla dhe për periudha të shkurtra për shkak të rrezikut të varësisë. Gjithashtu, përdoret Pregabalina, një medikament antiepileptik që ka treguar efikasitet të madh në trajtimin e disa formave të ankthit, sidomos tek ankthi i përgjithësuar”

“Sidoqoftë, pregabalina shoqërohet me disa efekte anësore (si përgjumje, marramendje, shtim në peshë) dhe studimet e fundit kanë ngritur shqetësime për një potencial të shtuar varësie, duke kërkuar kujdes të madh gjatë përshkrimit dhe përdorimit të saj. Nga ana tjetër antidepresivet (SSRI ose SNRI) konsiderohen si medikamente të mirë të përballueshme. Ato duhet të merren rregullisht, çdo ditë në të njëjtën orë, dhe për një periudhë më të gjatë (zakonisht disa muaj)”, ka thënë tutje psikiatri.

Ademaj shtoi se gjatë periudhës që merren medikamentet, është shumë e rëndësishme që herë pas here të bëhen analiza gjaku, për të parë si po i përballon trupi medikamentet. Kjo përfshin kontrollin e funksionit të veshkave dhe të mëlçisë, si dhe matjen e elektroliteve (natrium, kalium, etj.), pasi këto mund të ndikohet nga trajtimi.

Ai tha se në disa raste rekomandohet gjithashtu të bëhet një EKG e zemrës, për të siguruar që gjithçka është në rregull. Kur gjendja përmirësohet, rekomandohet që ndërprerja të bëhet gradualisht, gjatë disa javëve, për të shmangur efektet anësore të ndërprerjes së menjëhershme.

“Vlenë gjithashtu të theksohet se kombinimi i medikamenteve me psikoterapinë është shpesh më efektiv sesa secila metodë më vete, sidomos për ata që kanë ankth të rëndë ose kronik. Përveç psikoterapisë dhe medikamenteve, ndihmojnë shumë edhe teknikat e ndryshme të frymëmarrjes, relaksimi në natyrë, si dhe ndryshimet në stilin e jetesës, përfshirë aktivitetin fizik të rregullt, ushqyerjen e shëndetshme dhe menaxhimin e stresit (sikur më lartë e cekur). Në rastet ku trajtimet standarde nuk japin rezultat, përdoren metoda të avancuara si neuromodulimi, p.sh. stimulimi magnetik transkranial (TMS)”, theksoi Ademaj.

Ademaj poashtu ka treguar dallimet mes psikologut dhe psikiatrit dhe roli i tyre te ndërhyrja për trajtimin e personave që vuajnë nga ankthi.

“Kryesisht në trajtimin e çrregullimeve të ankthit janë të nevojshëm si psikiatri ashtu edhe psikologu, sepse të dy luajnë role plotësuese. Psikologu ka studiuar psikologji dhe në trajtimin e çrregullimeve të ankthit përdor psikoterapinë, një metodë shumë e rëndësishme për trajtimin e sëmundjeve psikike, siç është përmendur edhe më lart (p.sh. terapia kognitive-biheviorale). Psikologu nuk ka të drejtë të përshkruajë medikamente. Psikiatri, nga ana tjetër, është një mjek që ka studiuar mjekësinë e përgjithshme dhe më pas ka bërë specializim në psikiatri edhe në psikoterapi”, tha ai.

“Kjo do të thotë se psikiatri mund të ofrojë psikoterapi, por gjithashtu dhe të përshkruajë medikamente, të cilat shpesh kombinohen me psikoterapinë për të arritur efektin më të mirë. Në praktikë, është shumë e zakonshme që pacientët me çrregullime ankthi të trajtohen në mënyrë të kombinuar, duke marrë pjesë në psikoterapi tek psikologu dhe njëkohësisht duke u ndjekur nga psikiatri për mbikëqyrjen mjekësore. Kjo qasje e kombinuar është veçanërisht e rëndësishme në rastet më të rënda ose kronike, ku një metodë e vetme shpesh nuk mjafton”, u shpreh Ademaj.

Psikiatri foli gjithashtu edhe për rolin që ka mbështetja tek familjarët dhe miqtë teksa kalojmë një periudhë ankthi.

Ai tha se një faktor jashtëzakonisht i rëndësishëm që ndikon në këto shifra është natyra e mbështetjes sociale, sidomos ajo familjare dhe nga rrethi i afërt.

Ademaj u shpreh se është shumë e rendësishme të kuptojmë se të flasësh hapur për ankthin nuk është shenjë dobësie, por shenjë guximi.

