Gratë që infektohen me COVID-19 gjatë shtatzënisë mund të kenë më pak gjasa të zhvillojnë sindromën post-COVID, sipas një studimi të ri të publikuar në “Nature Communications”.
Studiuesit zbuluan se shtatzënat kishin 14% deri në 30% rrezik më të ulët për të zhvilluar simptoma afatgjata krahasuar me gratë që nuk ishin shtatzënë në kohën e infektimit, shkruan burimi Health Day transmeton Gazeta Shneta.
Studimi analizoi të dhënat nga mbi 72,000 gra shtatzëna dhe 208,000 gra jo shtatzëna të infektuara me COVID midis marsit 2020 dhe qershorit 2023, duke përdorur dy baza të mëdha të dhënash mjekësore në SHBA.
Simptomat e COVID-19 të zgjatur, zakonisht shfaqen javë pas infektimit fillestar dhe mund të zgjasin me muaj apo vite. Rezultatet treguan se rreth 16 nga 100 gra shtatzëna zhvilluan COVID të zgjatur, krahasuar me 19 nga 100 gra jo shtatzëna.
Megjithatë, disa grupe shtatzënash kishin rrezik më të lartë: gratë me ngjyrë, mbi 35 vjeç dhe ato me obezitet. Edhe pse këto grupe ishin më të rrezikuara, rreziku i tyre mbetej më i ulët sesa për gratë jo shtatzëna me të njëjtat karakteristika.
Dr. Chengxi Zang nga ‘Weill Cornell Medicine’, theksoi se ndryshimet në sistemin imunitar dhe inflamator gjatë shtatzënisë mund të luajnë rol mbrojtës.
Ai shtoi se këto të dhëna tregojnë nevojën për studime të dedikuara për COVID-in e zgjatur tek gratë shtatzëna dhe se ato mund të ofrojnë të dhëna të vlefshme për mënyrat e parandalimit të këtij sindromi në popullatën e gjerë. /Gazeta Shneta/


