Danimarka po përballet me një shpërthim gripi jashtëzakonisht të madh dhe të pazakontë për stinën e verës, i cili lidhet me festivalin muzikor Smukfest në Skanderborg.
Sipas Institutit Shtetëror të Serumit (SSI), gjatë periudhës 11–17 gusht u raportuan 115 raste të reja me grip, nga vetëm 19 raste një javë më parë. Ky është shpërthimi i parë i madh i identifikuar ndonjëherë në muajin gusht që nga fillimi i monitorimit të vazhdueshëm 15 vite më parë, shkruan Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Zakonisht, gripi përhapet në muajt e dimrit kur njerëzit qëndrojnë më shpesh në ambiente të mbyllura, duke krijuar kushte të favorshme për transmetim. Këtë herë, burimi duket të jetë festivali Smukfest, i cili mblodhi afro 60 mijë pjesëmarrës.
Shumica e të sëmurëve kishin të njëjtën formë të virusit influenza A H1N1, e njohur ndryshe si “gripi i derrit”.
Ekspertët e SSI theksojnë se pjesa më e madhe e njerëzve e kalojnë gripin brenda një jave, por fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike janë më të rrezikuar nga komplikacionet serioze.
Megjithëse numri i rasteve të reja është ngadalësuar javën e fundit, instituti thekson se ky episod tregon qartë se aktivitetet e mëdha, si festivalet muzikore, mund të shndërrohen në ngjarje “superpërhapëse” kur kushtet janë të favorshme.
Sipas autoriteteve, qytetarët nuk duhet të heqin dorë nga pjesëmarrja në festivale, por ky rast mbetet një kujtesë për rreziqet e fshehura që bartin tubimet masive. /Gazeta Shneta/




