Trajtimi i anemisë në shtatzëni mund të ulë rrezikun për defekte të lindura të zemrës te foshnjat, sipas një studimi të ri të publikuar më 23 prill në “BJOG: An International Journal of Obstetrics & Gynecology”.
Studiuesit zbuluan se gratë me anemi në fillim të shtatzënisë kishin 47% rrezik më të lartë për të lindur një fëmijë me defekt në zemër, shkruan burimi Health Day transmeton Gazeta Shneta.
“E dinim që faktorë të ndryshëm mund të rrisin rrezikun për sëmundje të lindura të zemrës, por këto të dhëna tregojnë qartë ndikimin e anemisë dhe e kalojnë njohurinë nga laboratori në praktikën klinike,” tha Dr. Duncan Sparrow nga Universiteti i Oksfordit. Ai theksoi se kjo mund të jetë një ndryshim i rëndësishëm për shëndetin global të nënave dhe foshnjave.
Në studim u krahasuan të dhënat mjekësore të gati 2,800 grave në Mbretërinë e Bashkuar që lindën fëmijë me defekte në zemër me rreth 14,000 gra që lindën fëmijë të shëndetshëm.
Rreth 4.4% e grave në grupin me defekte ishin anemike gjatë shtatzënisë, krahasuar me 2.8% në grupin tjetër.
Rezultatet përputhen me tri studime të mëparshme në Izrael, Kanada dhe Tajvan.
Dy të tretat e rasteve të anemisë gjatë shtatzënisë shkaktohen nga mungesa e hekurit, gjë që sugjeron se marrja e suplementeve me hekur, që në fazën e përpjekjeve për të mbetur shtatzënë dhe gjatë shtatzënisë, mund të ndihmojë në parandalimin e këtyre defekteve.
Studiuesit rekomandojnë zhvillimin e një prove klinike për të vërtetuar këtë lidhje. /Gazeta Shneta/


