Close Menu
Gazeta ShnetaGazeta Shneta
  • Lajme
  • Teknologji
  • Mjeku juaj
  • Këshilla për shtatzëna
  • Femina
  • Jetë
  • Publikime
  • Psikologji
  • Logopedi
  • Fizioterapi
Facebook X (Twitter) Instagram
Facebook X (Twitter) YouTube
Gazeta ShnetaGazeta Shneta
  • Lajme
  • Teknologji
  • Mjeku juaj
  • Këshilla për shtatzëna
  • Femina
  • Jetë
  • Publikime
  • Më shumë
    • Psikologji
    • Logopedi
    • Fizioterapi
Gazeta ShnetaGazeta Shneta

‘Mjeku i Javës’ – Si ndikojnë temperaturat e larta në shëndetin kardiovaskular? Intervistë me kardiologun, Jahir Shala

Mjeku i javës 25/06/2025
Facebook WhatsApp Twitter LinkedIn Reddit Email Telegram
Shpërndaje
Facebook WhatsApp Twitter LinkedIn Email Telegram

Me ardhjen e verës dhe rritjen e temperaturave ekstreme, shëndeti i zemrës vihet në rrezik serioz, veçanërisht për të moshuarit dhe pacientët me sëmundje kardiovaskulare.

Në një intervistë për “Gazetën Shneta”, kardiologu i njohur, Dr. Jahir Shala, flet për pasojat që nxehtësia ekstreme mund të ketë mbi sistemin kardiovaskular, duke ofruar këshilla të vlefshme për parandalim dhe kujdes të shtuar gjatë ditëve të verës.

Shala tha se temperaturat e larta kanë ndikim të madh në shëndetin kardiovaskular, veçanërisht te personat e moshuar, ata me sëmundje kronike dhe individët që punojnë ose qëndrojnë gjatë në ambiente të nxehta.

“Temperaturat e larta nxisin trupin të djersijë më shumë për të ruajtur temperaturën e brendshme. Kjo e ngarkon zemrën, mushkëritë dhe veshkat edhe më shumë. Zemra rreh më shpejt dhe qarkullon më shumë gjak për minutë se në një ditë normale, duke e ngarkuar sistemin kardiovaskular dhe duke e detyruar zemrën të punojë më fort”, u shpreh Shala.

Shala tha se pacientët me sëmundje të zemrës janë më të rrezikuar gjatë valëve të të nxehtit sepse organizmi i tyre nuk arrin të përshtatet shpejt me temperaturat e larta.

“Tek personat e shëndetshëm, zemra dhe enët e gjakut punojnë për të rritur qarkullimin në lëkurë, duke ndihmuar në ftohjen e trupit. Pacientët me insuficiencë kardiake, sëmundje koronare apo aritmi kanë një zemër që nuk pompon në mënyrë efikase, ndaj nuk arrijnë të balancojnë temperaturën trupore në kushte të stresit të lartë termik.mSëmundjet e zemrës shpesh trajtohen me barna si diuretikë, që nxjerrin lëngjet nga trupi. Në vapë, humbja e lëngjeve rritet përmes djersës, duke rritur rrezikun për dehidratim, ulje të volumit të gjakut dhe përkeqësim të funksionit të zemrës”, tha ai.

Kjo sepse nxehtësia shkakton zgjerim të enëve të gjakut (vasodilatacion), që mund të çojë në rënie të tensionit arterial, gjë që është e rrezikshme për pacientët me hipotension ose ata që marrin barna për tension të lartë. Kombinimi i tensionit të ulët dhe pompimit të dobët të gjakut mund të shkaktojë kolaps qarkullues.

Shala tutje tha se rreziku për infarkt dhe aritmi rritet gjatë verës, veçanërisht gjatë valëve të të nxehtit. Kjo është dokumentuar në shumë studime mjekësore dhe vihet re më shpesh te personat me sëmundje kardiovaskulare ekzistuese, por edhe te individët e shëndetshëm në rrethana ekstreme me temperatura të larta.