“Për të hapur një bisedë me familjen ose miqtë, personi i prekur duhet më së pari të zgjedhë një moment të qetë dhe të sigurt, ku mund të shprehet pa frikë nga ndërprerjet ose gjykimet. Fjalët duhet të jenë të thjeshta dhe të sinqerta, si për shembull: “Po kaloj një periudhë të vështirë, ndiej shumë shqetësim dhe kam nevojë për mbështetjen tënde“. Njëkohësisht është dobishme të shpjegohet çfarë lloj ndihme nevojitet: ndonjëherë është e mjaftueshme thjesht që dikush të dëgjojë pa gjykuar, ndërsa herë të tjera ka më shumë nevojë për mirëkuptim dhe praninë e një personi të dashur, jo për zgjidhje apo këshilla të menjëhershme”, tha Ademaj.

“Shumë studime tregojnë se mbështetja sociale, veçanërisht ajo familjare, është një ndër faktorët më të rëndësishëm për përmirësimin e gjendjes emocionale. Njerëzit që kanë pranë dikë që i dëgjon, i mirëkupton dhe i mbështet kanë shumë më pak rrezik që ankthi akut të shndërrohet në një gjendje kronike dhe kanë më shumë mundësi të përballojnë me sukses trajtimin”, u shpreh ai.

Nga ana tjetër, është po aq e rëndësishme të kuptojmë se stigma paragjykimet ndaj sëmundjeve psiqike, shpesh e bën personin që vuan të mbyllet në vetvete dhe të ndjejë faj, tha Ademaj.

“Kjo përfshin ndjenja si turpi, frika se mos gjykohet, ose mendimet e gabuara se sëmundjet psiqike janë „dobësi karakteri“ apo „shenjë dështimi“. Por në realitet, kjo nuk është e vërtetë. Luftimi i stigmës fillon pikërisht nga hapja, edukimi dhe vetëpranimi. Askush nuk duhet të ndihet vetëm me ankthin apo shqetësimet e veta. Kërkimi i ndihmës është nje hap i rëndësishëm dhe i guximshëm drejt shërimit – dhe mbështetja e familjes dhe miqve është një pasuri e çmuar që mund të bëjë diferencën mes vuajtjes së heshtur dhe rimëkëmbjes emocionale”, përfundoi Ademaj./Gazeta Shneta/

Artikulli paraprakIlaçet kundër HIV-it mund të parandalojnë sëmundjen e Alzheimerit
Artikulli i rradhës Ushqyerja me gji ofron përfitime shëndetësore si për foshnjat ashtu edhe për nënat e tyre

Ju sugjerojmë

Infektologia Kurteshi: Temperaturat e larta rrisin rrezikun e infeksioneve, higjiena mbetet mbrojtja më e mirë

21/07/2026 Lajme

Mjeku i Javës – Dr. Valon Hamza: Si ndikojnë temperaturat e larta në sistemin tretës

16/07/2026 Mjeku i javës

Mjeku i Javës – Dr. Ramadan Halimi: Kur ankthi maskohet si sëmundje – simptomat që ngatërrojnë pacientët

06/07/2026 Mjeku i javës

Mjeku i Javës: Dr. Zarife Rexha flet për rrezikun nga temperaturat e larta për pacientët me sëmundje kardiovaskulare

29/06/2026 Mjeku i javës

Mjeku i Javës: Dr. Albana Bislimi Krasniqi flet për rëndësinë e dhurimit të gjakut dhe sfidat e furnizimit me gjak në Kosovë

22/06/2026 Mjeku i javës

Mjeku i Javës: Dr. Rreze Serhati-Morina flet për sëmundjet e tiroides, simptomat dhe rëndësinë e diagnostikimit në kohë

15/06/2026 Mjeku i javës
Na ndiqni
  • Facebook
  • Twitter
  • Instagram
  • YouTube
Rreth nesh
Rreth nesh

Gazeta Shneta është produkt medial që i kushtohet vetëm shëndetësisë.

Këshillat mjekësore të postuara nga Gazeta Shneta janë të natyrës edukative.

Kontakt

Pronari i medias: Bujar Vitija

Redaktore: Diana Basholli

Email: [email protected]

Adresa: Rr. Vicianum, Prishtinë, pn.

Marketing

Email: [email protected]

Tel: +383 44 701 781

Përmbajtja

Gazeta Shneta është e hapur ndaj partnerëve të marketingut.

Linqe

Privacy Policy

Facebook X (Twitter) Instagram YouTube
© 2026 Gazeta Shneta

Shkruani fjalën dhe klikoni Search/Enter për të kërkuar. Klikoni X për ta anuluar.