Faza fertile është thelbësore për planifikimin e shtatzënisë.
Çdo muaj, rreth 14 ditë para menstruacioneve, vezoret lëshojnë një vezë – proces i quajtur ovulacion. Nëse gjatë kësaj periudhe keni marrëdhënie të pambrojtur, sperma mund të bashkohet me vezën, duke krijuar një embrion. Ky udhëton përmes tubave fallopiane dhe ngjitet në murin e mitrës, proces i njohur si implantim, ku fillon zhvillimi i fetusit, shkruan March of Dimes përcjell Gazeta Shneta.
Mundësia për të mbetur shtatzënë ekziston nga pesë ditë para deri në ditën e ovulacionit. Veza është e aftë për fekondim për 12–24 orë pas çlirimit, ndërsa sperma mund të mbijetojë deri në 72 orë brenda trupit.
Për të identifikuar kohën e ovulacionit, mund të përdorni:
– Kalendarin elektronik të ovulacionit, të disponueshëm në faqet zyrtare për planifikim të shtatzënisë.
– Matjen e temperaturës bazale çdo mëngjes para se të ngriheni nga shtrati. Rritja e saj tregon shpesh ovulacionin.
– Vëzhgimin e mukusit të qafës së mitrës, i cili bëhet më i hollë, i tejdukshëm dhe i rrëshqitshëm para ovulacionit.
Për shanse më të larta për shtatzëni, kryeni marrëdhënie të pambrojtura në ditët kur mukusi vaginal ka pamje të tejdukshme dhe të rrëshqitshme – tregues se trupi është në pikun e fertilitetit.
Njohja e këtyre shenjave mund t’ju ndihmojë të planifikoni me sukses një shtatzëni. /Gazeta Shneta/