“Në të nxehtë, zemra punon më shumë për të pompuar gjak drejt lëkurës për ftohjen e trupit, çka rrit ngarkesën kardiake dhe mund të çojë në ishemi (mungesë oksigjeni në zemër), sidomos te pacientët me arterie të ngushtuara. Dehidratimi trash gjakun, duke e bërë më të vështirë qarkullimin dhe më të lehtë formimin e trombeve (mpiksjeve), që mund të bllokojnë një arterie koronare dhe të shkaktojnë infarkt”, tha kardiologu.

Ai theksoi se rënia e tensionit si pasojë e vasodilatacionit mund të ulë perfuzionin e zemrës dhe ka edhe persona që reagojnë me rritje të tensionit, sidomos nëse janë të stresuar ose të dehidratuar.

Shala tha se gjithashtu, rritet rreziku për aritmi, pasi djersitja e madhe shkakton humbje të natriumit, kaliumit dhe magnezit – elementë jetikë për funksionimin normal të rrahjeve të zemrës dhe kjo mund të shkaktojë aritmi atriale (si fibrilacioni atrial) apo edhe aritmi më të rrezikshme ventrikulare.

“Disa barna gjithashtu mund të shkaktojnë aritmi. Diuretikët, të përdorur për tension apo insuficiencë kardiake, përkeqësojnë humbjen e elektroliteve. Kur kombinohen efektet e nxehtësisë me ato të diuretikëve, rritet rreziku për çrregullime të ritmit të zemrës. Valët e të nxehtit prishin gjumin dhe rrisin stresin, faktorë që nxisin sistemin nervor simpatik dhe kontribuojnë në çrregullime të ritmit kardiak”, deklaroi mjeku kardiolog.

Sipas Shalës, pacientët me probleme të zemrës gjatë ditëve të nxehta duhet të marrin disa masa për t’u mbrojtur nga temperaturat e lata.

“Pini ujë të pastër rregullisht gjatë ditës, edhe nëse nuk ndjeni etje (pacientët me insuficiencë të rëndë kardiake duhet të kenë kujdes me sasinë e lëngjeve), shmangni pijet me kafeinë, alkool apo shumë sheqer, rregulloni dozën e diuretikëve në ditët shumë të nxehta (vetëm me udhëzim mjekësor).Qëndroni në ambiente me ajër të kondicionuar ose të ventiluar mirë, kufizoni daljet jashtë në orët 11:00–17:00, përdorni kapele, syze dielli dhe veshje të lehta, me ngjyra të çelta, ecni ngadalë dhe bëni pushime të shpeshta në hije dhe matni rregullisht tensionin dhe rrahjet e zemrës në shtëpi”, këshilloi Shala.

Ai shtoi se duhet t’i kushtohet vëmendje shenjave paralajmëruese si: marramendje, djersitje e tepruar, rrahje të çrregullta, dhimbje gjoksi apo vështirësi në frymëmarrje – nëse ndjeni ndonjërën prej tyre, kontaktoni menjëherë mjekun.

“Mos ndërprisni asnjë medikament pa konsultim mjekësor, shmangni ushqimet e rënda, të yndyrshme apo shumë të kripura, konsumoni më shumë fruta dhe perime të freskëta, si dhe produkte të pasura me kalium dhe magnez (banane, spinaq, domate, etj)”, tha gjithashtu Shala.

Kardiologu tha se gjatë verës mund të ketë nevojë që të rregullohet doza e disa ilaçeve, sidomos për pacientët që kanë probleme me zemrën. Megjithatë, çdo ndryshim duhet bërë vetëm me udhëzimin e mjekut, pasi ndryshimi i dozës pa mbikëqyrje mund të jetë i rrezikshëm.

