Qendrat e Mjekësisë Familjare kanë mbetur pa vaksina kundër Rotavirusit. Nga MSh thonë se i kanë kryer të gjitha procedurat dhe po presin furnizimin nga UNICEF.
Qendrat e Mjekësisë Familjare nëpër komuna kanë mbetur pa furnizim me doza të vaksinës kundër Rotavirusit. Këto vaksina po mungojnë tash e disa javë, shkruan Gazeta Shneta.
Dozat e fundit që kanë mbetur në stoqet e QMF-ve po ruhen për fëmijët të cilët janë afër kufirit të moshës për të marr këtë vaksinë, e që është java e 15-të. Kjo është konfirmuar edhe nga disa prindër për Gazetën Shneta. Ata kanë thënë se po kthehen mbrapsht duke iu kërkuar që të vijnë kur fëmijët t’i mbush 15 javë dhe do të marrin vaksinën nëse do të ketë doza në stok.
“Lidhur me vaksinën kundër Rotavirusit për momentin nuk ka, në QKMF i kemi vetëm edhe 3 doza, se kur do te furnizohemi nuk kem informacione të sakta”, ka deklaruar Dr. Xheva Canolli, shefe e vaksinimit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë.
Ajo ka thënë se janë të furnizuar me doza të mjaftueshme të vaksinave tjera.
Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se i kanë kryer të gjitha procedurat për furnizim me këtë produkt. Gjithashtu janë kryer edhe pagesat. Porse furnizimi bëhet përmes organizatës UNICEF, e kjo e fundit ende nuk ka arritur të siguroj furnitor.
“Ju informojmë se Ministria e Shëndetësisë i ka kryer të gjitha procedurat e nevojshme për furnizim dhe pagesën për vaksinën pranë UNICEF, për të siguruar furnizimin për muajin shkurt 2026. Megjithatë, për shkak të një uljeje të papritur të furnizimit global nga prodhuesi, ende nuk kemi marrë një datë të saktë për dorëzimin e vaksinave. UNICEF po punon ngushtë me furnizuesit për të adresuar këtë situatë dhe për të minimizuar çdo ndikim në programin e vaksinimit”, kanë deklaruar nga MSh.
Nga kjo ministri kanë deklaruar se do të njoftojnë me kohë sapo të marrin informata mbi afatet e furnizimit.
Gazeta ka pyetur edhe UNICEF-in nëse do të bëhet furnizimi shpejt, por nga kjo organizatë nuk kanë kthyer përgjigje nga dita e premte.
Vaksina kundër Rotavirusit, së bashku me dy vaksinat tjera kundër Human Papilloma Virusit dhe Vaksina kundër Pneumokokut, janë shtuar në Kalendar zyrtar të Imunizimit nga Ministria e Shëndetësisë në vitin 2023. /Gazeta Shneta/




