Rritja është një nga treguesit më të rëndësishëm të shëndetit të fëmijës. Çdo devijim nga modeli normal i rritjes mund të sinjalizojë një problem hormonal, gjenetik apo mjedisor që kërkon vlerësim të kujdesshëm. Dr. Hafize Rafuna, endokrinologe pediatrike në QKUK, shpjegon në detaje çrregullimet e rritjes, shkaqet, mënyrat e diagnostikimit dhe trajtimit të tyre.
Gazeta Shneta: Mund të na shpjegoni se çfarë nënkuptojnë çrregullimet e rritjes tek fëmijët?
Rafuna: Çrregullimet e rritjes janë devijime nga modeli i zakonshëm i zhvillimit trupor të fëmijës. Ato mund të përfshijnë rritje të ngadalësuar ose të shpejtë. Këto çrregullime lidhen me mënyrën se si organizmi prodhon dhe reagon ndaj hormoneve të rritjes, me faktorë gjenetikë, ushqyerjen, sëmundjet kronike apo kushtet mjedisore.
Sa shpesh hasni raste të tilla në QKUK?
Rafuna: Rreth 30–40% e fëmijëve që vijnë për vlerësim endokrinologjik kanë ndonjë devijim në rritje. Jo të gjitha rastet janë patologjike, por një pjesë e tyre kanë deficit të hormonit të rritjes ose çrregullime gjenetike/metabolike.
Cilat janë shkaqet më të zakonshme që ndikojnë në rritjen e ngadaltë ose të shpejtë të fëmijëve?
Rafuna: Shkaqet janë të shumta. Rritja e ngadalësuar shpesh lidhet me deficit të hormonit të rritjes, hipotiroidizëm, sindroma gjenetike, sëmundje kronike ose kequshqyerje. Rritja e shpejtë mund të ndodhë në pubertet të hershëm, hipertiroidizëm ose sindroma gjenetike që nxisin rritje të tepruar.
Cilat janë shenjat paralajmëruese që prindërit duhet të vërejnë tek fëmijët e tyre?
Rafuna: Shenja kryesore është vonesë ose përshpejtim i dukshëm në rritje. Prindërit duhet të jenë të vëmendshëm nëse fëmija nuk shton gjatësi për disa muaj, ka pubertet të vonuar ose të hershëm, lodhje, dobësi, humbje oreksi apo ndryshime në peshë.
Cilat teste zakonisht përdoren për të diagnostikuar problemet e rritjes?
Rafuna: Matja e gjatësisë dhe peshës, analiza laboratorike për hormonin e rritjes, IGF-1, TSH, T4, testet e funksionit të mëlçisë, veshkave dhe zorrëve, radiografia e dorës për moshën kockore dhe testet e stimulimit të GH.
Mund të na shpjegoni diferencën midis rritjes së ngadaltë për shkak të deficitetit të hormonit të rritjes dhe rasteve të tjera si çrregullimet gjenetike ose metabolike?
Rafuna: Në deficitet e hormonit të rritjes, fëmija ka shtim shumë të ngadaltë në gjatësi por trup proporcional. Në çrregullimet gjenetike/metabolike, rritja mund të shoqërohet me veçori fizike specifike ose probleme ushqyese dhe vonesë zhvillimore.
Sa shpesh ndodh rritja e shpejtë dhe çfarë mund të tregojë ajo?
Rafuna: Rritja e shpejtë ndodh gjatë pubertetit ose në raste patologjike si pubertet i hershëm, hipertiroidizëm ose prodhim i tepruar i hormonit të rritjes.
Sa ndikojnë faktorët mjedisorë dhe ushqimi tek rritja normale e fëmijëve?
Rafuna: Ushqimi i ekuilibruar, gjumi i mjaftueshëm, aktiviteti fizik dhe ambienti emocional i qëndrueshëm janë të rëndësishëm për rritjen normale. Stresi kronik, kequshqyerja dhe sëmundjet e përsëritura mund ta ngadalësojnë atë.
Cilat janë opsionet më të zakonshme të trajtimit për fëmijët me deficite hormonale të rritjes?
Rafuna: Trajtimi bazë është terapia me hormon sintetik të rritjes (somatropin) në formë injeksionesh ditore. Rezultatet janë shumë të mira kur zbatohen rregullisht, së bashku me kujdes për ushqyerjen dhe monitorim të rregullt.
Sa efektiv është trajtimi me hormon rritjeje dhe kur duhet nisur më së shpejti? A ka efekte afatgjata ose rreziqe?
Rafuna: Terapia është shumë efektive kur nis herët. Shumica e fëmijëve arrijnë gjatësinë normale të bashkëmoshatarëve. Nëse monitorohet nga endokrinologu, trajtimi është i sigurt dhe efektet anësore janë të rralla.
Çfarë mund të bëjnë prindërit për të mbështetur rritjen e shëndetshme të fëmijëve të tyre?
Rafuna: Sigurojnë ushqim të larmishëm dhe të pasur me proteina, kalcium dhe vitamina, gjumë të mjaftueshëm, aktivitet fizik të rregullt dhe mbështetje emocionale pozitive. Kontrolli vjetor nga pediatri ndihmon në zbulimin e hershëm të devijimeve.
Mesazhi për prindërit:
Rritja është pasqyra e shëndetit të fëmijës. Çdo ndryshim i vogël në gjatësi apo peshë mund të ketë një shpjegim të rëndësishëm mjekësor. Mos e lini pas dore – kërkoni gjithmonë vlerësim nga mjeku pediatër ose endokrinologu pediatrik. Diagnostikimi i hershëm është çelësi i një trajtimi të suksesshëm.
– Dr. Hafize Rafuna
Endokrinologe pediatrike – QKUK
/Gazeta Shneta/