“Ka disa barna që gjatë verës duhen ndjekur me kujdes më të madh: Diuretikët: rrisin humbjen e lëngjeve dhe elektroliteve. Beta-bllokuesit: ulin aftësinë e trupit për t’u përshtatur me nxehtësinë. ACE-inhibitorët / ARB: mund të ndikojnë tek veshkët gjatë dehidratimit. Nitratet: mund të përkeqësojnë tensionin e ulët. Antiaritmikët: janë të ndjeshëm ndaj çrregullimeve të elektroliteve dhe antikoagulantet: nxehtësia dhe dehidratimi rrisin rrezikun për trombozë”, deklaroi Shala.

Me ngritje e temperaturave, Shala ka theksuar se janë disa kategori që janë më të rrezikuar.

“Të moshuarit (mbi 65 vjeç), pacientët me insuficiencë kardiake, personat me hipertension arterial, diabetikët, personat obezë, gratë shtatzëna dhe personat që punojnë në ambiente të jashtme (si ndërtimtaria)”, sipas Shalës hyjnë në këtë kategori.

Shala tutje tha se vizitat mjekësore më të shpeshta rekomandohen gjatë stinës së verës për pacientët me sëmundje kronike, sidomos ata me sëmundje kardiovaskulare (hipertension, insuficiencë kardiake, aritmi, etj.).

“Këto vizita nuk duhet të jenë gjithmonë të shpeshta në mënyrë rutinë, por duhen shtuar në varësi të gjendjes shëndetësore dhe rrezikut individual gjatë temperaturave të larta. Tek pacientët më të rëndë dhe ata që marrin disa barna të kombinuara, vizitat rekomandohen çdo 3–4 javë gjatë stinës së ngrohtë”, përfundoi Shala./Gazeta Shneta/

Artikulli paraprakStudim: Përdorimin i ekranit dhe cilësia e gjumit po ndikon në depresionin e adoleshentëve
Artikulli i rradhës Pse lëkura juaj ndihet e tendosur në plazh?

Ju sugjerojmë

Infektologia Kurteshi: Temperaturat e larta rrisin rrezikun e infeksioneve, higjiena mbetet mbrojtja më e mirë

21/07/2026 Lajme

Mjeku i Javës – Dr. Valon Hamza: Si ndikojnë temperaturat e larta në sistemin tretës

16/07/2026 Mjeku i javës

Mjeku i Javës – Dr. Ramadan Halimi: Kur ankthi maskohet si sëmundje – simptomat që ngatërrojnë pacientët

06/07/2026 Mjeku i javës

Mjeku i Javës: Dr. Zarife Rexha flet për rrezikun nga temperaturat e larta për pacientët me sëmundje kardiovaskulare

29/06/2026 Mjeku i javës

Mjeku i Javës: Dr. Albana Bislimi Krasniqi flet për rëndësinë e dhurimit të gjakut dhe sfidat e furnizimit me gjak në Kosovë

22/06/2026 Mjeku i javës

Mjeku i Javës: Dr. Rreze Serhati-Morina flet për sëmundjet e tiroides, simptomat dhe rëndësinë e diagnostikimit në kohë

15/06/2026 Mjeku i javës
Na ndiqni
  • Facebook
  • Twitter
  • Instagram
  • YouTube
Rreth nesh
Rreth nesh

Gazeta Shneta është produkt medial që i kushtohet vetëm shëndetësisë.

Këshillat mjekësore të postuara nga Gazeta Shneta janë të natyrës edukative.

Kontakt

Pronari i medias: Bujar Vitija

Redaktore: Diana Basholli

Email: [email protected]

Adresa: Rr. Vicianum, Prishtinë, pn.

Marketing

Email: [email protected]

Tel: +383 44 701 781

Përmbajtja

Gazeta Shneta është e hapur ndaj partnerëve të marketingut.

Linqe

Privacy Policy

Facebook X (Twitter) Instagram YouTube
© 2026 Gazeta Shneta

Shkruani fjalën dhe klikoni Search/Enter për të kërkuar. Klikoni X për ta anuluar.